EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Suta: Elbasani kryeson me meritë, ecuria jo rastësi! Tri ndeshjet e fundit janë “jetë a vdekje”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2026 | 10:45

EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Suta: Elbasani kryeson me meritë, ecuria jo rastësi! Tri ndeshjet e fundit janë “jetë a vdekje”

Ish-trajneri i Elbasanit, Anxhelo Suta ka bërë një analizë të zgjeruar të ecurisë së skuadrës verdheblu këtë sezon, duke vlerësuar jo vetëm fitoren e fundit ndaj Vllaznisë, por edhe konsistencën që ka shfaqur ekipi përgjatë gjithë kampionatit.sutaPër “Panorama Sport” ai pohon se Elbasani aktual është një skuadër e ndërtuar mbi baza të forta, ku balanca, organizimi dhe bashkëpunimi drejtues–trajner kanë krijuar një ekip që jo vetëm kryeson me meritë, por jep garanci edhe për fazën vendimtare të sezonit. Sipas Sutës, suksesi ndaj Vllaznisë nuk është një rastësi, por një tregues i qartë i nivelit që ka arritur Elbasani.

“Fitorja ndaj Vllaznisë është një konfirmim i punës së bërë. Nuk është thjesht një rezultat pozitiv, por një provë që kjo skuadër di të përballet dhe të fitojë ndaj rivalëve direktë. Kur arrin të mundësh të gjithë kundërshtarët kryesorë gjatë sezonit dhe të kesh një bilanc pozitiv ndaj tyre, atëherë vendi në krye nuk është rastësi”, u shpreh fillimisht ai. Ish-tekniku thekson se Elbasani ka ndërtuar një avantazh të merituar ndaj rivalëve. “Kjo skuadër ka treguar superioritet në përballjet direkte. Nuk është e lehtë të ruash vazhdimësi ndaj rivalëve, por ata e kanë bërë këtë. Pikërisht këto ndeshje janë ato që përcaktojnë kampionatin dhe Elbasani i ka fituar me meritë”, theksoi ai.

BALANCA – Një nga elementët më të rëndësishëm sipas Sutës është qëndrueshmëria përgjatë gjithë kampionatit. “Kanë ditur të ruajnë balancat në të katër fazat e kampionatit. Nuk kanë pasur luhatje të mëdha dhe kjo është arsyeja pse janë aty ku janë. Kjo balancë u jep një avantazh të madh edhe për ‘Final 4’, sepse është një ekip që nuk del nga identiteti i tij, pohon ish tekniku i verdhebluve. Në analizën e tij, Suta paralajmëron për një mbyllje sezoni shumë të fortë. “Tri ndeshjet e fundit janë më të vështirat, sepse përballë janë skuadra që luftojnë për mbijetesë. Këto janë ndeshje ‘jetë a vdekje’ për kundërshtarët dhe shpesh janë më të forta sesa përballjet me rivalët direktë. Elbasani duhet t’i trajtojë këto ndeshje sikur përballë ka sërish Vllazninë. Vetëm me atë nivel përqendrimi dhe serioziteti mund të ruajnë ritmin dhe të shkojnë të përgatitur maksimalisht në fazën finale”, theksoi ai në vijim.

SUKSESI – Suta ndalet edhe te roli i drejtuesve të skuadrës, duke veçuar bashkëpunimin mes drejtorit dhe trajnerit. “Çelësi i suksesit është dyshja drejtues–trajner. Elton Guranjaku ka bërë një punë shumë të mirë në ndërtimin e skuadrës, duke plotësuar çdo repart me lojtarët e duhur. Ndërsa Ivan Gvozdenoviç ka arritur të implementojë idetë e tij dhe t’i japë skuadrës identitet. Kur këto dy elementë funksionojnë, rezultatet janë të pashmangshme. Edhe pse kanë pasur mungesa të rëndësishme gjatë sezonit, skuadra ka ruajtur ekuilibrat. Kjo tregon se nuk varet nga individë të veçantë, por është ndërtuar si një grup i fortë. Kjo është skuadra që duhet për të synuar trofe dhe kam besim se në fund do t’ia dalin”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish tekniku elbasanas.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL