EKSKLUZIVE/ Hakaj u largua nga Vllaznia, një klub i Superiores dhe oferta nga Kosova në horizont

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2026 | 19:02

EKSKLUZIVE/ Hakaj u largua nga Vllaznia, një klub i Superiores dhe oferta nga Kosova në horizont

Esin Hakaj nuk do të jetë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri. Mbrojtësi i majtë dhe klubi kuqeblu kanë mbyllur bashkëpunimin vetëm një vit pas rikthimit të futbollistit në Shkodër, duke i dhënë fund aventurës së dytë të 29-vjeçarit me fanellën e ekipit të vendlindjes.

hakaj balaj

Një ndarje që ishte paralajmëruar prej kohësh dhe tashmë është bërë fakt, me Hakajn që po përgatitet për një kapitull të ri në karrierën e tij. Megjithatë, për futbollistin shkodran duket se ofertat dhe interesimet nuk mungojnë. Sipas asaj që mëson “Panorama Sport”, një nga skuadrat që ka shfaqur interes konkret për të është Vora. Klubi debutues në elitën e futbollit shqiptar po punon për ndërtimin e një grupi konkurrues dhe eksperienca e Hakajt shihet si një vlerë e shtuar për repartin e mbrojtjes. Por Vora nuk është e vetmja skuadër që po monitoron situatën e mbrojtësit.

Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se edhe disa ekipe nga Kosova kanë kërkuar informacione për të, duke e konsideruar një alternativë të rëndësishme për sezonin e ardhshëm. Përvoja e fituar ndër vite në nivele të larta e bën Hakajn një emër tërheqës në tregun e transferimeve.

Në moshën 29- vjeçare, mbrojtësi i krahut të majtë vijon të mbetet një nga lojtarët më me eksperiencë në pozicionin e tij. Gjatë karrierës ai ka lënë gjurmë në disa prej skuadrave më të njohura të futbollit shqiptar, duke spikatur jo vetëm me Vllazninë, por edhe me Teutën, Partizanin dhe Elbasanin.

Për momentin, e ardhmja e Hakajt mbetet e hapur, por gjithçka të çon drejt faktit se ai nuk do të mbetet pa ekip për shumë gjatë. Java në vijim pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e mbrojtësit shkodran, i cili po shqyrton me kujdes alternativat e tij për të zgjedhur destinacionin e radhës në karrierë. Një gjë është e sigurt: pas largimit nga Vllaznia, Esin Hakaj është gati për një aventurë të re.

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL