EKSKLUZIVE/ Goli i pësuar me Elbasanin bëhet çështje te Tirana, Shkëmbi ngre tonet! Zbardhet mbledhja e trajnerit me lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2025 | 22:00

EKSKLUZIVE/ Goli i pësuar me Elbasanin bëhet çështje te Tirana, Shkëmbi ngre tonet! Zbardhet mbledhja e trajnerit me lojtarët

Te Tirana, prag derbi ka nisur me një analizë kritike për sfidën e fundit ndaj Elbasanit. Paraditen e së hënës, trajneri Bledi Shkëmbi ka zhvilluar një mbledhje të gjatë me lojtarët dhe stafin e skuadrës. Në fillim është analizuar me video çdo problem në sfidën me verdheblutë dhe çfarë u gabua, duke filluar nga trajneri, skuadra dhe deri tek individët e veçantë.shkembi“Panorma Sport” mëson se trajneri Shkëmbi ka qenë shumë i qartë me skuadrën, teksa është ndalur te goli i pësuar, i cili sipas tij është problemi kryesor i grupit. “Ky gol nuk duhej të pësohej. Kemi gabuar të gjithë, në vendosje, në lëvizje dhe në dalje të portierit për të hequr topin. Nëse do të ishte një rast edhe mund ta pranonim, por është goli i tretë që pësojmë në të njëjtën mënyrë në ndeshjet e fundit. Është pësuar në sfidën me Egnatian, në sfidën me Bylisin në Kupë dhe tani në takimin me Elbasanin.

E kuptoj tensionin, por është shumë. Derbin e kemi përpara dhe nuk dua që kjo situatë të na ndodhë. E përsëris, ky gol nuk duhet të pësohet më dhe nuk toleroj gabim të tillë. Të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësinë për atë që bëjnë në fushën e lojës”, mësohet të ketë thënë në mbledhje Bledi Shkëmbi. Nga ana tjetër, trajneri i Tiranës, vazhdoi me analizën e ndeshjes së kaluar me Elbasanin.

DERBI – Tirana do të luajë ditën e diel ndaj Partizanit, ndërsa duket se Bledi Shkëmbi ka kristalizuar skuadrën që do të hedhë në fushën e lojës. Ekipit i kthehet sulmuesi i pezulluar Ernest, i cili vuajti një karton të kuq të marrë në Ballsh. Po kështu, për Shkëmbin do të jetë i gatshëm edhe Henry Marku, i cili ka pasur probleme gjatë javës së shkuar. Mbetet për t’u parë gjendja e Gjumsit, ndërsa nga ana tjetër, derbin e kanë humbur përfundimisht dy lojtarët Haxhiu e Ismajli.

Me një llogari të thjeshtë, në portë do të luajë Selmani. Mbrojtja sërish me katër e Metën në të djathtë, më pas Kola e Dembele, ndërsa majtas Përgjoni. Mesfusha do të jetë e përbërë nga katërshja Ndreca, Soler, Rafael Prengaj si dhe sulmi me Zharmuni e Ernest. Skuadra duhet të ruhet nga kartonët, pasi nëse Ndreca, Përgjoni, Meta dhe Prengaj ndëshkohen me karton të verdhë humbasin takimin tjetër atë me Skënderbeun në shtëpi.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL