EKSKLUZIVE/ “Golat në derbi më bënë idhull për tifozët”, Nexhipi: Sot pas 10 viteve më thërrasin: ‘Kapiten i kryeqytetit’ (E PLOTË)
Nderim Nexhipi qëndroi për një vit e gjysmë te Partizani, duke u bërë një nga futbollistët më të dashur për tifozët pas rikthimit në Superiore. Gjate edicionit të dytë(2014/ 15) mbajti edhe shiritin e kapitenit, ndërsa mbahet mend për tre golat vendimtarë për Partizanin në derbin ndaj Tiranës.

I pari sillte barazimin në minutën e fundit dhe dy të tjerë i hapnin rrugë fitoreve. Të kuqtë nisnin kështu një periudhë që zgjaste rreth gjashtë vite pa humbje kundër bardhebluve. “Panorama Sport” ka intervistuar ish-futbollistin e Partizanit, që nga tifozët më të zjarrtë u thirr edhe si kapiten i kryeqytetit. 41-vjeçari kalonte një periudhë emocionuese të karrierës së tij në Tiranë, ndërsa Partizani ishte klubi i parë që e afroi me futbollin shqiptar. Tashmë mban postin e drejtorit sportiv te Ballkani në Kosovë.
Si e kujtoni momentin kur Partizani ju afroi për herë të parë në Shqipëri?
Paskan kaluar 10 vite nga ardhja ime në janarin e vitit 2014, kur mora telefonatën që t’i bashkohem Partizanin. Ishte një emocion, pasi për herë të parë vija në futbollin e Shqipërisë dhe kisha dëshirë që ta shikoja. Ta përjetoja vetë. Vendosa të vij te klubi më i madh në Shqipëri. Ardhja ime ishte me të vërtetë një gjë e jashtëzakonshme, shumë e mirë dhe që e përkujtoj me shumë madh.
Më pas morët shiritin e kapitenit. Çfarë ndryshoi atë kohë?
Muajt patjetër që ikën shumë shpejt. Më kujtohet si Olsi Ranxhi ma shpjegonte derbin e madh Partizani-Tirana, si gjithë tifozeria e kuqe jetonte për këtë ndeshje. Pas shumë viteve që kishin kaluar në kategoritë inferiore, u bë ky derbi përsëri. Pasi filluam fitoret ne, e dimë që Partizani nuk e njihte humbjen për thuajse gjashtë vite. Ishte me të vërtetë e jashtëzakonshme. Sezonin e dytë, presidenti dhe kryesia e klubit me trajnerin Shpëtim Duro, vendosën të më japin shiritin e kapitenit. E kam mbajtur me shumë kënaqësi dhe krenari.
Sot pas 10 viteve, ku të jem në Tiranë apo Shqipëri, sepse Partizani ka shumë tifozë, gjithmonë më thërrasin: ‘Kapiten i kryeqytetit’. Ndeshjet që kemi bërë, golat vendimtarë që shënova në atë periudhë me Partizanin, më kanë bërë që me të vërtetë të ndihem shumë mirë.
Golat tuaj hapën një rrugëtim të ri për Partizanin në derbi, a ndikuan drejtpërdrejt te tifozët?
Është fakt, ndeshjet derbi kanë qenë spektakolare. Golat kanë qenë me të vërtetë të bukur. Ndeshjet që kemi bërë, nuk e kemi njohur humbjen me Tiranën. Kjo ecuri e shpejtë të bën që të bëhesh edhe si idhull për tifozerinë.
Cili ishte çelësi i suksesit në derbi dhe episodi që nuk do e harroni?
Ai goli në minutën e fundit, dhe prej atij goli… Më kujtohet ajo ndeshje sepse ishte në “Qemal Stafa”. Tifozët e Tiranës në stadium mezi prisnin të fillonin festën, por ia prishëm në minutën e 93-të. Një gol që nuk ishte tipik për mua sepse nga goditja e këndit ekzekutoi Mazrekaj dhe unë nuk e di çfarë kërkova me kokë në shtyllën e parë. E nxora golin dhe pastaj për shumë vite me radhë nuk humbëm ndaj Tiranës. Ishte një kënaqësi e veçantë.
Çfarë i bënte të veçantë derbin dhe tifozët e Partizanit?
Për mua që për herë të parë vija në Shqipëri, nuk e prisja që kishte një tifozeri aq të zjarrtë dhe derbi aq të zjarrtë si Partizani-Tirana. I gjithë stadiumi vishet me ngjyra të njërës apo skuadrës tjetër. Patjetër që në fillim më befasoi. Të gjithë i prisnim ndeshjet derbi sepse ishin shumë vendimtare, të bukura dhe që nuk harrohen.
Si ia dolët të shkruanit emrin tuaj në historinë e derbit?
Ndeshjet derbi me Tiranën, gjithmonë kanë dalluar. Ne si lojtarë e dinim se në atë ndeshje, stadiumi do të mbushet. “Qemal Stafa” do jetë plot përsëri dhe gjithmonë është motiv shtesë. Unë ndeshjet derbi që kam luajtur në karrierë, i kam vendosur ato dhe këtë fat kisha në Shqipëri. Kur ishte derbi, në ndeshjet që luaja isha protagonist. Për këtë tifozeria e kuqe më mban mend dhe sot. Gëzoj respektin në maksimum tek ata sepse me të vërtetë janë unikë, dhe kemi kaluar kohë të jashtëzakonshme bashkë.
Si e shikoni derbin e radhës?
Derbi i së dielës po vjen tani dhe ecuria për mua është pak për t’u habitur. Partizani në javët e fundit ka filluar të ngjitet lart në tabelën e klasifikimit. Tirana akoma nuk po e gjen momentin e saj. Normale që ka vështirësi në këtë ballafaqim. Po bëjnë një sezon jo të mirë të dyja skuadrat, dhe pse theksoj se Partizani në javët e fundit ka ndryshuar, ka marrë një ecuri dhe po fillon t’i fitojë ndeshjet. Të shohim të dielën si do shkojë ndeshja dhe si do vendoset.
A keni një mesazh për tifozët apo lojtarët e Partizanit në prag të derbit?
Për tifozët e Partizanit e them vetëm një gjë, të mbushin stadiumin sa më shumë. E di që ekipi i tyre i zemrës ka kaluar një periudhë të vështirë, por sidoqoftë ata asnjëherë nuk dinë dhe nuk e kanë braktisur klubin. Shpresoj ta mbushin stadiumin “Air Albania” të dielën, që të ndihmojnë ekipin që ta prishë ecurinë e Tiranës në derbi. Lojtarët e dinë çfarë do të thotë derbi dhe ata luhen për t’u fituar. Besoj se kushdo prej minutës së parë, do japë 100% që të arrijë te fitorja e Partizanit në derbi.
Sot jeni drejtor sportiv i Ballkanit, çfarë objektivash janë vendosur për këtë sezon?
Prej një pauze prej gati dy vitesh, u riktheva përsëri te Ballkani. Kemi shkruar histori dhe shpresojmë ta vazhdojmë. Patjetër që objektivi kryesor është titulli kampion. Është e vështirë sepse janë Prishtina dhe Drita që duhet t’i mposhtim këtë sezon. Drita ka bërë mirë, është futur edhe në grupet e Ligës së Konferencës. Futbolli në Kosovë po ecën me hapa të sigurt përpara. Infrastruktura është i vetmi problem, por besoj se në dy vitet e ardhshme do të ketë ndryshime të jashtëzakonshme në stadiume dhe infrastrukturë. Kjo do të bëjë që futbolli të ngrihet në nivel tjetër. Me Ballkanin kemi bërë histori dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë hap.
Po futbolli në Shqipëri si iu duket?
Futbolli shqiptar patjetër që ka ecur, por ajo gjëja që mungon është që një klub duhet të fillojë dhe ta bëjë si rutinë futjen në grupet e Europës, së paku të Ligës së Konferencës. Mendoj se është gjëja e vetme që i mungon futbollit shqiptar në këtë moment. Ka klube me potencial. Nëse ne kemi arritur atje, Shkëndija këtë vit, Drita, duhet edhe një ekip nga Shqipëria vitin tjetër të jetë në grupe.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













