EKSKLUZIVE/ Eliminimi i Partizanit nga Kupa, Kërnaja ia faturon gjykimit: Të dënohen edhe arbitrat! Hamiti nuk është në nivelin e duhur, ja përse nuk i besohet në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2026 | 23:42

EKSKLUZIVE/ Eliminimi i Partizanit nga Kupa, Kërnaja ia faturon gjykimit: Të dënohen edhe arbitrat! Hamiti nuk është në nivelin e duhur, ja përse nuk i besohet në Europë

Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja foli për “Panorama Sport” pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë ndaj Elbasanit. Tekniku 37-vjeçar, u shfaq i zhgënjyer me ndeshjen e interpretuar nga gjyqtari kryesor Eldorian Hamitin, për të cilin theksoi se u bë protagonist i ndeshjes, kur protagonist dhe aktorë kryesorë duhet të jenë futbollistët.

kernaja

Ndër të tjera, Kërnaja shtoi se shpreson që në javët e ardhshme të kampionatit, skuadra e tij të mos penalizohet nga vendimet arbitrare. Sakaq, pavarësisht si përfundoi ndeshja, Kërnaja pati fjalë të mira për skuadrën e tij duke vlerësuar shpirtin e lartë të garës që kanë futbollistët e Partizanit.

Zhvilluat një ndeshje shumë të mirë duke krijuar raste, fati nuk ishte me ju kur goditët dy herë shtyllën… Në fund ndeshja vendoset nga një episod si penalltia, sa keq ju vjen për këtë?

Nuk e di nga t’ia nis, kam vetëm fjalët më të mira për djemtë. Luftuan dhe tentuan në çdo mënyrë. Ishte një ndeshje shumë e bukur nga të dy ekipet, por fatkeqësisht arbitri nuk ishte në lartësinë e skuadrave në fushë. Siç e thatë edhe ju, u ndëshkuam nga një episod që të gjithë, si nga televizioni ashtu edhe në stadium, nuk panë kontakt. Unë nuk jam marrë asnjëherë me arbitrat, por më vjen keq që protagonist i ndeshjes u bë një arbitër, kur duhej të ishin lojtarët në fushë.

Si e shpjegoni që edhe Var qëndroi indiferent në këtë rast?

Nuk e di kur hyn VAR-i dhe kur nuk hyn, por këtë do t’ua lë specialistëve përkatës ta sqarojnë. Megjithatë, në rastet kur ne gabojmë, ndëshkohemi. Ndërsa kur arbitrat gabojnë, me ose pa qëllim, nuk ndodh asgjë. Janë klubet që humbin dhe trajnerët që rrezikojnë vendet e punës për shkak të gabimeve të tyre.

Pas gjithë këtij zhgënjimi, sa e vështirë do të jetë që të ringrihet skuadra dhe të vazhdojë rrugëtimin?

Djemtë kanë një shpirt gare shumë të lartë, kanë vrapuar dhe kanë sakrifikuar. Janë po këta djem që kanë fituar shumë ndeshje, pavarësisht asaj që ndodhi. Ne do të vazhdojmë përpara për të arritur objektin “Europë”. Çunave nuk kam çfarë t’u them sepse kanë vrapuar, kanë goditur portën. E theksova se, përveç disa gabimeve tona individuale, ishte edhe fati kundër nesh, pasi goditëm disa herë shtyllën. Nuk donim as të dërgonim sfidën te penalltitë, donim të fitonim, ishim më lart në shumë aspekte. Të vjen keq që ndikuan faktorë të jashtëm. Ndoshta arsyeja pse ky arbitër nuk merr më ndeshje në Europë lidhet edhe me këto gabime ose me përgatitjen e tij jo në nivelin e duhur.

Tani vëmendja kalon te kampionati me objektivin e vetëm tashmë që mbetet “Final Four”. Ndeshja e radhës është si një finale me Dinamon, rivali tuaj direkt…

Nuk është një finale sepse kampionati ka edhe nëntë javë të tjera, është ndeshja e radhës dhe vlen tre pikë. Shpresoj që të mos kemi më arbitrime të tilla dhe verdiktin ta vendosin faktorët në fushë, jo ata të jashtëm. Jam i bindur se Shqipëria ka arbitra jashtëzakonisht shumë të mirë, të cilët drejtojnë edhe ndeshje europiane. Kam besim te arbitrat shqiptarë dhe nuk besoj se ky është niveli real i arbitrimit.

Së fundmi u shpallët edhe “Trajneri i Muajit”, sa të lumtur ju bën kjo arritje?

Mund të them fare mirë se jemi ekipi i muajit, jo trajneri i muajit. Është puna e të gjithë djemve nga i pari te i fundit, gjithë lojtarëve, gjithë stafit, nuk është vetëm trofeu im personal. Është i Kushtrimit, është i Zhivanajt, është i Azabajt. I gjithë lojtarëve nga i pari te i fundit. Nuk i jepnin dot 40 çmime, ishte vetëm një, por ai është i përbashkët. Nuk do ta marr, por ai trofe do të qëndrojë në klub sepse nuk është i imi personal.

EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL