EKSKLUZIVE/ “Ekipi ka një ngërç”, Daiu: Mbrojtja, “thembra e Akilit” te Partizani
Partizani luan ndeshjen e radhës në ka mpionat ndaj Elbasanit, një sfidë shumë e rëndësishme në fakt për të dyja skuadrat që vijnë pas humbjeve. Të kuqtë nuk e kanë nisur mirë këtë fazë të katërt dhe finale të kampionatit, duke koleksionuar vetëm dy pikë në tre ndeshje. Në lidhje me këtë moment të kryeqytetasve foli në një intervistë për “Panorama Sport” Përparim Daiu.

Ish-futbollisti i të kuqve theksoi se pas këtyre ndeshjeve dhe rezultateve të fundit, Partizanit i duhet të ringrihet dhe të mos bjerë në kolaps, pasi është momenti më i papërshtatshëm për t’u futur në krizë.
Ndër të tjera, Daiu u shpreh se mbrojtja ka qenë “thembra e Akilit” për skuadrën në këtë sezon, ndërsa u shfaq besimplotë se ekipi e ka forcën për t’u ringritur dhe për të ruajtur deri në fund pozicionin e katërt në tabelën e renditjes, duke u kualifikuar kështu në fazën e “Final Four”.
Si e keni parë Partizanin në këto tre ndeshjet e fundit, çfarë nuk po shkon siç duhet me skuadrën?
Të jem i sinqertë, përpos rezultatit të ndeshjes me Vllazninë, e shoh që ka çeduar edhe në interpretimin e lojës, por ajo që është më e rëndësishme është që ekipi të mos bjerë në kolaps e të kalojë në krizë, sepse i duhet vazhdimësia për të qenë pjesë e katërshes dhe pjesëmarrës në Kupat e Europës.
Ju duket sikur ekipi ka pësuar një ngërç psikologjik dhe po vuan presionin për të arritur objektivat apo jo? Çfarë i duhet për të dalë nga kjo situatë?
Normal që çdo skuadër ka luhatje në rezultate, por Partizanit i duhet qetësia dhe arma më e fortë që ka është grupi, ndaj fryma dhe optimizmi është çelësi që të çon drejt arritjes së objektivit.
Sa ka ndikuar mungesa e stabilitetit në mbrojtje te rezultatet e arritura së fundmi?
Mbrojtja ka qenë “thembra e Akilit” tek Partizani, e kam parë herë pas here të brishtë, pranon e pëson gola të thjeshtë dhe nuk është hermetike, plus varet edhe nga individët aty në atë repart që kanë pasur luhatje në performancë. Arsye tjetër ka qenë edhe që ka pasur shumë hyrje-dalje me shumë lojtarë të aktivizuar në këtë repart, ndryshe nga Partizani tradicional shtatlartë dhe i fortë në luftën në ajër. Kjo i mungon dhe ka pësuar gola në goditjet standarde, plus asnjëherë nuk ka qenë i stabilizuar me tre apo katër futbollistë stabël.
A mendoni se Partizani e ka forcën për të dalë nga kjo situatë dhe për të mbrojtur deri në fund vendin e katërt?
Mendimi im personal është me bindje që forca dhe mundësia e këtij grupi është, sepse ka brenda edhe cilësi për të qenë brenda katërshes së parë.
Sa rol luan eksperienca e organikës për të dalë nga kjo situatë?
Natyrisht lojtarët me eksperiencë dhe cilësi janë faktori kyç për të ecur përpara dhe për të dalë nga kjo situatë e vështirë dhe Partizani ka lojtarë të tillë në organikë.
Si e shikoni ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit, sa vendimtare do të ishte një fitore dhe sa do të peshonte një humbje?
Është një ndeshje shumë e rëndësishme për të mbajtur ritmin e “trenit” të objektivit dhe për të pasur sa më larg “dihatjen” e Dinamos, ku një rezultat pozitiv shton ritmin dhe e kundërta pesimizmin.
Ku mendoni se është pika më e fortë e Elbasanit, aty ku duhet të fokusohet edhe më shumë Partizani?
Pika më e fortë e Elbasanit është që si ekip është ofensiv, ku veçoj edhe një lojtar si Lajthia që ka qenë deçiziv ndaj Partizanit. Unë mendoj që një Partizan agresiv në rikuperimet e topit, në fitimet e dyluftimeve në mesfushë dhe duke shfrytëzuar hapësirat e kundërshtarit me lojtarët e shpejtë që ka siç është Skuka, Sidibe apo ndonjë tjetër, do të jetë çelësi për fitore.
Në fund, edhe një koment rreth garës së titullit, a është Vllaznia pretendente kryesore, po për mbijetesën cilat skuadra nuk do t’ia dalin në fund?
Vllaznia ka treguar që me pikët që disponon e ka merituar deri tani vendin e parë, por ka shumë rrugë për të bërë për t’u shpallur kampion, sepse nuk shoh diferenca të mëdha as ndaj Egnatias apo Elbasanit që i ka më afër me pikë. Për skuadrat që do luftojnë për mos rënien direkt do të jenë ato të katërtat që janë në fund të klasifikimit, pra Flamurtari, Bylis, Tirana dhe Vora. Është e vështirë për të bërë parashikime të sakta rreth skuadrave që në fund nuk do t’ia dalin apo atyre që do të mbijetojnë, pasi gara është mjaft e fortë.
EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL













