EKSKLUZIVE/ Dritan Mehmeti: Në tranzicion, por Partizani ka shanse. Dinamo gaboi merkaton në mbrojtje
Kategoria Superiore ka mbërritur më në fund në fazën kur ka interes dhe impakt.
Ka garë për dy vendet e para, por ka akoma më shumë garë për rënien në të Parën. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Dritan Mehmeti ka analizuar ecurinë e skuadrave. Sipas tij, Egnatia ka diçka më shumë se të tjerët, por edhe Partizani e Dinamo janë në lojë për të dy trofetë.
Dritan, si ju duket Superiorja në këtë moment ku kemi mbërritur?
Për katërshen besoj se nuk do të kemi surpriza për shkak të gabimeve që Elbasani ka bërë rrugës. I ka pasur shumë herë shanset që të afrohej dhe të bënte presion nga afër ndaj Partizanit. I ka pasur të gjitha mundësitë për ta kapur vendin e katërt, por nuk ia ka dalë. Sa i përket mbijetesës, mendoj se është luftë shumë e fortë. Nga Elbasani deri te Skënderbeu janë në rrezik. Skuadra që do të menaxhojë rrotacionin dhe aspektin psikologjik, do ta shpëtojë rënien. Ajo që mund të them është se këto skuadra nuk kanë diferenca.
Si ju duket Partizani? Po kalon vështirësi pas janarit…
Partizani po kalon një tranzicion, që erdhi në janar, çka mendoj se nuk ishte koha e duhur. Zgjidhja më e mirë do të ishte që kjo të ndodhte në verë, por kjo varet edhe nga ofertat dhe shifrat që vijnë për lojtarët. Gjithsesi, Partizanin e kam parë në vështirësi në merkato, sepse janari nuk të jep shumë mundësi për të zëvendësuar ata katër lojtarë që u larguan, të cilët unë mendoj se kanë qenë lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar në rolet ku ata luanin. Gjithsesi, unë mendoj se edhe me lojtarët që ka aktualisht Partizani, i ka mundësitë edhe falë formulës. Me dy ndeshje, po t’i menaxhosh mirë, mund të shpallesh kampion. Edhe Partizani e ka mundësinë nëse punon në aspektin psiko-motor dhe arrin ta përballojë si duhet presionin. Partizanin, Dinamon dhe Vllazninë i shoh aty-aty në nivel. Të tria këto skuadra kanë problemet e veta. Problemi është vetëm Egnatia, por duke pasur parasysh formulën, një ndeshje është dhe në futboll në 90 minuta mund t’ia dalësh.
Po Dinamon, si e shihni në shanset për titullin?
Edhe Dinamo i ka aftësitë dhe shanset të barabarta me rivalët. Është një skuadër me elemente shumë cilësorë, por mendoj se do të ishte shumë më e sigurt nëse do të tregonte pak më shumë kujdes në merkaton e verës për të marrë më shumë elemente në qendër të mbrojtjes. Aty Dinamo ka çaluar gjatë gjithë kohës. Dita dhe Aliji e kanë bërë shumë mirë, por janë të adaptuar në atë rol. Është një skuadër që pretendon dhe i ka të gjitha mundësitë, me një president korrekt dhe mendoj se ka të gjithë mundësitë për Kupën apo titullin. Europa me atë grup lojtarësh është minimalja. Nëse do të ishte më e kujdesshme, do të kishte më shumë alternativa dhe tani po vuan dëmtimet.
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













