EKSKLUZIVE/ Dinamo përgatit goditjen e dytë, te blutë pritet mesfushori i Prishtinës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2025 | 21:32

EKSKLUZIVE/ Dinamo përgatit goditjen e dytë, te blutë pritet mesfushori i Prishtinës

Përveç se ka vendosur të mos shesë asnjë futbollist pa u luajtur ndeshjet e Ligës së Konferencës, Dinamo po punon me mjaft intensitet për të përforcuar ekipin me lojtarë të rinj.

islami

Pak ditë më parë njoftuan mbylljen e marrëveshjen me Ysni Ismailin, i ardhur nga klubi i Vorës, teksa së fundmi mësohet se blutë janë pranë transferimit të një tjetër lojtari shumë të talentuar.

Gazeta mëson se bëhet fjalë për Drilon Islamin, i cili në sezonin e fundit ishte pjesë e Prishtinës në Superligën e Kosovës. Madje 24-vjeçari ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te bardheblutë e kryeqytetit. Palët janë në negociata dhe gjithçka duket në rrugë të mbarë.

VLERAT – Islami luan si mesfushor qendre, teksa rol natyral ka pozicionimin para mbrojtjes si numër “6”. Në sezonin e fundit me Prishtinën ai luajti në 25 ndeshje, duke shënuar 1 gol dhe duke dhuruar 2 asiste. Islami pritet të zbarkojë te Dinamo si lojtar me parametra zero, pasi më 30 qershor i skadon kontrata në Kosovë. Ardhja e tij shton akoma më shumë cilësinë dhe forcën tek ekipi i Dajës, teksa me shumë mundësi i hap rrugën edhe shitjes së mundshme të Gudiabit. Vlera e Islamit në merkato është 500 mijë euro sipas “Transfermarkt”, çka tregon për një lojtar të nivelit të lartë për Superioren.

KARRIERA – Ai e ka nisur karrierën te Ferizaj, teksa ka provuar të luajë edhe në Gjilan me Dritën. Prej dy sezonesh ishte pjesë e Prishtinës dhe qe lojtar kryesor i bardhebluve. Gazeta mëson se, përveç Ismailit dhe Islamit, Dinamo ka mbyllur edhe transferimet e dy lojtarëve të tjerë, teksa njëri prej tyre vjen nga një kampionat i fortë si ai i Ligue 2 në Francë. Në ditët në vijim pritet të ketë më shumë të dhëna rreth këtyre operacioneve.

PANORAMASPORT.AL