EKSKLUZIVE/ “Çudi, një gol vlen më shumë se një pikë”, ish-kapiteni Tafili: Vllaznia ka skuadrën më të mirë, merr titullin kampion (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2026 | 20:19

EKSKLUZIVE/ “Çudi, një gol vlen më shumë se një pikë”, ish-kapiteni Tafili: Vllaznia ka skuadrën më të mirë, merr titullin kampion (E PLOTË)

Në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur së fundmi Alsid Tafili. Aktualisht pjesë e Vllaznia futsallë si lojtar dhe trajner, ish-mesfushori kuqeblu ka komentuar shkodranët në Superiore.tafiliIsh-kapiteni i Vllaznisë është ndalur tek ndeshja e fundit ndaj Flamurtarit, duke e cilësuar më shumë si sukses për moralin. Teksa ai ndalet edhe tek “kapriçot” e rregullores përsa i përket verdikteve që mund të jepen në “fi nal 4”. Ndër të tjera Tafili thekson se Vllaznia ka gjitha mundësitë për titullin kampion, por skuadra duhet të rrijë totalisht larg presionit. Ndërsa thekson se 9 herë kampionët e vendit kanë skuadrën më të mirë në Shqipëri dhe se ky është sezoni i duhur për suksesin final.

Tafili, Vllaznia e mbylli me fitore sezonin e rregullt, e vlefshme apo jo?

Besoj se vlen shumë në aspektin moral dhe atë psikologjik të ekipit, pasi skuadra kishte disa ndeshje radhazi që nuk po merrte rezultate pozitive. Tashmë ky sukses duket se rikthen humorin dhe pozitivitetin, por edhe një bonus prej 100 milionë lekësh që mund t’i shërbejnë klubit në të ardhmen. Ajo që më kënaqi më tepër në ndeshjen kundër Flamurtarit ishte aktivizimi i të rinjve dhe protagonizmi i tyre, ku në skenë doli Aris Ara. Që zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe meriton vlerësime, por ndoshta prisja pak më shumë minuta edhe për Kubazin, Tafi lin apo të rinjtë e tjerë aty. Megjithëse edhe Martini ndoshta s’donte të rrezikonte me shumë elementë të rinj në fushën e lojës.

Superliga në 36 javë me verdiketet e duhura?

Them se “haku ka shkuar tek i zoti” për çdo skuadër të Superiores. Në opinionin tim secila skuadër në fundin e kampionatit të rregullt ka marrë atë çfarë ka merituar për shumicën e edicionit dhe atë çfarë kanë shfaqur në fushën e lojë. Për shembull Vllaznia ka kryesuar kampionatin nga minuta e parë e tij dhe e mbylli po ashtu si e para, e në opinionin e përgjithshëm, kuqeblutë e kanë merituar të jenë të parët nga ajo çfarë kanë prodhuar. E njëjta them se vlen edhe për ekipet e tjera, ku ndoshta me ndonjë detaj të vogël ka pasur ndonjë ndryshim në tabelën e klasifi – kimit bazuar nga performanca sezonale.

Ndoshta e padrejtë për Vllazninë që i zhvlerësohet ajo pikë avantazh gjatë edicionit të rregullt?

Shqipëria si shembull i organizimit të kampionatit mori Belgjikën, Austrinë apo Zvicrën. Ku pas përfundimit të sezonit të rregullt, përgjysmohen pikët, por nëse një ekip ka një pikë avantazh, ajo pikë vlen. Që në Superiore nga informacionet zyrtare, nuk vlen dhe më shumë vlen një gol i shënuar në ndeshjet direkte se sa një pikë. Kjo më çudit pak, por besoj se ekipet i kanë pasur të qarta rregullat në momentin që kanë rënë dakord për formulën e kampionatit. Dhe tek Vllaznia s’duhet të ketë ndonjë alibi, por të tregojë veten në fushën e lojës ndaj kundërshtarëve të cilët i ka mposhtur disa herë këtë sezon.

Të duket Vllaznia në “avantazh” ndaj ekipeve të tjera në “Final 4”?

Nuk shoh ekipe shumë të favorizuara apo avantazhuara, por në opinionin tim personal them se Vllaznia ka skuadrën më të mirë në kampionat. Çdo gjë do vendoset në ndeshjen e fundit mes dy ekipeve, Vllaznisë dhe Elbasanit, e po t’i kapim kokë më kokë futbollistët, shkodranët kanë një skuadër më të kompletuar dhe cilësore se verdheblutë.

Këtu mund ta bëjë diferencën ekipi i Martinit, duke nxjerrë në pah aftësitë e futbollistëve që njihen në kampionatin shqiptar. Tashmë është momenti të tregohet gjithçka dhe të luhet në 110% sepse ndoshta edhe 100% nuk mjafton. Pasi edhe kundërshtarët e Vllaznisë do jenë po aq të karikuar sa kuqeblutë. Por, prapë e them, më duket se më shumë se askush tjetër këtë titull e do Vllaznia dhe kjo mund të jetë vendimtare në fund.

Martini tha se pret ndoshta një mbështetje si ekipet e tjera nga politikanë apo drejtues të lartë, si e komenton këtë deklaratë?

Profesor Martini e di mirë që Vllaznia gjatë gjithë historisë ka luftuar e vetme, pa ndonjë mbështetje të madhe nga faktorë të jashtëm që s’kanë edhe aq lidhje me futbollin. Edhe ai në vetvete e di se deri në fund të kampionatit duhet të fi tojë gjithçka me djersë dhe mund në fushën e lojës dhe këto deklarata ndoshta bëhen edhe për të larguar disi presionin. Pavarësisht se gjatë gjithë sezonit, peshën dhe barrën e presionit mbi supe e ka marrë vetë trajneri i Vllaznisë, duke e larguar atë nga futbollistët e kjo duhet vlerësuar.

Po diskutohet se mund të rikthehet Bismark, mund të jetë një “armë” plus?

Nuk e di nëse Bismark do të ishte në gjendje ta ndihmonte ekipin në këto momente. Kjo për shkak të gjendjes së tij fi zike, nuk po them për problemet që është përmendur ku i uroj shëndet të plotë. Por, për ritmin dhe intensitetin e lojës që kanë futbollistët, që them se sulmuesit ganez i mungon momentalisht. Nëse do theksoja një mungesë të madhe për ekipin në këtë periudhë ai do ishte Lirim Kastrati. Shikohet se ritmi i sulmeve ka rënë ndjeshëm që me dëmtimin e tij dhe ky është një “minus” për Vllazninë. Pavarësisht se trajneri tashmë duhet ta gjejë zgjidhjen me futbollistë si Dodaj, Mala apo Murataj, të cilët duhet të jenë mbështetja më e madhe e Balajt në pjesën ofensive të skuadrës.

Një këshillë ndoshta për ekipin në këto momente?

Të rrijë larg çdo presioni, larg çdo deklarate në media apo daljeje të tepërt televizive. Ekipi duhet të ketë vetëm një fokus, fushën e stërvitjes dhe ndeshjen e radhës. Nuk duhet përmendur aspak fjala titull gjatë kësaj periudhe nga ana e klubit. Pastaj tifozët normalisht kanë euforinë dhe dëshirën për kampion, ashtu si çdo kush në Shkodër. Por, ekipi duhet të ketë qetësinë e duhur për të menaxhuar situatën dhe pikën në të cilën ndodhet aktualisht kampionati.

E besoni se ky është sezoni i duhur për të rikthyer titullin në Shkodër?

Patjetër që e besoj, jo vetëm si shkodran apo ish-futbollist i Vllaznisë, por nga vetë fakti si është ndërtuar ekipi këtë sezon. Janë afruar futbollistë ekspertë e me eksperiencë për të garantuar suksesin. Po ashtu e thashë që Vllaznia ka ekipin më të mirë në kampionat e tashmë mund të themi se janë plotësuar kushtet dhe ka ardhur momenti i duhur që Shkodra të gëzojë një titull kampion pas kaq shumë vitesh.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL