EKSKLUZIVE/ Bylykbashi kujton me nostalgji periudhën te dy skuadrat: Elbasani kampion, Partizani merr trofeun e Kupës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2026 | 21:53

EKSKLUZIVE/ Bylykbashi kujton me nostalgji periudhën te dy skuadrat: Elbasani kampion, Partizani merr trofeun e Kupës (E PLOTË)

Një nga ndeshjet më kryesore të javës së 22-të në Kategorinë Superiore, është ajo mes Partizanit dhe Elbasanit që luhet këtë të shtunë në Arenën e Demave, duke nisur nga ora 16:30.

Dorian Bylykbashi kur ishte pjesë e Partizanit

Dorian Bylykbashi kur
ishte pjesë e Partizanit

Në lidhje me këtë përballje, në një intervistë për Panorama Sport, foli një ish-lojtar i të dyja ekipeve, Dorian Bylykbashi. Ish-fantazisti, theksoi se ëndërron që në këtë sezon Elbasani, qyteti i vendlindjes së tij, të fitoi Kategorinë Superiore, ndërsa nga ana tjetër, Partizani ku kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës, të fitojë Kupën e Shqipërisë.

Ndër të tjera, Bylykbashi vlerësoi punën e trajnerit Ivan Gvozdenovic te Elbasani ndërsa shtoi se Partizani duhet të nisë të mendojë edhe për sezonin e ardhshëm në mënyrë që drejtuesit të kenë kohën e duhur për të planifikuar lëvizjet e duhura dhe kështu skuadra të rikthehet sërish kompetitive për titullin kampion.

Si e shikoni Partizanin në këtë sezon?

Partizani në këtë sezon nuk e shoh aty ku duhet, është një skuadër që ka pasur shumë luhatje në rezultate. Do ta ketë paksa të vështirë për të arritur në “Final Four” sepse edhe skuadrat që ka përpara në klasifikim kanë bërë shumë mirë në këtë sezon dhe janë të shkëputura me pikë. Megjithatë, pikët aty janë dhe matematika e lejon të shpresojë, duhet të bëjë maksimumin që në fund fare për të gëzuar edhe tifozerinë e saj, të arrijë dhe të renditet mes katër më të mirave.

Cila është arsyeja që Partizani vuan mugesën e rezultateve pozitive dhe që ka shumë luhatje?

Pastaj për sa i takon vazhdimësisë së rezultateve, ndryshimi i shpeshtë i trajnerëve nuk i bën mirë ekipit, edhe merkato nuk ishte në lartësinë e duhur, për të mos harruar këtu edhe dëmtimet që po ashtu kanë ndikimin e tyre në ecurinë e ekipit. Dhe për më tepër kur Egnatia, Vllaznia, Dinamo dhe Elbasani janë përforcuar shumë në këtë sezon. Egnatia i ka zëvendësuar në mënyrën e duhur lojtarët që i janë larguar, Elbasani po ashtu ka transferuar lojtarë shumë cilësorë, pa harruar Vllazninë. Kështu, duke parë kundërshtarët dhe problemet e Partizanit, kjo më pas u reflektua në fushë duke bërë që Partizani të mos ishte shumë kompetitive.

Çfarë i mungon Partizanit për të nisur një cikël fitues?

Këtë më mirë se të gjithë e dinë drejtuesit dhe stafi teknik i Partizanit sepse mendoj se buxheti nuk mungon për të pasur një ekip dhe lojtarë cilësor që bëjnë diferencën. Mendoj që pak nga pak te Partizani duhet të nisin të mendojnë edhe për sezonin e ardhshëm në mënyrë që vitin tjetër të rikthehen pretendentë.

Këtë të shtunë luhet Partizani-Elbasani, ke luajtur me të dyja skuadra, cilat janë ndjesitë tuaja?

Partizani-Elbasani besoj se do të jetë kryendeshja e kësaj jave në Kategorinë Superiore. Kam luajtur me të dyja ekipet, por që janë shumë të ndryshëm sepse periudhat kanë qenë të ndryshme. Kujtime të bukura kam nga koha ime në të dyja skuadrat, shpresoj të zhvillohet një ndeshje e bukur dhe me raste, e që sigurisht në fund fare të fitoj ekipi më i mirë

Këto dy skuadra përballen edhe në Kupë në fazën çerekfinale, kush mendon se do të kualifikohet?

Ndeshjet në Kupë kanë një specifikë tjetër dhe janë shumë pak ndeshje gjatë një sezoni. Triumfi në Kupën e Shqipërisë të ndihmon edhe për t’u kualifikuar në Kupat e Europës dhe nëse do të dinit mendimin tim të sinqertë atëherë iu them se do të dëshiroja që Elbasani të dalë kampion dhe që Partizani të fitojë Kupën për të shkuar në Europë.

Si ju duket kampionati në këtë sezon, po zhvillohet një garë e fortë në krye dhe në fund të tabelës…

E vërtetë, është një garë shumë e fortë si për kreun ashtu edhe për mbijetesën. Besoj që katër ekipet e para do të luftojnë deri në fund për të ruajtur pozicionin dhe për të prekur “Final four” e për të luftuar më pas për titullin kampion dhe për pjesën e poshtme, ashtu siç e thotë edhe tabela e klasifikimit, Tirana, Flamurtari e Bylis duken më të rrezikuara se pjesa tjetër. Por, kampionati është shumë i gjatë dhe Tirana ka bërë disa përforcime shumë të mira dhe duhet të presim fundin për të parë se si do të shkojë.

Cila është skuadra më e kompletuar për të fituar kampionatin?

Nuk mund të them një skuadër që është më e kompletuar se tjetra, sepse triumfi në kampionat varet nga shumë komponentë dhe është edhe pak çështje fati. Por, do të thoja që këto ekipe që janë aktualisht në katërshe dhe që janë skuadra më të mira në krahasim me të tjerat, do të jenë deri në fund për të luftuar. Egnatia ka dalë dy herë kampion, Vllaznia me përforcimet e saj, Dinamo që është gjithmonë aty. Pastaj aty është edhe skuadra e zemrës, Elbasani. Shumë përforcime në këtë vit, ka bërë goxha mirë këtë sezon dhe shpresoj që këtë ecuri ta vazhdojë deri në fundin e kampionatit. E them me gjithë shpirt, ndoshta ka ardhur edhe momenti që Elbasani të dalë kampion sepse janë bërë gati 20 vite dhe uroj shumë që ta fitojnë kampionatin.

Ivan Gvozdenovic duket se ka gjetur “çelësin” dhe po e bën Elbasanin të funksionojë. Si ju duket skuadra në drejtimin e tij?

Sigurisht, një meritë e madhe shkon edhe për trajnerin Ivan Gvozdenovic. Është duke zhvilluar një sezon shumë pozitiv dhe kjo falë e një pune të shkëlqyer me skuadrën. Ka ditur t’i japë ekipit një identitet duke marrë rezultate pozitive dhe këtë sezon ka një shans të artë për t’u shpallur kampion.

Në fund një mesazh për tifozët e Elbasanit që e mbështesin skuadrën e tyre pavarësisht nëse bëhet fjalë për transfertë ose ndeshje shtëpiake…

Shpresoj shumë që skuadra ta fitojë kampionatin sepse kjo do të ishte edhe dhurata më e mrekullueshme për të gjithë tifozerinë e Elbasanit dhe në veçanti për “Tigrat Verdheblu”. E kanë mbështetur masivisht skuadrën në këtë sezon dhe e meritojnë që të gëzojnë në fundin e sezonit. Siç e thashë edhe më lart, ka kaluar shumë kohë nga hera e fundit kur skuadra ishte në këto pozita duke luftuar për titullin dhe kjo e shton edhe më shumë entuziazmin. Janë nga tifozeritë më të veçanta të kampionatit dhe meritojnë të kenë arsye për një festë madhështore në fundin e sezonit. Një përshëndetje e veçantë shkon për të gjithë tifozët e Elbasanit.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL