Egnatia në provë force, vetëm fitorja rikthen stabilitetin. Kampionët besojnë te transfertat në Superiore
Ekipi i Egnatias do të zbresë sërish në kryeqytet, këtë herë për t’u përballur me Dinamon, në një ndeshje që pritet të jetë vendimtare për moralin dhe vazhdimësinë e sezonit të rrogozhinasve.
Në një moment kur shanset për vendin e parë janë thuajse zero, sfida e radhës shihet si mundësia ideale për të rikthyer besimin dhe për të mbajtur gjallë shpresat, sado të vogla, për titullin kampion në fazën “Final 4”. Në përgjithësi, transfertat kanë qenë një nga armët më të forta të Egnatias këtë sezon. Skuadra ka treguar personalitet jashtë fushe, duke marrë rezultate pozitive edhe në terrene të vështira.
Megjithatë, javët e fundit kanë sjellë disa hapa falsë që kanë ndikuar drejtpërdrejt në renditje dhe në ecurinë e përgjithshme të ekipit. Pikërisht për këtë arsye, përballja me Dinamon merr një rëndësi të veçantë, pasi një fitore do të shërbente jo vetëm për pikët, por edhe për rikthimin e stabilitetit psikologjik. Pavarësisht formës së luhatshme, te Egnatia ekziston bindja se skuadra ka cilësitë e duhura për të reaguar.
Grupi mbetet i konsoliduar dhe i ndërgjegjshëm për rëndësinë e këtij momenti të sezonit. Ndaj Dinamos nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi edhe kryeqytetasit kërkojnë rezultat dhe janë një kundërshtar që di të shfrytëzojë çdo gabim. Megjithatë, rrogozhinasit shpresojnë të imponojnë lojën e tyre dhe të rikthehen te fitorja.
NDESHJET NË KRYEQYTET – Një element që bie qartë në sy këtë sezon është balanca e Egnatias në përballjet ndaj skuadrave të kryeqytetit. Në pesë ndeshjet e zhvilluara në Tiranë, rrogozhinasit kanë ditur të tregohen konkurrues, duke marrë dy fitore, një barazim dhe duke pësuar dy humbje. Ecuria ka qenë e luhatshme, por njëkohësisht tregon se skuadra ka pasur potencialin për të marrë pikë në çdo fushë. Fillimisht, Egnatia arriti të marrë një barazim pa gola ndaj Partizanit, për të vijuar më pas me një fitore të rëndësishme minimale përballë Tiranës. Një tjetër sukses i vlefshëm erdhi ndaj Dinamos, duke konfirmuar forcën e skuadrës në transfertë.
Megjithatë, jo gjithçka ka qenë pozitive. Humbja ndaj Partizanit dhe ajo përballë Tiranës tregojnë se skuadra ka pasur edhe momente të vështira, ku nuk ka arritur të ruajë të njëjtin nivel performance. Kjo luhatje rezultatesh është një nga arsyet pse Egnatia nuk ka mundur të mbetet në garë të plotë për vendin e parë. Gjithsesi, fakti që skuadra ka arritur të fitojë dhe të marrë pikë në disa prej këtyre përballjeve në kryeqytet, mbetet një sinjal pozitiv. Përballja e radhës ndaj Dinamos është një tjetër mundësi për të treguar se Egnatia di të reagojë dhe se transfertat vazhdojnë të jenë një pikë e fortë e saj, pavarësisht luhatjeve të fundit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













