Edison Kola, dilema e madhe e mbrojtjes. Si pritet të rreshtohet Tirana në derbi
Tri ndeshje në shtëpi, që mund të mos luhen në kryeqytet dhe me Tiranën shtegtuese, por që duhet të fitojë me doemos ndaj Dinamos, Laçit dhe Vllaznisë.
Këto tri sfida, janë vendimtare për bardheblutë, të cilët, finalen e parë luajnë ndaj bluve në Elbasan. Tej të gjithave, Shkëmbi po punon shumë që të bëjë gati ndeshjen me Dinamon dhe t’i bëjë një surprizë ish-trajnerit të tij, Ilir Daja.
FORMACIONI – Skuadra do të presë deri në sekondën e fundit, gjendjen e mbrojtësit Kola. Dëmtimi në kavilje duket i kaluar, por për siguri do të pritet deri në nxehjen e ndeshjes të ditës së diel. Futbollisti, dje është stërvitur pak, ndërsa më shumë do të shihet gjatë seancës së fundit që zhvillohet ditën e shtunë. Shkëmbi do të hedhë në fushën e lojës pothuajse të njëjtin formacion si në Durrës.
Në portë luan Selmani. Më pas Meta, Dembele, Kola ose Marku e Përgjoni. Mesfusha do të “pikturohet” me katërshen Vera, Soler, Rafael dhe Ndreca. Në repartin e avancuar do të jetë “artileria” e rëndë Ernest-Zharmuni. Skuadra, veç të dëmtuarve Ismajli, Mihana dhe Haxhiu që ka nisur vrapimet, do të ketë në dispozicion të gjithë kontingjentin tjetër.
Tre janë lojtarët që rrezikojnë për çështje kartonësh tek Tirana. Ata janë Selmani, Prengaj dhe Meta, të cilët, nëse ndëshkohen në sfidën me Dinamon, humbasin takimin e parë të fazës së katërt me Laçin.
PANORAMASPORT.AL













