Dinamo do “Final 4”, por çalon në duelet direkte. Europa në rrezik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2026 | 16:52

Dinamo do “Final 4”, por çalon në duelet direkte. Europa në rrezik

Dinamo e këtij sezoni ka shfaqur oshila cione të shumta në kampionat dhe në përballjet me rivalët direktë, të besuarit e Dajës nuk kanë arritur të bëjnë më të mirë, duke zhgënjyer. I vetmi rival ndaj të cilit ka një bilanc pozitiv, është Partizani ndërsa me 3 skuadrat e tjera, Dinamo nuk ka arritur të marrë maksimumin, madje ka çaluar.

dinamo

VLLAZNIA- Përballjet mes Dinamos dhe Vllaznisë këtë sezon kanë qenë ndër më të balancuarat e Superiores, duke reflektuar një rivalitet ku asnjëra skuadër nuk ka arritur të marrë kontroll të plotë. Në katër ndeshjet e zhvilluara mes tyre në kampionat, historia ka qenë e ndarë në episode të ndryshme, ku çdo fazë e sezonit ka prodhuar një dinamikë tjetër. Në fazën e parë, Dinamo ka arritur të japë sinjale të forta se mund të rivalizojë seriozisht Vllazninë, duke marrë një fitore të rëndësishme me performancë bindëse 3-1. Ishte një ndeshje ku skuadra kryeqytetase tregoi ritëm të lartë, efikasitet në sulm dhe kontroll të mirë të lojës, duke krijuar idenë se mund të ishte superiore në këtë sezon. Megjithatë, Vllaznia reagoi në mënyrën tipike të skuadrave pretendente, pa u demoralizuar nga një rezultat negativ. Në ndeshjet pasuese, shkodranët arritën të stabilizojnë situatën, duke mos lejuar Dinamon të ndërtojë seri rezultatesh pozitive. Në fazat e dyta dhe të treta të kampionatit, diferenca mes tyre nuk u thellua, por u konsolidua në aspektin e stabilitetit. Vllaznia arriti të fitojë minimalisht në Shkodër me rezultatin 1-0 dhe në fazën e tretë, mori avantazhin e ndeshjeve direkte duke fituar me rezultatin 0-2 në Tiranë ndaj Dinamos. Dinamo ka treguar se mund të fitojë dhe të dominojë në ndeshje të caktuara, ndërsa Vllaznia ka qenë më e qëndrueshme dhe në fazën e katërt, skuadrat u mjaftuan me një barazim pa gola.

EGNATIA- Përballjet mes Dinamos dhe Egnatias këtë sezon nuk kanë qenë më të mirat e mundshme për të besuarit e trajnerit Daja. Në ndeshjet direkte mes tyre, Dinamo nuk ka arritur të marrë epërsinë në asnjë moment. Edhe kur ka pasur lojë të mirë apo ndeshje të ekuilibruara, rezultati final ka qenë pothuajse gjithmonë në favor të Egnatias ose i pamjaftueshëm për Dinamon për të marrë pikë të plota. Në ndeshjen e parë të sezonit mes tyre, dy skuadrat nuk arritën të merrnin më shumë se nga një pikë, në një barazim të vakët 0-0 ku skuadrat u mjaftuan me rastet që kishin. Në përballjen e dytë, Egnatia diti të marrë më të mirën duke fituar me rezultatin e ngushtë 1-2 në kryeqytet, ndërkohë që thuajse e njëjta panoramë u pa edhe në fazën e tretë. Dinamo ka arritur të bindë, të krijojë volum loje por u mund sërish me rezultatin e ngushtë 1-0. Në fazën e katërt, dy skuadrat do të tentojnë më të mirën por për Dinamon është një sfidë ku fitorja është rezultati i vetëm pasi aktualisht, skuadra ndodhet jashtë “Final 4” dhe duhet të blindojë vendin.

ELBASANI- Përballjet mes Dinamos dhe Elbasanit këtë sezon kanë qenë ndër më të paqëndrueshmet e kampionatit, me rezultate që kanë ndryshuar ndjeshëm nga një fazë në tjetrën. Në fazën e parë, Elbasani ka qenë më i organizuar, duke arritur të marrë rezultat pozitiv ndaj Dinamos në një ndeshje ku kryeqytetasit pavarësisht se bindën, nuk arritën të merrnin më të mirën duke sjellë edhe shumë polemika për gjykimin. Në fazën e dytë, përballja ishte më e balancuar, me ndeshje ku asnjëra skuadër nuk arriti të krijojë dominim të plotë. Dinamo përmirësoi lojën, por sërish i mungoi “goditja finale” për të marrë kontrollin e serisë dhe dy skuadrat e mbyllën në një barazim 1-1. Në fazën e tretë, Elbasani tregoi dhëmbët në përballjen me Dinamon, duke e mundur bindshëm në Elbasan me rezultatin e pastër 2-0. Kthesa e vërtetë erdhi në fazën e katërt të kampionatit, ku Dinamo arriti më në fund të marrë një fitore ndaj Elbasanit. Ishte një ndeshje ku Dinamo tregoi më shumë vendosmëri, më shumë agresivitet në sulm dhe më shumë kontroll në momente kyçe, duke e mbyllur me sukses një duel që për tre faza kishte mbetur i hapur. Fitorja 4-1 në “Air Albania”, dha sinjale se Dinamo do të bëjë diçka më shumë se në fazën e tretë, për të tentuar garën për titull deri në fund. Megjithatë, Elbasani kishte arritur të marrë pikë më herët në sezon dhe kishte ndërtuar një avantazh që Dinamo nuk e përmbysi dot plotësisht në totalin e serisë, teksa edhe në klasifikimin e përgjithshëm, Elbasani ka forcuar edhe më shumë pozitat në klasifikim.

PARTIZANI- Përballjet mes Dinamos dhe Partizanit këtë sezon në Superiore kanë pasur një histori të veçantë duke qenë se është e vetmja përballje nga “Final 4”, në të cilën Dinamo ka epërsi por sërish renditet poshtë tyre. Në fazën e parë të kampionatit, Dinamo ka dhënë sinjalin e parë të fortë në këtë përballje, duke arritur të marrë një fitore që vendosi tonin e rivalitetit. Ishte një ndeshje ku Dinamo u tregua më e organizuar dhe më konkrete në momentet vendimtare, ndërsa Partizani nuk arriti të shfrytëzojë rastet e veta. Në fazën e dytë, historia e derbit u konfirmua në mënyrë edhe më të qartë, kur Dinamo arriti një tjetër fitore ndaj Partizanit në transfertë. Në fazën e tretë, Partizani konfirmoi momentin e mirë që po kalonte në kampionat dhe për herë të parë këtë sezon, arriti të fitonte me rezultatin e pastër 0-2 në Tiranë, për t’i marrë edhe vendin në “Final 4”. Ndeshja e fazës së katërt, do të luhet javën e fundit të kampionatit dhe për mënyrën si po shkon kampionati, me shumë gjasa do të jetë një ndeshje që do të vendosë edhe përfundimisht skuadrën e vendit të katërt.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL