Alarm në mbrojtje për Tiranën, sa do të qëndrojë jashtë fushave kapiteni bardheblu
Problemet për bardheblutë shtohen që në startin e kampionatit. Mbrojtësi francez Mahamadu Dembele u detyrua të linte fushën i dëmtuar gjatë sfidës së javës së parë ndaj Bylisit.

Pas ekzaminimeve të para, diagnoza është një tërheqje muskulore që pritet ta mbajë jashtë fushave për rreth një muaj. Ky është një lajm i keq për trajnerin Vangjel Mile, i cili tashmë ka humbur një nga shtyllat kryesore të prapavijës. Dembele mungoi automatikisht edhe në ndeshjen e javës së dytë dhe, për më tepër, i shtohet listës së të dëmtuarve ku ndodhen edhe Kola dhe Meta. Praktikisht, Tirana ndodhet pa asnjë mbrojtës qendre të natyrës së parë.
ZGJIDHJET E IMPROVIZUARA Në këtë situatë, stafi teknik është i detyruar të bëjë improvizime. Emrat që shihen si alternativë janë Lleshi dhe Marku, të cilët do të duhet të sakrifikojnë duke luajtur në një rol jo natyral për ta. Ky është një risk i madh, pasi mungesa e specialistëve në qendër të mbrojtjes mund të lërë hapësira për kundërshtarët, sidomos në përballjet e forta që Tirana ka përpara. Dëmtimi i Dembelesë nuk është thjesht një problem numerik, por prek ekuilibrin e gjithë skuadrës.
Francezi është lojtar me eksperiencë, i fortë në duele ajrore dhe me personalitet në drejtimin e linjës së pasme. Pa të, Tirana humbet lidershipin dhe sigurinë në mbrojtje. Nga ana tjetër, kjo krizë mund të shërbejë edhe si test për trajnerin Mile, i cili duhet të tregojë fleksibilitet dhe aftësi menaxhimi. Vendimet e tij për të mbajtur skuadrën të balancuar në këtë fazë do të jenë vendimtare për ecurinë në kampionat.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













