Edgar Çani pritet të jetë shqiptari i katërt te skuadra e Lacios. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane (“positano news.it”), sipas të cilave, sulmuesi i Kombëtares shqiptare është në bisedime me presidentin e këtij klubi, Klaudio Lotito. Në fakt, ky i fundit kërkon që shqiptari të luajë për Salernitanën, skuadra e dytë në pronësi të Lotitos, e cila militon në Kategorinë e Tretë në Itali, por Çani deri tani ka refuzuar. Shkak sipas mediave është fakti se sulmuesi nuk dëshiron që të luajë në një kategori të ulët, nga ku më pas do të humbasë edhe mundësinë për t’u grumbulluar në Kombëtaren shqiptare (në fakt De Biazi nuk e ka thirrur në Kombëtare edhe pse Çani ka luajtur në Serinë B, kjo për shkak të rendimentit të dobët që ka pasur). “Drejtori sportiv i Salernitanës (aktualisht klubi quhej vetëm Salerno), Fabiani, ka në mendje edhe një sulmues. Dalëngadalë, por gjithsesi në mënyrë mjaft domethënëse, po lëvizet drejt afrimit përfundimtar të Edgar Çanit. Katania, klub i cili ka në pronësi kartonin e lojtarit, ka bërë të ditur nëpërmjet drejtuesve të vet se nuk do të pengojë një tratativë të tillë, kjo edhe falë ndërhyrjes në këtë mes të Lacios. Drejtuesit e klubit çelest kanë menduar që t’i ofrojnë një kontratë dhe më pas ta kalojnë në formë huazimi te Salernitana”, thuhej dje në median italiane. Sakaq, duhet thënë se kalimi te Lacio, ndonëse do ishte një lëvizje morale, do të rriste gjithsesi kuotat e Çanit, pasi lojtari më së paku do të nënshkruante për një skuadër të Serisë A dhe kësisoj do kishte një rrogë shumë më të mirë. Së dyti, gjithsesi ai do kishte një mundësi reale për të qenë pjesë e elitës së futbollit italian, në rast të një shpërthimi të mundshëm gjatë këtij edicioni te Salernitana. Për momentin bisedimet nuk kanë përfunduar ende dhe lojtari po pret edhe reagimin e klubeve të tjera të Serisë B, si Peruxhia apo edhe Peskara, të cilat kanë shfaqur interes për shërbimet e tij. Në rast të një oferte të mirë, Çani nuk do refuzonte t’u bashkëngjitej njërës prej skuadrave, gjithnjë nëse nuk realizohet prapaskena për te Lacio.
Atalanta kalon Xhenoan në garën për Valdet Ramën
Atalanta parakalon Xhenoan në garën për të marrë shërbimet e Valdet Ramës. Lajmi bëhet i ditur nga media italiane (tuttomercatoweb), sipas së cilës drejtuesit e këtij klubi kanë kontaktuar menaxherin dhe njëkohësisht një nga avokatët më të njohur në Itali, Federiko Fernin, i cili mbron interesat e mesfushorit kuqezi. “Atalanta është në avantazh sa i përket Valdet Ramës. Por zikaltrit duhet më së pari të ‘lehtësojnë’ sadopak organikën, duke larguar dy-tre lojtarë. Kështu, Brienza është me valixhe në dorë, ashtu sikundër edhe Bonaventura. Për këtë të fundit në garë është Fiorentina, por drejtuesit e këtij klubi kanë ndalur sadopak ofensivën në pritje të zhvillimeve të bisedimeve me Çelsin e Londrës për gjermanin Marin. Ndërkohë, nuk duhet harruar që në gatishmëri të plotë për Ramën është Xhenoa”, thuhet në shkrimin e djeshëm. Valdet Rama prishi kontratën e tij me Vajadolidin më 14 korrik dhe u largua nga kjo skuadër. Vajadolidi ra edicionin e fundit nga kategoria dhe afrimi i trajnerit të ri solli largimin e disa lojtarëve, ku mes tyre ishte edhe Rama. Duke qenë një lojtar i lirë, ai është vënë në qendër të vëmendjes të disa klubeve, ndër të cilat edhe Xhenoa, Sasuolo dhe Atalanta. Duke qenë një lojtar që zotëron edhe pasaportë gjermane, pra është komunitar, ky fakt u mundëson skuadrave italiane që të kursejnë vendin e ekstrakomunitarit për ndonjë lojtar tjetër, ndërkohë fakti tjetër që Rama është pa kontratë, i bën këto klube që të kursejnë shumë parà nga 1 milion euroshi që aktualisht vlerësohet kartoni i tij.
LEONARD KARAJ













