“Zhduket” Luçiano Moxhi, nuk shfaqet te Partizani prej 50 ditësh. Problem mbetet kontrata…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2018 | 9:25

“Zhduket” Luçiano Moxhi, nuk shfaqet te Partizani prej 50 ditësh. Problem mbetet kontrata…

Pas dështimit të projek tit të ngritur prej tij në pjesën e parë të sezonit me Mark Iulianon në krye të skuadrës, Luçiano Moxhi është drejt largimit përfundimtar nga klubi i Partizanit.

Demi Moxhi dhe Juliano

Italiani i njohur në botën e futbollit u afrua me shumë bujë, zyrtarisht si këshilltar i presidentit Demi dhe ndërtoi një skuadër, që ishte shumë larg pritshmërive.

Megjithatë, Demi e konfirmoi në klub dhe ai u shfaq sërish edhe pas rifillimit të kampionatit në muajin janar në kampin e kuq.

moxhi demi brace

Në fakt, shfaqja e tij e fundit te Partizani ishte në datën 14 shkurt, ditën kur Partizani u eliminua nga Kupa e Shqipërisë, edhe pse fitoi ndaj Flamurtarit në “Selman Stërmasi”, në shifrat 2-1.

Madje, pas ndeshjes foli edhe për mediat duke komentuar një deklaratë të dhënë nga ish-trajneri Iuliano, që akuzonte se në Shqipëri presidentët dhe lojtarët vinin baste.

Moxhi

Burime pranë klubit të kuq bëjnë me dije se Moxhi, prej 50 ditësh, nuk ka pasur më asnjë ndikim te skuadra e Partizanit dhe të gjitha kompetencat e ekipit i kanë kaluar drejtorit të përgjithshëm, Olsi Rama.

“De facto” ai është i larguar nga të kuqtë, por që divorci të bëhet edhe zyrtar, duhet më parë që klubi të zgjidhë kontratën me të. Të njëjtat burime konfirmojnë se mes Moxhit dhe Partizanit ka një kontratë të majme, prej 20 mijë eurosh në muaj, në formën e konsulencës.

moxhi demi

Është pikërisht kjo gjë që mban ende peng drejtuesit për të zgjidhur edhe zyrtarisht marrëdhënien me italianin, që kohët e fundit ka qenë mjaft aktiv në mediat e vendit të tij, duke folur për skuadrat e Serisë A dhe në asnjë moment për Partizanin, ku në fakt vazhdon të jetë i punësuar.

Me përfundimin e sezonit muajin e ardhshëm, drejtues të klubit pritet të kenë një bisedë me Moxhin, për të zgjidhur edhe detyrimet kontraktuale mes njëri-tjetrit, në mënyrë që klubi i kuq të ketë sa më pak dëme financiare.

moxhi demi

Presidenti Demi, por edhe vetë Moxhi, kanë deklaruar se kanë një kontratë xhentëlmenësh dhe në kuadër të marrëdhënies së mirë që kanë pasur, zgjidhja mund të jetë më e lehtë.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"