“Zhduken” paratë për Dibalën, Interi peng i të padëshiruarve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 19:57

“Zhduken” paratë për Dibalën, Interi peng i të padëshiruarve

Kur na ndajnë vetëm tri ditë nga nisja zyrtare e merkatos së verës, është Interi një nga klubet më aktive në Itali edhe Europë. Zikaltrit kanë punuar në shumë operacione gjatë qershorit, por ai që dukej më i thjeshti për t’u realizuar, po rezulton të jetë ndër më të komplikuarit. Bëhet fjalë për Paulo Dibalën, skadenca e kontratës së të cilit me Juventusin, ia lehtësonte punën klubit milanez që duhet të gjente akordin vetëm me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij.

dibala

Pas propozimeve fillestare, zikaltrit ndryshuan ofertën në 5 milionë euro bazë plus 1 milion euro shpërblim në varësi të numrit të ndeshjeve, por pavarësisht kësaj problemi kryesor për të sjellë argjentinasin në Milano është organika aktuale, që ka detyruar Marotën të kapërdijë premtimin e bërë se vendi dhe paratë për të nuk do të vononin.

MBIPOPULLIMI

Reparti ofensiv është i mbipopulluar, sidomos pas rikthimit të Lukakut. Lautaro është i vetmi i paprekshëm nga aktualët, kurse Xheko, Korrea e Sançez nuk e kanë të sigurt të ardhmen e tyre. Kiliani që ëndërron ende rikthimin te Barcelona ka refuzuar Vijarealin dhe po i bëhet tashmë pengesë Interit në planet e tij për merkaton, edhe pse ekziston klauzola falë së cilës klubi mund ta ndërpresë kontratën qysh këtë vit, por duke i paguar 4 milionë euro 33-vjeçarit.

FINANCAT

Por vetëm largimi i Sançezit nuk do të mjaftonte, jo vetëm sepse 5 sulmues konsiderohen shumë nga Inzagi, por edhe për sa u përket financave të zikaltërve. Xheko përfiton 5 milionë euro në sezon, Lautaro 6 milionë e Korrea 3.5 milionë, ndërsa kontrata e Lukakut pritet të shkojë deri në 8 milionë, shifra këto që nëse u shtohet edhe paga e Dibalës do të bëheshin të papërballueshme për një klub që një nga qëllimet kryesore të tij ka reduktimin e rrogave. Thënë këtë, zikaltrit nuk po marrin lajme të këqija vetëm nga sulmi, aty ku nuk po largohet askush për t’i lënë vendin Dibalës ose për të lehtësuar arkat, por edhe nga të tjera reparte.

Arturo Vidal vazhdon të hezitojë për të zgjedhur një tjetër skuadër dhe ai duke përfituar nga klauzola e njëjtë si e Sançezit, ka në plan të presë për të mos u larguar me xhepat bosh. Në një situatë të tillë, as shitja e Shkriniarit për 70 milionë eurot e pretenduara nuk mund ta shpëtojë Interin dhe Dibalën, me këtë të fundit që po shikon paratë dhe vendin që i ishin premtuar t’i zhduken para syve duke sjellë nervozizëm për 28-vjeçarin, statusi i të cilit nga 1 korriku do të jetë “pa skuadër”.

NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"