Zenuni: Mes Italisë dhe Shqipërisë nuk e di kë do zgjidhja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2016 | 15:27

Zenuni: Mes Italisë dhe Shqipërisë nuk e di kë do zgjidhja

Federiko Zenuni cilësohet si një ndër të rinjtë më premtues në futbollin italian. 19-vjeçari vlerësohet për teknikën e lartë dhe për aftësinë për të luajtur qoftë si mesfushor qendre e krahu, qoftë si sulmues i dytë.

Lojtari është produkt i akademisë së Torinos, ku u rrit për 13 vjet. Suksesin më të madh ai e arriti në sezonin 2014-2015, kur u shpall kampion me ekipin e të rinjve (Primavera) pasi mposhti Lacion me penallti.

Zenuni Torino kampion

Këtë sezon ai luan në huazim te Tutokuoio në ligën e tretë italiane (Lega Pro), ku në tetë ndeshjet e para ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist.

Në një rrëfim për mediat italiane, djaloshi i lindur në Torino rrëfen për rrugëtimin e tij. “I detyrohem shumë familjes sime. Prindërit vendosën të largoheshin nga Shqipëria për një jetë më të mirë larg diktaturës. Edhe im vëlla, i cili është 25 vjeç, ka luajtur futboll, por nuk mundi ta vazhdonte për shkak të pengesave me dokumentet ngaqë kishte lindur në Shqipëri. Së shpejti ai do të diplomohet në inxhinieri energjetike”, thotë Zenuni.

Federiko Zenuni Tuttokuoio

Edhe pse ka lindur në Itali, mesfushori ka përqafuar ngjyrat kuqezi. Ai ka luajtur katër ndeshje me Shqipërinë U-17 dhe pesë me atë U-19, me të cilën ka shënuar edhe dy gola.

“Në fakt, e nisa me përfaqësuesen U-15 të Italisë. Mandej pësova një dëmtim të rëndë në ijë që më mbajti larg fushave për disa muaj, dhe kështu e humba atë tren. Kur m’u dha mundësia të bëhesha pjesë e Shqipërisë U-17 nuk hezitova aspak”, shprehet 19-vjeçari.

Federiko Zenuni Shqiperia U-17

I pyetur për të ardhmen, Zenuni dha këtë përgjigje: “Unë ndjehem sa italian aq edhe shqiptar. Jam lindur e rritur këtu, në Torino kam mësuar të luaj futboll. Por familja ime është shqiptare dhe duke ditur që im atë do të ishte krenar nëse një ditë do të luaja me Kombëtaren e madhe, është një stimul i madh për mua.

Di që De Biazi dhe Tramexani interesohen për mua dhe për lojtarë të tjerë me të ardhme, por unë duhet të mendoj vetëm që të eci sa më mirë. Në të ardhmen nuk përjashtoj asgjë; nëse do të më duhej të zgjidhja mes Kombëtares së Italisë dhe asaj të Shqipërisë, do të vendosja me qetësi”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"