EKSKLUZIVE/ “Besoj te Vllaznia kundër Skënderbeut”, Mici: Kemi gabuar shumë, por në “Final 4” ka Tiranë tjetër (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2024 | 22:58

EKSKLUZIVE/ “Besoj te Vllaznia kundër Skënderbeut”, Mici: Kemi gabuar shumë, por në “Final 4” ka Tiranë tjetër (E PLOTË)

Gledi Mici është xholi i Tiranës në këtë fund kampionati. I paaktivizuar shumë, me Erbim Fagun, Mici ka treguar se është lojtar klasi dhe lider. trajneri e ka vënë si qendërmbrojtës dhe Mici nuk e ka zhgënjyer.mici

Mbrojtësi i shumë titulluar për “Panorama Sport” pranoi se skuadra e tij tani nuk ka asnjë mundësi tjetër veç fitores. Mici i kërkon Vllaznisë që të jetë e drejtë dhe të luajë ashtu siç bëri edhe ndaj Tiranës. Mici analizoi edhe gabimet që kanë bërë bardheblutë gjatë 35 javëve. Në fund, mbrojtësi i majtë pranoi se nëse grupi shkon në “Final 4”, me shumë mundësi do të shpallet kampion, pasi ekipi nuk e ka më atë presionin që po mban këto javë.

Mici, jeni i kënaqur me barazimin pa gola që arriti Tirana ndaj Vllaznisë në javën e 35-të?

Të gjithë nuk jemi të kënaqur nga sfida me Vllazninë. Na bënte punë vetëm fitorja. Gjithsesi, jemi pak të mërzitur për atë që dhamë në fushën e lojës. Mendoj se nuk ishim shumë-shumë më mirë se Vllaznia, por ne bëmë diçka më shumë për ta fituar ndeshjen dhe fitoren duhet ta merrnim ne dhe për këtë arsye nuk jam i kënaqur në fund të kësaj sfide. Shpresoj që Vllaznia të luajë fort Skënderbeut ashtu siç bëri ndaj nesh në ndeshjen klasike.

Ndaj Egnatias ditën e shtunë do të jetë ndeshja e sezonit. A e fiton dot Tirana këtë sfidë?

Patjetër që ne do të japim gjithçka që kemi nga vetja për këtë sfidë të fundit. Do zoti fati është nga ne dhe jo nga ekipet e tjera. Jo gjithçka është në dorën tonë. Kjo histori ku jemi tani, ka ardhur nga gabimet e bëra gjatë sezonit. Puna jonë është fokusuar te sfida që kemi, të marrim fitoren ndaj Egnatias dhe të shpresojmë një barazim të Skënderbeut me Vllazninë. Shpresoj që Vllaznia t’i luajë fort Skënderbeut ashtu siç bëri ndaj nesh në ndeshjen klasike.

Mici po tregon veten në fund të sezonit dhe për më tepër si qendërmbrojtës?

Realisht nuk e kam problem. Edhe para një viti kam luajtur në këtë pozicion. Përshtatem shpejt. Si me tre si me dy, si me katër. Për mua nuk është problem. E rëndësishme është që ekipi të marrë fitoren dhe të shkojë në katërshe. Edhe “Final 4”-i nuk ka lezet pa Tiranën, por edhe ne kemi pak faj, pasi duhet ta kishim mbyllur me kohë këtë kualifikim.

Ju jeni një ekspert i Superiores. Me përqindje sa shanse ka skuadra të shkojë në katërshe?

Me përqindje nuk di ta them, pasi me statistikat nuk jam i mirë. Di që shanset janë reale, ndonëse ne duhet të fokusohemi te sfida jonë

Tirana ka pasur shumë ulje-ngritje, por nëse Tirana shkon në “Final 4” a e fiton titullin kampion?

Patjetër që po edhe pse kemi pasur luhatje të mëdha gjatë gjithë sezonit. Finalja është ndryshe. Janë vetëm dy ndeshje. Mbase mund të kemi më pak presion nga çfarë kemi tani. Dhe duhet ta themi se kemi kaluar shumë presion gjatë kampionatit për shkak të rezultateve. Në ato ndeshje mund të lirohemi dhe të gjithë lojtarët mund të japim më të mirën tonë dhe të fitojmë titullin kampion. Ama para se të shkojmë në ato ndeshje, duhet të mendojmë vetëm për Egnatian.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"