Ze Maria: Kategoria Superiore ka më shumë teknikë, ndaj Shkumbinit duhet të tregohemi të “këqinj”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2017 | 14:28

Ze Maria: Kategoria Superiore ka më shumë teknikë, ndaj Shkumbinit duhet të tregohemi të “këqinj”

Trajneri i Tiranës, Ze Maria doli sot në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Shkumbinit. Braziliani foli për gjendjen e ekipit si dhe për ecurinë në këto javë të para.

Ze Maria

44 vjeçari theksoi se në fushën e vështirë të Peqinit lojtarët bardheblu duhet të tregohen më të “kqinj” se vendasit për të marrë më të mirën. Tekniku gjithashtu bëri dhe krahasim mes Kategorisë Superiore dhe asaj të Parë, ku deklaroi se diferenca e vete është cilësia teknike.

Për ndeshjen e nesërme

“Jemi përgatitur si skuadër për të luajtur ndeshjen që kemi në program nesër.  Nuk do të jetë një formalitet, pasi luajmë përballë një skuadre që ka fituar 2 nga tre ndeshjet e luajtura në kampionat. Është 3 pikë pas ndesh. Na duhet të shkojmë me mentalit fitues, vetëm në këtë mënyrë mund të marrim atë që duam. E them këtë sepse është një ndeshje  e rëndësishme për ne dhe duhet të ecim me ritmin e duhur.”

Sa e njihni tashmë ekipin?

“Katër muaj më parë kam përmendur objektivat që klubi kishte. I referohem objektivit për të fituar superkupën, për tu rikthyer në Superiorë dhe për të fituar Kupën e Shqipërisë. Kemi arritur ta fitojmë Superkupën, kemi bërë mirë në kampionat, gjithashtu jemi kualifikuar dhe në Kupën e Shqipërisë. Megjithatë nuk dua të them që gjërat janë aty ku duhet. Kjo skuadër ka për tu rritur akoma më shumë.”

A mund të quhet skuadra juaj kjo Tiranë?

“Pa diskutim që është skuadra ime. Ata kanë marrë nga mua mentalitetin që unë kam, kështu përgjatë javës, ne mendojnë për të fituar ndeshjen e fundjavës. Duke respektuar kundërshtarin, punojmë për të fituar gjithmonë.

A e njihni Shkumbin dhe pikat e forta të tyre?

“Di që janë një skuadër që luftojnë fortë dhe vrapojnë shumë, sidomomos në shtëpinë e tyre. E shfrytëzojnë shumë faktorin fushë. Duhet të jemi më të “kqinj” se ata për të marrë më të mirën nga kjo sfidë.”

Çfarë ju ka bërë përshtypje në Kategorinë e Parë në këto javë të parë?

“Kategoria e Parë, është një kampionati i fortë fizikisht ku mungon cilësia teknike. Kam ndjekur edhe Kategorinë Superiore, kam parë disa ndeshje dhe mund të them që diferenca mes këtyre dy kampionateve është diferenca teknike. Kjo është arsyeja pse Tirana ime vuan deri diku të shprehet në fushë. Do të kemi probleme kur të nisin shirat dhe terrenet të ndryshojnë.”

Për zërat në merkato

“Kemi 3 muaj përpara, nuk është serioze të flasim për gjërat që do të ndodhin në janar. Nuk është aspak profesionale për mua të flas për merkaton.”

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"