Zbardhen objektivat, Idrizi: Sezonin e ri, një Flamurtar tjetër, kemi objektiva madhorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2015 | 11:10

Zbardhen objektivat, Idrizi: Sezonin e ri, një Flamurtar tjetër, kemi objektiva madhorë

Sinan Idrizi

Zbardhen objektivat e klubit të futbollit të Flamurtarit për sezonin e ri, ndërsa do të kërkojnë fitimin e kampionatit dhe Kupën e Shqipërisë.

Duke qenë se kuqezinjtë dështuan këtë sezon me objektivat e tyre, duke mos arritur as objektivin më minimal që kishin vendosur, pjesëmarrja në Kupat e Europës, mësohet se për vitin e ardhshëm, synimet e vendosura duhet të arrihen me çdo kusht dhe nuk do të ketë asnjë justifikim nga ekipi i ri që pritet të ndërtohet.

Madje, një fakt të tillë administratori Sinan Idrizi e ka bërë të qartë për drejtuesit aktual të klubit dhe stafin teknik, të cilët pritet të mos jenë më pjesë e projektit të ri të Flamurtarit. “Sezonin e ri do të shikoni një Flamurtar tjetër, me objektiva madhorë dhe njerëz të përgjegjshëm. Pronarët e kompanive turke TRK dhe Atlas- Jet kërkojnë shumë dhe janë të zhgënjyer nga këto rezultate, pasi ata janë mësuar të parët, sepse të tillë janë në bizneset e tyre. Ata investojnë shumë dhe presin shumë”, mësohet se u ka thënë Idrizi drejtuesve aktualë në një bisedë të fundit që ka pasur me ta.

Merkato

Flamurtari “peshkon” në Korçë, Tiranë dhe Kukës për merkaton. Duke qenë se sezonin e ri pretendimet do të jenë të mëdha, edhe lojtarët do të jenë të tillë. Mësohet se drejtuesit nuk do të tregohen aspak dorështrënguar, me qëllim që të marrin lojtarë sa më cilësorë, të cilët do t’u përgjigjen kërkesave dhe objektivave. Në këto kushte, janë duke u parë disa lojtarë jashtë territorit të vendit nga menaxherët e klubit, por pas nuk mbeten as lojtarët e Superiores shqiptare. Kështu, mësohet se kanë nisur bisedimet me disa lojtarë të kampionatit tonë dhe grepat janë hedhur në Korçë, Tiranë dhe Kukës. Burimet konfidenciale bëjnë me dije se po shikohen disa nga lojtarët e këtyre ekipeve që janë cilësorë dhe kanë bërë një paraqitje të mirë gjatë këtij kampionati. Mirëpo, duke qenë se kampionati ende nuk ka përfunduar, nuk bëhen të ditura emrat, ndonëse bisedimet kanë nisur.

Rikthimet

Te Flamurtari mund të ketë rikthime. Gjasat janë që të ketë një rikthim të mundshëm të mesfushorit Hair Zeqiri. Gjithashtu, pritet një rikthim i mundshëm edhe i mbrojtësit Erion Dushku. Burimet pranë klubit vlonjat konfirmojnë se për sezonin e ri pritet të rikthehet edhe sulmuesi Nikoloz Gelashvili, i cili e mbylli këtë sezon para kohe, për shkak të një dëmtimi që pësoi gjatë aktivizimit me Kombëtaren e tij të Gjeorgjisë.

Përgatiti: Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"