Vogli: Kundër Partizanit luaj edhe me një këmbë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2014 | 19:22

Vogli: Kundër Partizanit luaj edhe me një këmbë

VogliPas një dëmtimi të gjatë, që e mbajti për shumë kohë jashtë parketit, basketbollisti i Tiranës Redi Vogli, më në fund është rikthyer në dispozicion të trajnerit Shehu. Një rikuperim tepër i rëndësishëm ky për formacionin bardheblu, i cili në këtë sezon ka ambicien për të ulur nga “froni” Vllazninë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, lojtari i Tiranës dhe i Kombëtares shqiptare ka prekur tema të ndryshme, duke filluar nga objektivat e bardhebluve: “Sigurisht synimi ynë kryesor është fitimi i titullit kampion. Skuadra ka një organikë të rëndësishme dhe afrimi i Gjonajt shton akoma dhe më shumë besimin për të fituar titullin”. Më pas Vogli ka shtuar: “Sigurisht nuk do të jetë e lehtë pasi Vllaznia mbetet ekipi më i favorizuar duke qenë se është përforcuar edhe me katër lojtarë të huaj në këtë sezon, por ne jemi Tirana dhe titulli kampion është një detyrim për këtë skuadër”. Vogli ka folur edhe për dëmtimin e tij të gjatë duke u shprehur: “Jam shumë i lumtur që më në fund u riktheva të luaj. Ende nuk jam në formën më të mirë, por po stërvitem me intensitet për t’u rikuperuar plotësisht. Pengu im më i madh është që nuk arrita dot të jepja kontributin tim në ndeshjet e “play off”, si dhe në finale kundër Vllaznisë. Shpresoj që në këtë sezon të kem mundësinë të luaj finalet e kampionatit me Tiranën”. Në fund lojtari i Tiranës është ndalur të analizojë derbin që do të luhet nesër kundër Partizanit duke u shprehur: “Është një ndeshje që mezi pres ta luaj. Edhe sikur të isha me një këmbë, nuk do të mungoja kurrsesi në këtë sfidë. Partizani ka një skuadër të mirë dhe në këtë sezon është përforcuar me lojtarë si Sykaj dhe Ismeti. Shpresoj që për këtë ndeshje të kemi mbështetjen e “fanatics”, të cilët janë lojtari jonë i gjashtë në parket. Tifozët na japim një karikim të jashtëzakonshëm dhe jam i bindur që do të jenë të shumtë në numër duke na përkrahur”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"