“Vllaznia e ka vetë në dorë mbijetesën, rrezikon edhe Kamza”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2018 | 22:52

“Vllaznia e ka vetë në dorë mbijetesën, rrezikon edhe Kamza”

Ish-trajneri i Vllanisë, Elvis Plori, ka deklaruar se skuadra shkodrane e ka vetë në dorë për të zgjidhur çështjen e mbijetesës. Ai evidentoi konsolidimin që ka sot skuadra, po ashtu edhe për mënyrën e lojës që po bën ajo. Po ashtu, Plori e vlerëson si jetike kalimin e klubit në duart e privatit, por për më tepër rëndësi ai shikon arritjen e tre pikëve në përballjen me Skënderbeun. Përveç Vllaznisë e Teutës, Elvis Plori rendit edhe Kamzën si një ndër ekipet që ndihen të rrezikuar për të zbritur në Kategorinë e Parë.

elvis plori

Plori, sa e rrezikuar ndihet Vllaznia në këto momente, kur kanë mbetur vetëm 10 takime nga fundi i sezonit?

Për Vllazninë tashmë është bërë e modës që të ndihet e rrezikuar deri në momentet e fundit. Ajo për vite të tëra po lundron në këto ujëra. Është për të ardhur keq se është një emër i madh i futbollit shqiptar, i cili ka pas vetes një qytet të tërë që jeton me këtë sport. Gjithashtu, ka një akademi që prodhon çdo vit sportistë elitar, por realiteti ky është. Në këto sezonet e fundit, ekipi gjithnjë ka qenë në rrezik serioz për të rënë apo jo nga kategoria.

A mund të ndikojnë aleancat në dëm të Vllaznisë?

Për sa i përket aleancave, ne s’duhet të merremi me këtë teori dhe as të shohim se çfarë bëjnë ekipet e tjera, se në fund të fundit e kemi veten në dorë, pasi Vllaznia mban vendin e tetë për momentin. Ne duhet që të mendojmë sidomos sportistët, që çdo javë, çdo ndeshje, çdo minutë të japin maksimumin sikur të jetë takimi i fundit dhe jo si pjesën e dytë me Partizanin, apo si në ndeshjen me Kukësin, ku nuk kemi pasur atë shpirtin e garës që duhet të ketë një ekip që rrezikon kaq shumë qëndrimin në Kategorinë Superiore.

Çfarë ka ndryshuar nga dy fazat e para te kjo skuadër?

Ekipi, pas dy fazave të para, ka ndryshim, sidomos në konsolidimin e repartit të mbrojtjes. Skuadra nuk lë shumë hapësira për kundërshtarin, por e shoh shumë mekanike dhe të avashtë në veprimet sulmuese. Një skuadër që nuk krijon shumë raste, nuk ka shumë iniciativë të mbrojtësve anësorë, si dhe lojtarët e sulmit që mbështesin Sukajn, i qëndrojnë shumë larg. Ndaj, shpresat mbeten te aftësitë individuale të lojtarëve dhe nga goditjet standarde. Skënderbeu, një tjetër përballje e vështirë për Vllazninë….

Është shumë e vërtetë. Por, me Skënderbeun shoh pozitiv faktin se ato veç matematika nuk i ka shpall kampion dhe nuk kanë atë agresivitetin e duhur, që kanë treguar në gjithë këtë periudhë. Por, ne nuk duhet të presim dhuratë nga Skënderbeu. Duhet të tregojmë më të mirën që nga minuta e parë. Nuk duhet në asnjë mënyrë që në këtë takim të lëmë pikë. Jemi të rrezikuar shumë, nëse lëmë pikë në shtëpi me këtë skuadër, e cila mbart vlera në radhët e saj.

Plori

Cilën nga skuadrat e Superiores shikoni tanimë të rrezikuar, përveç Vllaznisë e Teutës?

Përveç Lushnjës, e cila tashmë duket e dorëzuar, po ashtu unë shoh edhe Kamzën që do ju bashkohet dy skuadrave të tjera, Teutës dhe Vllaznisë. E them këtë duke marr parasysh ndeshjet e fundit dhe goditjet psikologjike që ka marrë si skuadër. Gjithashtu, duke u bazuar dhe tek eksperienca që mbart mbi supe ky ekip, që këtë vit ka ardhur nga Kategoria e Parë.

Sa jetike janë nevojat e klubit për kalimin në duart e privatit?

Privatizimi i klubit tashmë është bërë i domosdoshëm dhe është i dëshiruar dhe nga vetë bashkia. Arsyeja pse duhet të privatizohet klubi, për mendimin tim, nuk është veç ajo financiare, por mënyra e të kërkuarit llogari për punën, që nuk është e njëjtë si nga bashkia e si nga privati. Jo vetëm kjo, por dhe mënyra e të kuptuarit nga punëmarrësit në realitetin shqiptar nuk është e njëjtë. E them këtë, duke u bazuar dhe nga shumat që bashkia ka akorduar për klubin e futbollit, por edhe nga sportistët të cilët s’kanë pasur ankesa nga ana financiare. Në këtë sistem, vetëm kalimi në duart e privatit e ndryshon pozitivisht situatën.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"