Vjen zyrtarizimi i klubit, trajneri i ri u kthen humorin lojtarëve të Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2019 | 16:50

Vjen zyrtarizimi i klubit, trajneri i ri u kthen humorin lojtarëve të Dinamos

Pas largimit të trajnerit Mauro Manzoni, në krye të Dinamos drejtuesit italianë sollën një figurë të njohur si Fabricio Kamarata. Ish-lojtari i Juventusit nuk ka humbur kohë dhe gjatë këtyre tri ditëve stërvitje futbollistët e kanë ndierë menjëherë ndryshimin. Ata janë ndeshur me një metodë tjetër stërvitore dhe janë dukur në humor, ndryshe nga sa ndodhte me trajnerin e mëparshëm. 

Fabricio Kamarata

Dinamo ka në përbërje shumë lojtarë të rinj, por edhe “veterani” Jetmir Sefa është shprehur mjaft i kënaqur nga mënyra si trajnon dhe sillet tekniku i ri. Kamarata po e përgatit ekipin për ndeshjen ndaj Veleçikut dhe përveç aspektit tekniko-taktik, ai po punon edhe më anën psikologjike, sepse ky 90-minutësh duhet fituar me çdo kusht nga blutë për të mbajtur gjallë shpresat e mbijetesës në Kategorinë e Parë.

Trajneri i ri ka bërë një relacion për të gjithë lojtarët, me specifikat e tyre. Sakaq, pritet rikthimi i administratorit Marko Pontreli, i cili ndodhet në Itali. Madje, kreu i klubit kryeqytetas, siç bën me dije klubi në faqen e vet, ka fituar gjyqin në lidhje me çështjen e falimentit të Triestinës. Me mbërritjen e Pontrelit në Tiranë, pritet të shlyhen të gjitha pagesat e lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit teknik.

Pa harruar konkretizimin e marrëveshjes me trajnerin Fabricio Kamarata dhe zyrtarizimin e tij në krye të 18 herë kampionëve të Shqipërisë. Sa i përket ndeshjes së të shtunës, Erxhan Muça është mungesë e sigurt, pasi mbrojtësi ka pësuar një kontraktim në fillim të javës, ndërsa në dyshim është portieri Spahija. Blutë kanë vetëm 1 pikë pas tetë javësh dhe do të ishte e pafalshme nëse do të vazhdonin me atë ecuri edhe ndaj Veleçikut.

NJOFTIMI I KLUBIT: 

Fabrizio Cammarata është trajneri i ri i Dinamos.

Tekniku 44-vjeçar italian, ka nënshkruar dje në mbrëmje kontratën që e bën pjesë të bluve, për të vazhduar detyrën që la bashkëatdhetari i tij, ish-tekniku Manzoni. Ish-bomberi i Hellas Verona dhe i Pescaras, do të jetë në krye të stolit Dinamovit që nga ndeshja e nesërme ndaj ekipit të Veleçikut dhe do të tentojë ta nisë me fitore këtë detyre në krye të 18 herë kampionëve të Shqipërisë.

Dinamo

Skerdilaid Suozeqi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"