VIDEO/ Zhgënjen Vllaznia, kampionët e Tiranës triumfojnë me përmbysje në “klasike” dhe i japin asist ndjekësve të shkodranëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2021 | 23:58

VIDEO/ Zhgënjen Vllaznia, kampionët e Tiranës triumfojnë me përmbysje në “klasike” dhe i japin asist ndjekësve të shkodranëve

Tirana ka mposhtur me përmbysje 1-2,  Vllazninë në “klasiken” e futbollit shqiptar, të vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë Superiore. 

 

bandicam 2021-02-27 13-03-09-152

Shkodranët realizuan të parët me Dilaver në minutën e 4-t, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Festa e kuqebluve zgjati vetëm 2 minuta pasi Batha vendosi baraspeshën në minutën e 6-të me një gjuajtje nga goditja e dënimit.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1. Në pjesën e dytë ishte Kale, i cili i hedhur nga stoli, pas asistit të Seferit, përmbysi rezultatin duke i siguruar 3 pikë të arta kampionëve në fuqi të Superiores.

Një asist ky edhe për Partizanin dhe Laçin që janë ndjekësit e Vllaznisë. Për sa i përket skuadrës së Brdariç, pas kësaj humbjeje, shkodranët janë zhytur në krizë të thellë rezultatesh.

FT: VLLAZNIA-TIRANA 1-2

Dilaver 4′ (p) / Batha 6′ , Kale 51′ 

KOMENTI LIVE: 

90′ Akordohen 4 minuta shtesë.

87′ Tjetër zëvendësim te Tirana, largohet Kale i tensionuar, pas ndëshkimit me karton të verdhë, vendin e tij e merr finalandezi Vairinen.

85′ Kalaja ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar në sulm.

82′ Insiston Vllaznia, shkodranët janë hedhur të gjithë në sulm në kërkim të golit të barazimit, por mungojnë rastet e rrezikshme në portën e Bekajt.

80′ Zëvendësim te Vllaznia, largohet Krymi, vendin e tij e merr sulmuesi Cise.

72′ Zëvendësim te Tirana, largohet Halili, vendin e tij e merr Giamfi.

70′ Brdariç kryen 2 zëvendësime, largohen Da Silva dhe Kruja, vendin e tyre e marrin Nija Vexhi dhe Kalaja.

68′ Tjetër rast i artë për Tiranën me Seferin, tentativa e sulmuesit kësaj here u ndal nga portieri Zogoviç që mban në lojë shkodranët.

67′ Sërish rrezikshëm Tirana me Seferin, që lëshon një predhë nga jashtë zonës, topi shkon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule.

60′ Mundësi e artë për Tiranën për të realizuar golin e tretë. Ishte Kale që pas asistit të Seferit nga e majta, nuk arriti të shtynte dot topin drejt rrjetës. Gjuajtja e tij nga shumë pranë vijë fatale u ndal nga portieri Zogoviç.

52′ Mesfushori Çelhaka ndëshkohet me karton të verdhë.

51′ GOOOOOL TIRANA 1-2/ I mjaftojnë vetëm 2 minuta në fushën e lojës, Kale kalon në avantazh bardheblutë pas asistit fantastik të Seferit. Në festë kampionët. 

49′ Zëvendësim te Tirana, largohet nga fusha Torasa, vendin e tij e merr Kale.

46′ Starton pjesa e dytë.

Mbyllet pjesa e parë. 

45+1′ Shkodranët e mbyllin në sulm fragmentin e parë të lojës. Provon Dilaver, por gjuajtja e sulmuesit shkon mbi traun e portës së mbrojtur nga Bekaj.

45′ Akordohet 1 minutë shtesë.

44′ Kristi Vangjeli ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar.

41′ Pranë golit të dytë Vllaznia me Imamin, por mbrojtësi nuk përfiton siç duhet brenda zonës, teksa të dy tentativat e tij nuk kanë qenë të sakta.

34′ Bie disi rritmi i ndeshjes, me të dyja skuadrat që mundohen ta qarkullojnë topin në mesin e fushës. Mungojnë rastet e rrezikshme në portat respektive në këto minuta.

32′ Kapiteni Gurishta është futbollisti i radhës i ndëshkuar me karton të verdhë!

28′ Vendimtare ndërhyrja e Toshevskit brenda zonës, që largon një rast të rrezikshëm në zonën e Tiranës.

25′ E pabesueshme çfarë humbet Taulant Seferi i vetëm përballë portierit. Pas asistit të Bathë, futbollisti i Kombëtares, ka tentuar në hyrje të zonës për të mposhtur Zogoviç, por gjuajtja e tij, ka qenë e gabuar duke e dërguar topin mbi kuadrat.

20′ Pranë golit Vllaznia me Jonuzin, pas harkimit të Hoxhajt nga e djathta, topi ka shkuar te mesfushori, i cili provoi me një gjuajtje në hyrje të zonës, e cila ka shkuar ngjitur me shtyllën.

18′ Jonuzi ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj kundërshtarit në mesin e fushës.

16′ E rrezikshme Tirana në këto minuta me Tolin, që provon me një gjuajtje drejt portës, por kontrollon pa probleme portieri Zogoviç.

10′ Shkodranët duken më kërkues në këto minuta, teksa qarkullojnë topin, duke u përpjekur të avancojnë në zonën e kryeqytetasve.

6′ GOOOOOL TIRANA 1-1/ Batha realizon nga goditja e dënimit. Start fantastik në “Loro Boriçi”. 

4′ GOOOOL VLLAZNIA 1-0/ Zhbllokohet sfida! Dilaver kalon në avantazh shkodranët duke realizuar nga pika e bardhë e penalltisë. 

3′ Penallti për Vllazninë. Protesta të lojtarëve të Tiranës ndaj gjyqtarit Laver Alla. Pas rrëzimit brenda zona të Da Silvës, për arbitrin nuk ka dyshime, 11-metërsh për shkodranët.

1′ Ka startuar sfida në “Loro Boriçi”.

FORMACIONET ZYRTARE:

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Adili, Imami, Kruja, Krymi, Jonuzi, Hoxhaj, Demir Imeri, Da Silva, Dilaver. Trajner: Th. Brdaric

TIRANA: Bekaj, Toshevski, Vangjeli, Behiratçe, Halili, Toli, Çelhaka, Batha, Ismajlgeci, Torasa, Seferi. Trajner: O. Shehi

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"