VIDEO/ Teuta e Martinit nuk ndalet, mposht Tiranën dhe largohet nga vendi i fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2022 | 23:59

VIDEO/ Teuta e Martinit nuk ndalet, mposht Tiranën dhe largohet nga vendi i fundit

Teuta duket se ka gjetur përsëri çelësin e suksesit. Ndryshe nga një sezon më parë, kthimi i Edi Martinit në stolin e durrsakëve në një moment krize ka qenë mëse i suksesshëm pasi janë arritur dy fitore radhazi në kampionat duke larguar përkohësisht durrsakët nga vendi i fundit në renditje. 

bandicam 2022-12-16 15-45-39-085

Ndeshja ka qenë shumë e luftuar sidomos në mesfushë, por me skuadrat që kishin të vështirë të krijonin shumë raste të pastra për shënim. Teuta ia doli me një goditje dënimi në pjesën e parë por pa t’i anulohej goli pas ndërhyrjes së VAR-it.

Megjithatë, rrjeta do të tundej në pjesën e dytë po pas një goditje dënimi, me Markun që përfitoi nga një devijim për të mposhtur Beqajn. Tentativat e Tiranës për të shënuar golin e barazimit nuk ishin efikase në këtë sfidë e kështu bardheblutë u desh të dorëzoheshin në Durrës, duke mos shkuar në formën më të mirë të mundshme në derbin me Partizanin.

TEUTA-TIRANA 1-0
65′ Marku

KOMENTI LIVE:

90’+5’ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Teutës.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

90’ Karabeci dhe Hebaj lënë fushën e lojës për t’i bërë vend Boçit dhe Oshafit.

87′ Ndëshkohet edhe Bekaj me karton të verdhë.

83’ Patrik ka mundësinë të barazojë shifrat teksa shfaqet në krahun e majtë të sulmit para Qirkos, por gjen përgjigjen e portierit që ndal edhe një gjuajtje të dytë para se të fitojë faull.

80’ Një top i gjatë në thellësi për Ismajlgecin vë në vështirësi Qirkon, por më pas lojtari i Tiranës sinjalizohet në pozicion jashtë loje.

78’ Karabeci tenton me një goditje dënimi ballore, sfera kalon jo shumë larg kryqëzimit të shtyllave në të majtë të Bekajt.

76’ Gruda merr vendin e L. Vilës te Teuta, ndërsa Limaj të Hasanit te Tirana.

74’ Protesta të Tiranës për një prekje të topit me dorë në zonë nga Kuros, Hamiti bën shenjë që loja të vazhdojë.

73’ Goditje dënimi e Tiranës, sfera shkon te Nikqi i cili gjuan por gjen përgjigjen e Qirkos e më pas çon topin jashtë. Por më pas ai sinjalizohet në pozicion jashtë loje.

72′ Të njëjtin fat ka edhe Deliu në radhët e Tiranës.

72′ Beqja ndëshkohet me karton të verdhë.

68’ Nikqi merr vendin e Përgjonit në radhët e skuadrës së Tiranës.

67’ Karton i verdhë për Najdovskin pas një faulli ndaj Markut.

65’ GOOOL TEUTA! Skemë në goditje dënimi për durrsakët ku Hebaj pason për Markun. Gjuajtja e këtij të fundit devijohet paksa sa për të gënjyer Bekajn dhe për të çuar sferën në rrjetë.

57’ Lulaj merr vendin e Isenit në radhët e Tiranës.

56’ Xhixha ka mundësinë që të prishë ekuilibrin e ndeshjes me një aksion në krahun e majtë ku kalon Jazxhi e pastaj Kotobellin por gjuajtja e tij në shtyllën e largët nuk gjen portën.

53’ Vazhdojnë sulmet e Teutës, me Gjinollarin i cili nga e majta gjuan në zonë por sfera devijohet në këndore.

52’ Marku merr fundoren në krahun e djathtë dhe nis sferën drejt qendrës, topi kontrollohet nga Bekaj.

48’ Gjinollari nga e majta nis një gjuajtje-kros që i afrohet rrezikshëm shtyllës së dytë, por topi më pas kalon në fundore.

47’ Karabeci tenton me një goditje dënimi ballore, topi ndalet në murin mbrojtës.

46’ Nis pjesa e dytë e sfidës pa zëvendësime.

45’+3’ Mbyllet pjesa e parë. 

45’+3’ Pas vëzhgimit të pamjeve me VAR, Hamiti ndërron mendje dhe akordon faull në sulm ndaj Përgjonit.

45’+1’ Shënon TEUTA! Pas një goditje këndi të Karabecit, Beqja me kokë dërgon sferën në rrjetë. Por Hamiti sinjalizohet nga VAR të rishikojë pamjet.

45’ Jepen 2 minuta shtesë.

42’ Kallaku tenton “golin olimpik” me një gjuajtje direkte nga këndorja, por Qirko kupton gjithçka dhe devijon sferën.

39’ Iseni ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndërhyrje ndaj Jazxhi.

38’ Mundësi e shkëlqyer e L. Vilës i cili hyn në zonë nga e majta dhe lëshon një gjuajtje të fortë, por sfera përfundon jashtë ngjitur me shtyllën.

34’ Aleksi provon edhe ai të gjuajë drejt portës nga distanca, sfera nuk gjen katërkëndorin teksa Qirko e shoqëron qetë sferën që kalon jashtë.

28’ Gjuajtje e fortë e Hasanit me të majtën në një pozicion ballor, Qirko kontrollon në dy kohë.

23’ Xhixha driblon dy lojtarë të Teutës, topi shkon te Hasani i cili tenton me të majtën nga jashtë zonës por nuk ia del të gjejë katërkëndorin.

23’ Aksion i E. Vilës nga e majta, pasimi i tij para portës nuk ndiqet nga askush.

22’ Duele të shumta në mesfushë mes të dy skuadrave, por me Teutën që ka kontrollin e manovrës.

17’ Harkimi i Jazxhi nga e djathta devijohet jashtë nga Iseni, me protesta të lehta për një prekje topi me dorë, por gjyqtari Hamiti bën shenjë që loja të vazhdojë.

15’ Hasani nga e djathta mundohet të nisë Xhixhën nga ana tjetër e fushës, por Marku kthehet në kohë dhe bllokon sferën.

11’ Harkim i Karabecit në zonë nga një goditje dënimi, Përgjoni largon sferën e më pas fiton faull.

9’ Ismajlgeci hyn drejt qendrës nga e djathta, lëshon të majtën e tij por topi përfundon jashtë portës së Qirkos.

6’ Teuta ka më shumë kontrollin e lojës teksa qarkullon sferën duke u munduar që të gjejë hapësira për të rrezikuar.

1’ Menjëherë rrezikshëm durrsakët me Lorenco VIlën i cili me një gjuajtje me të majtën tenton portën, por nuk gjen katërkëndorin.

1’ Nis dueli në “Niko Dovana”.

FORMACIONET ZYRTARE:

Teuta: Qirko, Kotobelli, Kouros, Jazxhi, Karabeci, Beqja, E.Vila, Marku, Gjinollari, Hebaj, L.Vila.
Trajner: Edi Martini

Tirana: Bekaj, Përgjoni, Iseni, Najdovski, Ismajlgeci, Kallaku, Aleksi, Deliu, Xhixha, Patrik, Hasani.
Trajner: Orges Shehi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"