VIDEO / Supersfida nuk zhgënjen me 9 rrjeta të tundura, Vllaznia fiton festivalin e golave ndaj Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2021 | 0:15

VIDEO / Supersfida nuk zhgënjen me 9 rrjeta të tundura, Vllaznia fiton festivalin e golave ndaj Dinamos

Vllaznia ka siguruar vendin e dytë në renditjen e Superiores me një fitore mbresëlënëse me shifrat 6-3 ndaj Dinamos, në një ndeshje me ritëm të çmendur në ”Loro Boriçi”.

vllaznia dinamo

Sfida e sotme ishte e pabesueshme për mënyrën se si rrodhën ngjarjet. Ajo nisi me golin e Ibraimit për Dinamon e më pas më vrullin e shkodranëve që arritën të përmbysnin gjithçka në pjesën e parë me Dianje e Gjurgjeviç.

Më pas nisi një sfidë e çuditshme golash me Aralicën që shënoi e Ibraimin që iu përgjigj me penallti. Pa patur kohë të diskutohej kjo penallti me VAR, erdhi goli i radhës i shkodranëve, përsëri me Aralicën. Skuka la të mendohej se goli i minutës së 72-të do të rihapte sfidën. Por fillimisht Jonuzi me një predhë të pakapshme e më pas Mustedanagiç në shtesë, vulosën një fitore mbresëlënëse 6-3 të ekipit shkodran.

VLLAZNIA-DINAMO 6-3
16′ Dianje, 35′ Gjurgjeviç, 55′, 70′ Aralica, 83′ Jonuzi, 90’+6′ Mustedanagiç / 5′, 67′ (p)  Ibraimi, 72′ Skuka

MINUTË PAS MINUTE

90’+6’ Myllet ndeshja me fitoren e thellë të shkodranëve. 

90’+6’ Kundërsulm vdekjeprurës i shkodranëve, Mustedanagiç del i vetëm para Harizajt dhe nuk fal. 6-3.


90’+2’ Gjuajtje e shpejtë e Bardhit nga e djathta, Zogoviç përgjigjet duke mos lejuar ngushtimin e diferencës.

90’ Jepen 6 minuta shtesë.

90’ Kundërsulm i shpejtë i shkodranëve që ndalet nga një ndërhyrje e Isaevskit kundër Mustedanagiç. Isaevski ndëshkohet me të verdhë, ndërsa merr të tillë edhe Gurishta për protesta.

88’ Largohet nga fusha Gjurgjeviç, për t’i bërë vend Mustedanagiç në radhët e shkodranëve.

86’ Zëvendësime te të dy skuadrat. Fangaj merr vendin e Latifit te shkodranët, ndërsa Haxhiu të Siljanovskit te kryeqytetasit.

83’ Gol spektakolar i Fjoart Jonuzit. Pas një goditje nga këndi, topi shkon te mesfushori i cili nga jashtë zonës lëshon një predhë të pakapshme,

78’ Zëvendësim i detyruar për Vllazninë, me Heriç i cili largohet në barelë dhe i lë vendin në fushë Hoxhajt.

75’ Latifi në krahun e majtë gjen hapësirë për të çuar sferën në qendër, mbrojtja dinamovite devijon jashtë duke larguar në këndore.

72’ Rihapët edhe një herë ndeshja me harkimin e Bardhit për Skukën, i cili dërgon sferën në rrjetë. 4-3.

70’ Kthehet përsëri diferenca e dy golave për Vllazninë, Aralica e ka të thjeshtë të shënojë mes mbrojtjes kundërshtare me një gjuajtje me kokë.

67’ Shkurton diferencën Dinamo me penalltinë e Ibraimit, i cili nuk gabon para Zogoviç.


66’ VAR sinjalizon Metën të shohë një kontakt mes Dianje dhe Skukës. Kryesori konsulton monitorin dhe pastaj bën shenjë nga pika e bardhë, duke dhënë penallti për Dinamon.

65’ Shkëmbi hedh në fushë edhe Maliqin, në vend të Samake.

60’ Siljanovski është i ndëshkuari i radhës për blutë, ndërsa Demiri proteston e ndëshkohet edhe ai me të verdhë.

59’ Aralica merr një top nga thellësia dhe driblon Harizajn i cili del në mënyrë të gabuar. Por sulmuesi gabon më pas duke mos gjuajtur siç duhet në portë e as pasuar për Latifin i cili ishte në pozicion të favorshëm.


59’ Dinamo mundohet të reagojë shpejt me harkime nga krahët të Ibraimit e Skukës, por pa gjetur hapësira.

55’ Aksion model i Vllaznisë, i nisur nga Hakaj. Latifi shpërthen në të majtë dhe nis pasimin perfekt për Aralica, i cili nuk gabon para Harizajt, 3-1.


48’ Samake ndëshkohet me të verdhë pas një faulli ndaj Krymit.

47’ Imami rrezikon autogolin pas një harkimi nga e majta, pasi devijimi i tij para portës kalon mbi traversë.


46’ Pjesa e dytë nis me zëvendësim të dyfishtë për Dinamon, me Skukën dhe Bardhin të cilët aktivizohen në vend të Mihanës e Abazajt.

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 2-1 të Vllaznisë.

45’ Jepet 1 minutë shtesë.

42’ Isaevski lëshon një harkim perfekt në zonë nga e majta, Zogoviç del mbi sulmuesit e Dinamos dhe kontrollon sferën.

40’ Jonuzi merr topin në të majtë dhe nis një pasim në qendër për Aralica, vendimtar devijimi i Demirit i cili largon sferën nga zona.

37’ Ibraimi mundohet të kthejë në lojë skuadrën e tij me një gjuajtje nga distanca, pa probleme për Zogoviç.

36’ Krymi bëhet lojtari i parë që ndëshkohet me karton të verdhë në këtë sfidë.

35’ Vjen përmbysja e shkodranëve. Latifi nis një aksion të shpejtë me një pasim perfekt për Gjurgjeviç. Ky i fundit nuk gabon duke kaluar sferën mbi Harizajn për të kaluar në avantazh Vllazninë.

28’ Aralica tregon aftësitë e tij me një rrotullim e gjuajtje të shpejtë drejt portës së Harizajt, por ky i fundit i përgjigjet i vëmendshëm duke grushtuar topin.


27’ Pretendime të shkodranëve për një prekje topi me dorë në zonë të Siljanovskit, por pamjet filmike tregojnë se gjyqtari me të drejtë vazhdoi lojën pasi nuk kishte të tillë

25’ Goditje dënimi e Ibraimit nga e djathta, topi shkon në shtyllën e dytë ku Imami nuk arrin të devijojë drejt portës.

21’ Gjurgjeviç i afrohet golit të avantazhit për Vllazniën, teksa shfrytëzon një pasim në qendër për të devijuar sferën mes mbrojtësve dinamovitë, por pa gjetur kantërkëndorin e Harizajt.

21’ Goditje dënimi e Heriç nga e majta e sulmit, topi shkon jashtë, ngjitur me shtyllën në të djathtë të Harizajt.

18’ Ka entuziazëm Vllaznia në këto momente, duke provuar me shpërthimet e Latifit dhe Hakajt në të majtë. Një harkim nga ky i fundit devijohet dhe përfundon ë duart e Harizajt.

16’ Barazohen shifrat, Dianje tund rrjetën pas një goditje nga këndi, duke u gjendur i zbuluar në shtyllën e dytë.

14’ Heriç provon edhe ai të gjuajë nga distanca, por sfera ndalet përsëri në duart e Harizajt.

11’ Kombinim i shpejtë mes Demirit dhe Ibraimit. Ky i fundit harkon drejt qendrës por askush nuk arrin të devijojë para katërkëndorit të Zogoviç.

7’ Shkodranët provojnë të reagojnë me anë të Latifit, por gjuajtja e tij nga jashtë zonës përfundon në duart e portierit Harizaj.

5’ Pllakos heshtja në Shkodër pasi Ibraimi tund rrjetën pas një aksion të gjatë që gjen të përgjumur mbrojtjen vendase. VAR konfirmon se nuk ka pozicion jashtë loje dhe dekreton avantazhin e Dinamos.


1’ Nis ndeshja në Shkodër me shkelmimin nga qendra të Dinamos

FORMACIONET ZYRTARE –

VLLAZNIA – Zogoviç; Gurishta, Kruja, Krymi, Hakaj, Dianje, Jonuzi, Heriç, Gjurgjeviç, Latifi, Aralica. Trajner: Thomas Brdariç.

DINAMO – Harizaj; Demiri, Imami, Siljanovski, Sidibe, Isaevski, Samake; Abazaj, Çinedu, Mihana, Ibraimi. Trajner: Bledi Shkëmbi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"