Verdheblutë ndihen të sigurt në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2012 | 13:33

Verdheblutë ndihen të sigurt në shtëpi

Verdheblutë nesër do të kenë përballë në “Ruzhdi Bizhuta” Pogradecin, një skuadër që këtë sezon ka hyrë me pretendime, ashtu si edhe elbasanasit. Ndaj, nisur nga ky fakt, pritet që në fushë të jetë një sfidë e fortë, ku çdo gabim mund të kushtojë vërtet shumë kësaj here. Elbasanasit janë të bindur se në shtëpinë e tyre do të marrin tri pikët e plota, pasi ndihen shumë të fortë kur luajnë përballë tifozërisë së tyre. Të paktën kështu pohon në një prononcim për “Panorama Sport” mesfushori Emiljano Musta. 20- vjeçari është kthyer në një nga futbollistët, pa të cilin File nuk bën dot, teksa e ka aktivizuar në çdo ndeshje si një titullar të padiskutueshëm. Ai thekson se Elbasani nuk bën dy hapa falsë radhazi. “Problemi ynë janë vetëm transfertat, ndërsa në shtëpinë tonë nuk falim askënd. Vijmë pas një humbjeje shokuese një javë më parë, por ne do të dimë të ringrihemi kësaj here në sfidën ndaj Pogradecit. Është një skuadër që meriton respekt dhe me të drejtë synon Superioren, por ne nuk mund të gabojmë në fushën tonë. Gjatë gjithë javës jemi stërvitur maksimalisht, ndërsa tani presim vetëm të marrim frytet e punës sonë. Nuk e mendoj se mund të bëjmë dy hapa falsë në këto momente”, – përfundon Musta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"