Vendimet e gjyqtarëve, te Egnatia protestojnë. Drejtuesi i rrogozhinasve: Nëse kanë vendosur të na bëjnë padrejtësi, të na e thonë dhe ikim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2023 | 15:53

Vendimet e gjyqtarëve, te Egnatia protestojnë. Drejtuesi i rrogozhinasve: Nëse kanë vendosur të na bëjnë padrejtësi, të na e thonë dhe ikim

Në dy ndeshjet e fundit Egnatia ka pasur ankesa në lidhje me gjykimin, që për hir të së vërtetës nuk ka marrë vendimet e duhura dhe ka ndikuar në rezultat. Përveç reagimit të trajnerit Shpëtim Duro pas barazimit në Rrogozhinë ndaj Erzenit dhe asaj në Durrës ndaj Teutës, të mbyllura të dyja me barazimet e njëjta 1-1, për “Panorama Sport” ka reaguar edhe drejtori i përgjithshëm i Egnatias, Kledi Zenelaj.

Klajdi Zenelaj

“Dua t’i drejtohem arbitrave që të mos luajnë me djersën tonë. Nuk e kuptoj se çfarë të këqijash kemi bërë që të ndëshkohemi në këtë mënyrë. Na mohojnë gola dhe penallti të pastra, na ndëshkojnë me kartonë, a thua se ‘kemi vrarë apo kemi prerë’. Kurrë më parë ne nuk kemi folur. Nuk kemi dashur të sulmojmë rolin e arbitrave, pasi kam pasur e në fakt vazhdoj të kemi besim të aftësitë e tyre. Por duhet drejtësi e vërtetë. Por, kur këta të fundit veprojnë jo me një, por me shumë standarde, atëherë na lind edhe ne e drejta të ngremë zërin dhe të mbrohemi. Këtë e bëjmë që të mos tallen me investimet tona të mëdha.

I jemi përkushtuar detyrës për të ngritur, administruar dhe rritur futbollin brenda të gjitha normave, atëherë përse bëjnë ‘një sy qorr e një vesh shurdh’ arbitrat, duke mos iu përgjigjur realitetit të ndeshjeve? Nuk duam asgjë që nuk e meritojmë. Këtë Egnatia e ka treguar më së miri, por sigurisht nuk do të lejojmë që të nëpërkëmbet mundi e djersa jonë. Pa diskutim edhe FSHF-ja duhet patjetër që të jetë më e kujdesshme, jo vetëm për arbitrat, por edhe për VAR-in, që ne e respektojmë. Ndërkohë që po shohim ndonjëherë edhe ‘lëmshin’ e ngatërruar që ndodh nga vendimet e të dyja palëve. Njëra e jep, tjetra e kundërshton golin, penalltinë, kartonët, etj. Çuditë nuk po kanë të sosur në lidhje me këto qëndrime, që po mbahen ndaj nesh. Prandaj meqenëse u bënë disa ndeshje që ‘xhaketat e zeza’ nuk po na japin drejtësi, është ky momenti t’iu tërheqim vëmendjen edhe atyre”, tha fillimisht Zenelaj.

KAMPIONATI – “Ne jemi korrektë dhe duam që këtë gjë ta bëjnë dhe skuadrat e tjera. Çfarë prodhon fusha si verdikt real, ne e kemi pranuar dhe do ta pranojmë, por në disa raste po na penalizojnë dukshëm dhe pa diskutim do t’i themi ‘stop’. Kemi ndërtuar një skuadër me një staf njerëzish seriozë e profesionistë, të cilët duan të punojnë në kushte normale dhe jo nën trysninë e askujt. I kemi respektuar e do t’i respektojmë në maksimum të gjitha rregullat e kampionatit, sepse këtu ku kemi mbërritur, jemi pikërisht prej seriozitetit e përgjegjshmërisë për të respektuar garën.

Nëse janë të vendosur të na bëjnë padrejtësi si në dy ndeshjet e fundit, pa përmendur raste të tjera të mëparshme, atëherë më mirë të na thoni që të ndalojmë këtë punë të nisur. Të largohemi e të merremi me punë tjetër. Të gjithë e dinë se ku ka qenë futbolli rrogozhinas, jo larg, por tri vite më parë. Të gjithë janë dëshmitarë se veçmas skuadrës, ne kemi dhënë shpirtin për të plotësuar kushtet e infrastrukturës për ndeshje e për stërvitjet në nivele më se optimale. Prandaj nëse jemi një skuadër që e duam kampionatin, garën, tifozët, ne po kaq shumë duam respekt e drejtësi edhe prej arbitrave. Asgjë tjetër më shumë” tha në mbyllje drejtori i përgjithshëm i Egnatias, Kledi Zenelaj.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"