Vdekja e boksierit në shkodër, reagon kreu i federatës: Stop ndeshjeve anonime, ka 30 vjet që bëhen evente rrumpallë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2019 | 19:51

Vdekja e boksierit në shkodër, reagon kreu i federatës: Stop ndeshjeve anonime, ka 30 vjet që bëhen evente rrumpallë

Të shtunën e kaluar më 21 shtator, tur neu ndërkombëtar i boksit profesionist “Shkodra Boxing Night” u kthye në tragjedi pasi aty humbi jetën në ring njëri prej boksierëve protagonistë të këtij eventi. Por pas kësaj ngjarjeje u zbulua një skandal i vërtetë, pasi sportisti që u nda nga jeta ishte me identitet të rremë.

boksieri bullgar shkoder

Ai nuk ishte Isus Veliçkov ashtu sikurse u deklarua fillimisht, por Boris Stankov, ku ky i fundit duelonte me dokumentet e kushëririt të tij Veliçkov. Kjo ngjarje ka nxjerrë zbuluar një rrjet të madh mashtrimi nga trajneri, menaxheri dhe vetë me sa duket “Unioni i Boksit Bullgar”.

Ndërkohë, për sa i përket eventit të zhvilluar në Shkodër, ai ishte i organizuar nga “Unioni i Boksit Profesionist Shqiptar” dhe i pamonitoruar nga Federata Shqiptare e Boksit. Për këtë ngjarje gazeta “Panorama Sport” kontaktoi Florend Kalivopullin, presidentin e Federatës Shqiptare të Boksit. Kalivopulli fillimisht flet rreth kompeticionit e disa ditëve më parë: “Ishte një aktivitet ndërkombëtar i boksit profesionist që zhvillohej në Shkodër me 10-12 ndeshje, ku kishte pjesëmarrje të boksierëve nga shtete të ndryshme, kryesisht nga Ballkani.

Kalivopulli

Gjithashtu merrnin pjesë edhe sportistë shqiptarë. Ne morëm vesh nga mediat që boksieri bullgar që ndërroi jetë, merrte pjesë në këtë event me identitet fals dhe ishte një boksier i nivelit të ulët. Ky aktivitet ishte jashtë juridiksionit dhe kompetencave të federatës sonë. Ishte një event i organizuar nga ‘Unioni i Boksit Profesionist’, e cila është një shoqatë”. Më pas, kreu i boksit shprehet se prej shumë vitesh në Shqipëri organizohen aktivitete të pakontrolluara nga federata e boksit, por që me ligjin e ri për sportin nuk do të ndodhin më.

“Ajo që ne kemi kërkuar gjithmonë dhe tani me ligjin e ri për sportin do të marrë formë të prerë, këto nuk do të ndodhin më. Pasi për çdo aktivitet boksi që do të zhvillohet në Shqipëri, përgjegjëse do të jetë vetëm Federata Shqiptare e Boksit. Nuk do të vazhdohet më me rrumpallë siç ka qenë deri tani. Janë bërë shpesh në Shqipëri këto 30 vitet e fundit  aktivitete boksi, le të themi sikur rrihen në rrugë, pa asnjë lloj kontrolli.

Kalivopulli3

Do jemi ne ata që do të investigojmë dhe do të mbledhim të gjitha informacionet, e më pas do të japim leje për zhvillime të aktiviteteve. N.q.s këto evente do të kalojnë nëpër filtrat apo monitorimin e detajuar të Federatës Shqiptare të Boksit, mundësia do të jetë zero që të ndodhin këto situata, apo që të ketë ndeshje të nivelit të dobët pa u marrë vesh se cilët janë boksierët që ngjiten në ring. Tashmë gjithçka është rregulluar me ndryshimet statutore që ka bërë Federata Shqiptare e Boksit”, shprehte Kalovipolli.

Kalivopulli2

Megjithatë, kreu i boksit shqiptar kërkon që t’i shfajësojë organizatorët: “Në rastin konkret, unë nuk dua të drejtoj gishtin mbi organizatorët dhe dua t’i shfajësoj, sepse vetë partnerët e këtyre organizatorëve nga Bullgaria kanë sjellë të tillë sportistë. Bullgarët kanë një boks të mirë dhe me nivel më të lartë se ne, ndërkohë që mospasja e mundësive për të kontrolluar se cilët janë këta boksierë që vijnë, këtu mund të ketë sjellë këtë situatë.

Por nëse këto vente do të kalonin nëpërmjet federatës, atëherë kontrolli do të ishte më i detajuar duke pasur parasysh që mundësitë tona janë më të mëdha në bashkëpunim me federatat nga vijnë këta boksierë”, përfundoi Florend Kalivopulli.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"