U dhunuan në Shijak, Vllaznia reagon dhe kërkon ndëshkim për fajtorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2017 | 21:50

U dhunuan në Shijak, Vllaznia reagon dhe kërkon ndëshkim për fajtorët

Klubi i Vllaznisë, ka dënuar aktet e dhunës, që ndodhën në sfidën Erzeni – Vllaznia B, e vlefshme për Kategorinë e Parë. Sfida u mbyll me fitoren e shkodranëve 1-3, në një fitore me përmbysje rezultati, dhe pas përfundimit të ndeshjes, drejtues, futbollistë dhe tifozë shijakas goditën futbollistët e Vllaznisë.

vllaznia miqesore

Nëpërmjet një reagimi në faqen zyrtare në Facebook, klubi shkodran kërkon ndëshkimin e fajtorëve për këtë situatë dhune. Ja dhe statusi i plotë i klubit.

Reagim
KF Vllaznia dënon ashpër sjelljen e drejtuesve, futbollistëve dhe tifozëve të ekipit të Erzenit të Shijakut pas përfundimit të ndeshjes së luajtur pasditen e sotme ndaj ekipit tonë B. Goditja e futbollistëve tanë, është një gjest shumë i rëndë që duhet të marrë ndëshkimin e duhur. Lojtarët tanë nuk kanë bërë asgjë tjetër por kanë luajtur futboll dhe kanë fituar. 
Por nëse kjo nuk i ka pëlqyer kundërshtarit, nuk është faji i tyre. Nëse “Vllaznia B” ka fituar në këtë ndeshje, ka bërë vetëm detyrën sepse është ndërtuar për të qenë i tillë. Për të është investuar jo pak. Ky ekip zhvillon stërvitje të rregullt çdo ditë dhe kuptohet që objektivi i saj është për t’u paraqitur sa më mirë në çdo ndeshje. Kështu ka bërë edhe ditën e sotme dhe për fat të keq, një gjë e tillë nuk është respektuar siç duhet nga kundërshtari. Dhuna e ushtruar ndaj pjestarëve të ekipit tonë është e papranueshme dhe për këtë, KF Vllaznia kërkon që organet përkatëse të marrin masat e duhura ndëshkimore ndaj fajtorëve. Përveç dhunës së ushtruar nga futbollistët dhe drejtuesit, futja e tifozëve në ambjentet në fushë është një gjest shumë i rëndë dhe për këtë arsye, FSHF duhet të japë ndëshkimin e duhur. Futbolli është dhe duhet të jetë “fair-play” por sot në Shijak ka ndodhur ndryshe.
KF VLLAZNIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"