Turi i 71-të, Olsion Veliaj sërish bën “të fortin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2014 | 22:20

Turi i 71-të, Olsion Veliaj sërish bën “të fortin”

Olsion veliajEdhe epilogu i etapës së pestë ka të njëjtin fitues, Olsion Veliajn e Tiranës. Në finishin e itinerarit Vlorë-Përmet, 133 km e gjatë, Veliaj mbërriti i pari me kohën e përgjithshme 04h16’44” duke “djegur” veçse me 1 sekondë Marko Stankoviç të Novi Pazar dhe të tretin çiklistin e Teutës, Hyrmet Kastrati, i cili e ndali kronometrin në 04h16’46”. Etapa e parafundit e Turit të 71- të çiklistik u nis në 10:00 nga Sheshi i Flamurit dhe u mbyll në qendrën e qytetit të Përmetit rreth orës 14:15 pas një pedalimi të fortë nga konkurrentët e të gjitha ekipeve. Në 50 km e para të përshkruara, çiklistët pedaluan në grup dhe në maloret e Fratarit filloi shkëputja e parë e një grupi të përbërë prej 13 çiklistësh. Deri në fund ky grup bëri një garë të bukur ku rivaliteti ishte i madh dhe ku pretendentët udhëhiqnin garën herë njëri dhe herë tjetri. Por në hyrje të qytetit të Përmetit, te stadiumi treshja e podiumit bëri diferencën. Pas pesë etapash të zhvilluara deri tani, Turin Çiklistik në klasifikimin ekipor vazhdon ta kryesojë Apolonia e ndjekur nga Novi Pazari dhe në vendin e tretë ndodhet Teuta. Sakaq, në klasifikimin individual, i pari është Stankoviç, i ndjekur nga Kastrati. Në një prononcim për gazetën, Hilmi Gjyzeli, kryegjyqtari i Turit u shpreh: “Etapa e sotme ishte një nga ato më me rivalitet për vetë terrenin dhe luftën sportive të pretendentëve. Dhe këtë e dëshmoi edhe diferenca e vogël mes tre vendeve të para. Ndërkohë, nëpërmjet jush, dua të sqaroj lexuesin si dhe dashamirësit e sportit të çiklizmit se në etapën e një dite më parë ku çiklistët ngatërruan rrugën, ai ishte një gabim njerëzor. Gjithçka u rikuperua në moment, ndërsa një grup çiklistësh devijuan nga rruga vetëm 50 metra. Më tej, çdo gjë shkoi shumë mirë dhe në Vlorë çiklistët mbërritën me një diferencë të vogël nga njëritjetri. Ndërsa Skënder Anxhaku, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit deklaroi: “Kjo etapë ishte mjaft e bukur dhe me shumë rivalitet. Ndërkohë, dua të vë theksin te pritja që përmetarët i bënë çiklistëve. Ky fakt na gëzon pa masë dhe na bën që të investojmë që edhe sporti i çiklizmit të përfaqësohet denjësisht në garat ndërkombëtare. Një falënderim të veçantë kam për mediat, të cilat e pasqyruan me realitet këtë Tur Çiklistik”. Sot, pedalimi mbyllet me etapën Përmet- Fier, 125 km.
Roland Suli

ETAPA E 5-të
Vlorë-Përmet, 133 km
VENDI I PARË
Olsion Veliaj (Tirana)
04h16’44”
VENDI I DYTË
Marko Stankoviç (Novi Pazar)
04h16’45”
VENDI I TRETË
Hyrmet Kastrati (Teuta)
04h16’46”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"