Tuhel: Situata e Lukakut nuk zgjidhet me një hap, e dimë që është duke vuajtur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2022 | 12:59

Tuhel: Situata e Lukakut nuk zgjidhet me një hap, e dimë që është duke vuajtur

Tomas Tuhel pranon se sekreti për të marrë më shumë prej transferimit rekord të Çelsit, Romelu Lukaku, nuk është një zgjidhje me një hap. Sulmuesi belg ka shënuar 1 gol në 5 ndeshjet që kur u grumbullua pas lënies jashtë ndeshjes kundër Liverpulit për komentet kundër taktikës së teknikut gjerman.

lukaku tuhel

Ai shpërdoroi raste të pastra kundër Mançester Sitit dhe Brajtonit, por nuk realizoi as në dy gjysmëfinalet e Kupës së Ligës kundër Totenhemit.

Por arriti të zhbllokohet ndaj Çestërfilldit, në sfidën e Kupës FA. Përpara derbit me “Spërsat” ditën e nesërme, Tuhel u përgjigj se cili është problemi me 28-vjeçarin në konferencën për shtyp:

“Nuk e di nëse mund ta shpjegoj. Është shumë e rrallë në futboll që ti të kesh një problem dhe ai të ketë një zgjidhje të vetme. Është gjithnjë një miks shumëndikimesh. Ai është përfshirë më shumë në ndeshje. Për momentin po vuan dhe ka arsye për këtë. Ne i kemi diskutuar.

Kjo është situata. Por ai nuk është i vetmi tek i cili ne varemi për t’i fituar ndeshjet. Nuk është asgjë speciale”. Çelsi e transferoi Lukakun nga Interi për shifrën rekord të 97.5 milionë paund në merkaton e verës. Ai e nisi sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme me 4 gola në po kaq ndeshje, por pas dëmtimit dhe infektimit me COVID në tetor, situata ndryshoi.

“Big Rom” shënoi 3 gola në 4 ndeshje pas rikthimit në fushë, por u dënua nga Tuhel pas një interviste të pazakontë në “Sky Sport Italia”, ku kritikoi taktikën e gjermanit dhe premtoi se një ditë do të rikthehej në Milano.

“Mirë se vini në realitet. Ne jemi në qendër të vëmendjes, jemi të gjykuar. Kjo është puna jonë e përditshme. Nëse je një lojtar vendimtar dhe gjërat shkojnë mirë, njerëzit flasin për ty dhe në të kundërt, njerëzit flasin sërish për ty. Është pjesë e biznesit na pëlqen apo jo”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"