Trukimet, UEFA: Do hetohet Alesund-Tirana. Abilaliaj, 1 vit me bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2012 | 14:33

Trukimet, UEFA: Do hetohet Alesund-Tirana. Abilaliaj, 1 vit me bardheblutë

Një tjetër ndeshje e Tiranës është në hetim nga UEFA. Në të shkuarën u hetua mbi Stabaek-Tirana 4-0, ndërsa tani në listën e zezë është futur përballja ndaj Alesundit, e cila përfundoi me rezultatin 5- 0 për norvegjezët. Ka qenë federata e vendit nordik, ajo që dha e para alarmin se mbi këtë ndeshje janë vënë baste të dyshimta, duke kërkuar ndihmën e UEFA-s. Ndërkohë, kjo e fundit ka konfirmuar zyrtarisht ditën e djeshme se ka nisur një hetim mbi këtë sfidë. Në komunikatën e organit drejtues të futbollit thuhet: “Sistemi i UEFA-s për zbulimin e mashtrimeve sportive, i cili monitoron më shumë se 29 mijë ndeshje gjatë gjithë vitit, përfshirë ato të Champions-it dhe Ligës së Evropës, ka zbuluar baste tepër të dyshimta që lidhen me ndeshjen e Ligës së Evropës, Alesund-Tirana. UEFA ka mandatuar inspektorë disiplinorë, të cilët do kryejnë një hetim të hollësishëm”. Dyshimet mbi këtë ndeshje kanë ardhur pikërisht prej sasisë së madhe të parave që janë vënë dhe fituar, për shënimin e tre golave të tjerë, ndërkohë që rezultati i ndeshjes ishte 2- 0. Kompania norvegjeze e basteve, “Nordks Tipping”, deklaroi se në kompani aziatike ishin pranuar baste me shifra tepër të larta që ndeshja përfundonte 5-0, çka nuk ishte aspak normale. Ndërkohë, sistemi i zbulimit të mashtrimit sportiv nga UEFA, u referohet pikërisht analizave dhe sinjaleve që japin pikërisht kompanitë e basteve, në luhatjen e parave që vihen për një ndeshje të caktuar. Më pas, janë inspektorët e UEFA-s, ata që nisin një hetim më të hollësishëm, që mund të përfshijë edhe futbollistë të caktuar, për të cilët mund të ketë dyshime në përfshirje. Ndeshja Alesund- Tirana 5-0 është e para që vihet në hetim nga UEFA për edicionin e ri futbollistik. Gjithsesi, duhet theksuar se deri tani disa klube shqiptare janë në “listën e zezë” të UEFA-s, por asnjë prej tyre nuk është dënuar, pasi kanë munguar provat…

FSHF-ja mbështet nisjen e hetimeve
Federata jonë është e hapur për çfarëdolloj hetimi dhe është e gatshme që të luftohet ky fenomen. Këtë e konfirmoi pak ditë më parë sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, i cili në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” reagoi për këtë çështje. “Le të shpresojmë që të mos jenë të vërteta dhe të rezultojë thjesht si një sinjal fals. Por, edhe nëse ndodh e kundërta, ne jemi të hapur për të nisur çfarëdolloj hetimi, vetëm për të nxjerrë në dritë gjithçka. Ky fenomen duhet luftuar. Megjithatë, nëse do të më duhet të jap opinionin tim personal, jam i mendimit se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë dhe janë aludime të pasakta”, – shpjegoi Prodani.

Të dyja skuadrat hodhën poshtë akuzat
Akuzat e hedhura mbi Alesund-Tirana 5-0 kanë shokuar jo vetëm shqiptarët, por edhe norvegjezët. Drejtuesit e të dy klubeve, por edhe trajnerët, i konsiderojnë të pabaza këto aludime. Drejtori i përgjithshëm i Alesundit, Henrik Hof, por edhe trajneri Kjetil Rekdal hedhin poshtë akuzat, teksa thonë: “Është diçka krejt e pandershme që të dyshosh për atë ndeshje. Jam i bindur që nuk ka pasur një paracaktim rezultati dhe flas si për klubin tim, ashtu edhe për Tiranën. Dyshime të tilla, pa pasur asnjë provë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse mundohen të dëmtojnë imazhin e klubeve respektive. Është absurde ta mendosh një gjë të tillë. Vetëm se fituam 5-0, çdo të thotë, që u trukua?”. Ndërkohë, nga Tirana reaguan Tagani dhe Rubio, madje ky i fundit tha se: “S’dyshoj! Nëse ka pasur, të gjejnë fajtorët dhe t’i burgosin”.

Abilaliaj është zyrtarisht bardheblu, firmos për një vit
Ka ardhur më në fund firma e parë për Tiranën pas Ligës së Evropës. Arbër Abilaliaj është zyrtarisht bardheblu, teksa një ditë më parë ka hedhur të “zezën mbi të bardhë”. Pas Muçollarit, Çotës, Pashajit dhe Muçës (i cili në fakt ende nuk ka firmosur), vlonjati bëhet blerja numër pesë për këtë merkato. Pas dy vitesh aktivizimi në Kroaci me Inter Zapresiç, sulmuesi do të luajë sërish me ngjyrat e 24 herë kampionëve. Një fakt të tillë e ka konfirmuar vetë lojtari për “Panorama Sport”, i cili pas bisedës së fundit që pati me krerët e klubit pohoi se ka nënshkruar një kontratë 1-vjeçare. “Pas bisedës që pata me klubin, kemi rënë dakord. Firmosa një kontratë 1-vjeçare”, – tha shkurtimisht ai. Ky futbollist, edhe pse erdhi për t’u provuar fillimisht te Tirana, ra menjëherë në sytë e Rubios. Ky i fundit, madje e pranoi hapur se e pëlqen dhe se do ta donte në ekip sulmuesin. Pas OK-it të dhënë nga trajneri, ishte Abilaliaj ai që pati dyshime, kjo jo vetëm prej financave, por edhe ofertave të tjera. Ai kërkohej nga Vllaznia dhe Flamurtari, mirëpo duket se dëshira për të luajtur me ish-ekipin e tij bëri që të mos e mendonte dy herë dhe të nënshkruante. 26- vjeçari ka mbetur i kënaqur edhe nga oferta financiare e drejtuesve bardheblu, kështu që ka firmosur.
Rubio – Abilaliaj është vetëm një nga preferencat e spanjollit. Ai në fakt vazhdon t’i reklamojë kërkesat e tij dhe, fakti që deri pasditen e djeshme nuk kishte asnjë blerje zyrtare, u duk tepër i shqetësuar. Muzaka ndodhet në Greqi, S.Lilaj vazhdon të stërvitet në Korçë, me fjalë të tjera s’janë afruar ata që është ai do. Është më shumë se e qartë se, ngërçi lidhet me financat dhe kjo po mban pezull merkaton. Një gjë të tillë e pohon vetë trajneri Hulian Rubio, i cili teksa pyetet nga mediat për këtë situatë, përgjigjet duke u shfryrë. “Përsëri me të njëjtën histori. S’kam gjë në dorë, apo doni që të fus unë paratë nga xhepi im për të bërë merkato. Këto gjëra duhet t’i diskutoni dhe të pyesni klubin, unë s’jam përgjegjës. Unë kërkesat e mia ia kam bërë disa herë klubit, madje disa herë”, – tha fillimisht spanjolli, i cili duket qartë se është i shqetësuar. Në rast se gjendja vazhdon kështu, atëherë mbetet që skuadra ta përballojë sezonin me kontingjentin aktual. “Jam mësuar në fakt, pasi edhe vitin e kaluar bëra të njëjtën gjë. Nuk di çfarë të them më tepër, pyesni klubin”, – përfundoi Rubio.

Fanka, nga Kruja te Tirana
Stiven Xherard Fanka është lojtari më i ri që është afruar për provë te Tirana. Sulmues kamerunas, i cili ka qenë pjesë e Askolit në Serinë B italiane, pasi është provuar te Kastrioti, tashmë është afruar te bardheblutë. Ai, edhe pse e kaloi me sukses provën te krutanët, nuk qëndroi pasi nuk arriti akordin financiar. Fanka do të shihet gjatë kësaj jave dhe, në rast se Rubio do të japë OK-in, atëherë klubi mund të flasë në terma financiarë.

Nesër, test me vlonjatët
Tirana ka vijuar përgatitjet edhe dje, teksa ka zhvilluar një seancë e zakonshme dhe pa shumë ngarkesa. Edhe sot do të vijohet me të njëjtin program, duke qenë se nesër do të ketë një miqësore me Flamurtarin. Ndeshja do të zhvillohet në kryeqytet dhe, me shumë gjasa, pasdite në stadiumin “Selman Stërmasi”. Kjo sfidë do ta ndihmojë Rubion për të parë dhe studiuar ndonjë lojtar, duke qenë se kjo është cilësuar si javë prove.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"