Triumfi i parë në Itali, flet Erblira Bici: Arritja më e madhe suksesi në Kupë, tani duam…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2019 | 21:40

Triumfi i parë në Itali, flet Erblira Bici: Arritja më e madhe suksesi në Kupë, tani duam…

Erblira Bici, volejbollistja kryesore e skuadrës sonë kombëtare, po bën një karrierë të shkëlqyer në Serinë A italiane në radhët e skuadrës së Novarës. Vetëm dy ditë më parë ajo arriti një sukses historik duke u shpallur fituese e Kupës së Italisë, pas fitores në finale ndaj Konelianos.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Bici rrëfen suksesin e arritur në Kupë, si dhe flet për eksperiencën në Itali.

1549282602_Bici

Si ka qenë deri tani ky sezon për ju?

Në nisje, le të themi pak negative në Superkupën e Italisë. Më pa ekipi u mundua të mbante një hap të mirë në kampionat. Normalisht nga intensiteti i madh i ndeshjeve mbase disa herë kemi lënë ndonjë pikë rrugës. Fitimi i Kupës së Italisë është “barazimi i llogarive” me skuadrën e Konelianos, që na kishte mundur në Superkupë.

erblira bici1

Pas Kupës, çfarë objektivash keni?

Objektivi kryesor pa dyshim që është fitimi kampionatit, por dhe në Ligën e Kampionëve jemi në rrugën e duhur, pasi jemi të parat në grup me pikë të plota. Shpresojmë që të kemi edhe fatin me vete në shortin në vazhdim.

A mund të konsiderohet ky moment si kulmi i karrierës suaj?

Nuk kam si ta mohoj se deri tani është më i rëndësishmi. Shpresoj të jetë i pari për të ardhmen dhe të pasohet edhe nga arritje të tjera.

erblira bici

Kishte shqiptarë të pranishëm në sallën ku u zhvillua finalja?

Kishte disa, të cilët jetojnë në Novara, që kam pasur mundësinë edhe t’i njoh këtë sezon. Për të tjerë nuk mund të them sepse nuk pata mundësi t’i takoja pas ndeshjes.

Çfarë ndodhi pas finales?

Na tregoni diçka nga festa. Si çdo fitore, në dhomat e zhveshjes u festua me këndime dhe me spumanten tradicionale. Më pas, gjatë darkës pas ndeshjes bëhej shaka dhe diskutohej rreth lojës gjithmonë duke bërë batuta.

A ka lojtarë apo lojtare të tjera që luajnë në Itali, por që ne nuk i njohim.

Ka disa lojtare shqiptare që luajnë këtu, njëra me mbiemrin tim Bici, aktivizohet të Sasuolo, të cilën pata mundësinë ta njoh ditën e finales. Karola Dhimitriadhi është një vajzë që luan për Martinjakon, Roneda Vokshi aktivizohet për Kolenjon, Seda Arapi te Vareze. Të gjitha këto luajnë në kampionatin A2 dhe B1. Ndoshta mund të ketë tjerë ose të tjera që nuk i njoh.

Çfarë mesazhi keni për të rinjtë?

Mesazhi im për të rinjtë ka qenë dhe është gjithmonë që duhet të besojnë në ëndrrat e tyre dhe të mos dorëzohen kurrë. Të punojnë fort dhe çdo gjë do t’u kthehet mbrapsht.

Keni marrë mesazhe urimi për këtë sukses?

Kam marrë shumë urime dhe jam shumë e lumtur. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që ma bënë akoma më të bukur dhe më të ëmbël shijen e fitores.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"