Tre “29 Nëntorë” në 80-vjetorin e themelimit të “Kombëtares” së Kosovës (PJESA II)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2023 | 20:02

Tre “29 Nëntorë” në 80-vjetorin e themelimit të “Kombëtares” së Kosovës (PJESA II)

NGA BESNIK DIZDARI
VIJON NGA PJESA I

Është kuptimplotë për synimin e tregimit tonë, kur mëson se përshëndetja e parë e korteut të gjatë të veturave në hyrje të Prishtinës “iu dha pjesëtarëve të qeverisë nga nji rradhim i gjatë i djelmnis sportive të Prishtinës”. Dhe pas pak aty, tek ai që quhej sheshi “Skanderbeg”, mû në zemër të Prishtinës, flet shkëlqesia Kruja. Një fragment i fjalës së tij përzgjedhur për këtu, në të folmen autentike të kryeministrit, që përveç të tjerave ka qenë një gjuhëtar i madh, ia vlen të kujtohet, teksa vetvetiu të duket si një lloj “autokritike” e veprimeve historike shqiptare.

KOSOVË 1942. Fotopllakat i shtypit të kohës gjatë vizitës së kryeministrit Mustafa Kruja në qytetet e Kosovës.

KOSOVË 1942. Fotopllakat i shtypit të kohës gjatë vizitës së kryeministrit Mustafa Kruja në qytetet e Kosovës.

Thotë Kruja:
“Kosovarë! Mirëse u gjeta! Asht e dyta herë në jetë t’eme qi kam gzimin e madh, gzimin e pa shoq e pa masë me e vizitue Kosovën. E kam vizitue për të parën herë plot tridhetë vjet para ksaj dite. Ishte qershori i vjetit 1912. Shqypnija mbarë ishte çue më kambë me kërkue të drejtat e veta kombtare të grabituna e të shkeluna për mo se katërqind vjet. Shqypnija donte lirinë e vet. E kush kje atëherë pararoja e Revolucjonit Shqyptar? Kush kjenë trimat qi e dërmuen ushtrinë anmike dhe e banë me ra në gjuj e me lypun paqë? Kosovarët. Kah Kosova ishin drejtue sytë e tonë Kombit. Prej Kosove pritej shpëtimi, lirija e tij. Fati i Shqyptaris po dahej në Shkup. Edhe Kruja e Skanderbegit kishte çue n’atë Kuvend burrash përfaqësuesin e vet. Por shka bamë atje? Kurgjo. Fitues në fushë të luftës me gjakun e derdhun prej popullit, dolme të mujtun në tavolinë. E pse? Këto ka për t’a thonë historija. por nji gjo asht e sigurtë. T’i kishim pasë da hesapet me Tyrkin qysh në Qershorin e 1912-s, t’i kishim pas da me to kufijtë e Shqypnis me katër vilajetet t’ona, të kishim pasë ngrehë flamurin t’onë në Shkup e në Manastir, në Janinë e në Shkodër, para se t’u lidhshin anmiqtë t’onë balkanikë tue na njehë si pjesë të Tyrkis, ndryshe do t’ishte konë da fati i Atdheut t’onë”.

Një kuintesencë e paqortueshme e një gjykimi historik. Të njëjtat skena përsëriten edhe në mitingjet në Ferizaj e Gjilan, për të mbërritur më 29 qershor te përurimi i radio “Kosovës”.

Është një vizitë që përshkohet në spitalin e vendit, në Shkollën Normale të Prishtinës dhe që kulmon me përurimin e stacionit të radios “Kosova”, 27 qershor 1942 – një tjetër datë historike për jetën kulturore dhe të botës së komunikimit për Kosovën. Kësisoj, në këtë vit 2022 apo 2023, qenkemi pra, edhe në 80- vjetorin e themelimit të radio “Kosovës”. E nuk e dimë nëse dikush në Prishtinë do të jetë kujtuar për këtë. Ndonëse dihet, kujtesa historike është tejet e shkurtër si në Shqipëri e po ashtu edhe në Kosovë…

E përuron më 29 qershor 1942 me fjalën e tij, kryeministri Mustafa Kruja, i cili përveç politikanit, ushtroi plot pasion edhe njeriun e kulturës, studiuesin dhe madje shkencëtarin e gjuhës shqipe. Dhe thotë:

“Radioja nuk asht një gja që i përket trupit, por shpirtit, e jo shpirtit të një njeriu, por shpirtit të Kombit. Duhet me u ndigjue në botë zani i Kosovës, zani i Kosovës shqiptare, zani i Kosovës ilire, i Kosovës kreshnike… Jam kryenaltë qi tue pëurue këte stacjon, po më takon mue të parit me e dhanë këte za nëpër valët qellore prej ksaj vegle të mrekullueshme qi ka sajue gjenija e nji italjani të madh, Guljeljm Marconit”.

Natyrisht nuk harrojmë që këto janë fjalimet e kryeministrit nën pushtim, po dhe nën bashkimin Shqipëri – Kosovë. Dhe merret me mend që nuk mund t’u shpëtonin lavdeve për Italinë Fashiste. Qoftë në fjalimet e jashtëzakonshme të pritjeve të rralla, gati të papërshkrueshme, në Ferizaj, në Gjilan e Prishtinë. As që mund të mendohej ndryshe në atë kohë të udhëkryqeve të mëdha shqiptare e europiane. Ndonëse të theksuara në të rrallë dhe shkurt, pa ditirambet që aq të papërmbajtshme do të bëheshin për “pushtuesit” e rinj jugosllavë e sovjetikë të Shqipërisë së Pasluftës. Gjithçka ishte në stilin e kryeministrit Mustafa Kruja, i cili assesi nuk mund t’i shpëtojë gjykimit të historisë për këto vite kundërshtuese dhe të habitshme në të cilat përshkohej edhe Shqipëria e viteve të Luftës së Dytë Botërore. “Zoti m’a ka falë jetën e, qoftë lëvdue, bashkë me tê, edhe shëndeten, por në të njâjtën kohë më ka edhe ndëshkue tue më lane gjallë në shkreti!”, do të shkruante Mustafa Kruja pesë vjet më vonë, maj 1947, nga Bolzano e Italisë…

Por atë 1942, ishte një Shqipëri vërtet e rrallë në gjithë këto “kundërthënie” të pamëshirshme të historisë. E, ajo do të guxonte të kërkonte edhe sportin, edhe futbollin.

30-VJETORI I PAVARËSISË DHE “28 NËNTORI” I SHNDËRRUAR NË “29 NËNTOR”.
Në mënyrën më befasuese Italia lejon një festim të bujshëm për 30-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1942. Është një program impresionues. Festime që nisin në orën 8:00 të mëngjesit të 28 nëntorit 1942 dhe që pa ndalur përfundojnë përtej orës 22:00 të mbrëmjes. Të shtiem topash, ceremoni fetare në xhami e kisha, paradë ushtarake, ngritje e flamurit në sheshin “Skënderbej”, manifestim popullor po në këtë shesh, përshëndetje e kryeministrit në radio “Tirana”, pagëzim të shkollave në gjithë Shqipërinë me emra atdhetarësh, shfaqje madhështore në teatrin “Savoia” organizuar nga Ministria e Kulturës Popullore.

Po në këtë skemë edhe festimet në qytete të tjera, të cilët mbyllen pasdite me shfaqje sportive.

Jemi në një vit 1942 kur revolta shqiptare kundër pushtimit fashist, vjen e rritet, por ajo ende nuk ka një shpërthim të mirëfilltë. Nga ana e jashtme, gjithçka të duket si një jetë më se normale, ndonëse nuk mund të thuhet se është plotësisht kështu. Ky vit që përkonte me 30-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, do të shfrytëzohej me dinakëri nga pushtuesi fashist, edhe për të vërtetuar se ky nuk ishte një pushtim, por thjesht një bashkim me Italinë, natyrisht krejt i papranueshëm.

Dhe papritmas mbërrijmë te një episod krejt i pazakontë: Ministri i Jashtëm i Italisë, Conte Galeazzo Ciano, shndërrohet në editorialist të gazetës “Tomori” të numrit të 28 Nëntorit.

Editoriali i tij mban titullin “28 Nanduer” dhe i kushtohet mû 30-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Duket një absurd i tërë!

Shkruan Ciano:
“Më 28 Nanduer 1912 Shqipëria zgjohet nga nji gjumë shekujsh… Populli shqiptar fis autokton asht në formimin e vet kulturuer i ngjitun me Romën nga lidhje të fuqishme. Bashkimi mbështetet kështu, mbi dy shtylla të patrandshme: ndiesije dhe interesi politik”.

Dhe teksa Ciano me fjalët e fundit bën mirë edhe diplomatin e rreptë, nëse mund të përcaktonim kështu, atë që Italia fashiste e quante “bashkim”, jo pushtim, paradoksalisht shqiptarët përjetonin nën këtë “pushtimbashkim” edhe një bashkim tjetër, atë Shqipëri – Kosovë. Po ndërkohë edhe Duce në telegramin e tij dërguar kryeministrit Mustafa Merlika Kruja, nuk shkon më tej asaj çka thotë dhëndri i tij Ciano: “Festimi i tridhjetëvjetorit të pavarësisë shqiptare, që na gjen në luftën për lirinë e popujve është më kuptimplotë se çdo herë tjetër”, thotë Mussolini në telegramin e tij që “Tomori” e vë lart në krye të faqes së parë.

Dhe duam apo s’duam ne, festimet për 30- vjetorin e Pavarësisë në atë vit të çuditshëm 1942, ku është përfshirë në mënyrë sensacionale edhe futbolli, janë zhvilluar, përjetuar, organizuar në mënyrën më të përsosur të mundshme. Italia dhe personalisht Conte Ciano, i deziluzionuar për pasojat antiitaliane që vinin edhe prej shumë ngjarjeve e dukurive të mëparshme të tyre, kërkon të qetësojë zemra shqiptarësh.

Tash, Tirana priste shfaqjen e saj të fundit të këtij 30-vjetori që do ta kishte të tërin sportiv, madje krejt origjinale. E nesërmja e 29 nëntorit 1942 është ditë e diel, e si një zgjatje e festimeve, lihet kështu, për ndeshjen e madhe të futbollit.

Kjo ishte ajo, diçka tjetër, siç kishte thënë mendja e ndritur e Ekrem bej Vlorës, Ministrit të Tokave të Lirueme, një universal i madh i kulturës kombëtare po aq sa dhe i politikës, i cili qysh në rininë e tij të parë, ishte përshkuar në një jetë kulturore e sportive në shkollat e Perandorisë austro-hungareze. Po bashkonte Shqipërinë me Kosovën edhe në futboll. I kishte sjellë kampionatit kombëtar edhe tri skuadra të Kosovës mû në vitin jubilar të 30-vjetorit të Pavarësisë. Ndërsa këtë të diel të 29 nëntorit 1942 po i sillte ndeshjen unikale… “

EKREM BEJ VLORA – organizatori kryesor i Kampionatit Mbarëkombëtar dhe i themelimit të Përfaqësueses së Kosovës 1942.

EKREM BEJ VLORA – organizatori kryesor i Kampionatit Mbarëkombëtar dhe i themelimit të Përfaqësueses së Kosovës 1942.

KOMBËTARJA” E KOSOVËS NË FUSHËN E LOJËS.
Nuk ka dyshim se ndeshja ka karakterin e saj sa sportiv e po aq dhe politik, natyrisht nën vëmendjen e qarqeve fashiste, po nga jashtë ajo ka një pamje të rrallë shqiptare. Shtypi shkruan se ishin 8000 shikues, që rrethonin në të katër anët fushën sportive të Shallvares. Thuhet se ishte një ndeshje e organizuar nga e ashtuquajtura Vepra Kombëtare e Mbaspunës Shqiptare. Për çka Shallvarja ka një pamje tejet zyrtare në tribunën e saj të autoriteteve. Ndodhet Ministri i Tokave të Lirueme, Ekrem bej Vlora, Nënsekretari i PKF-së (Partia Kombëtare Fashiste) Qazim Bllaca, Komisari i Jashtëzakonshëm i Tiranës (kryetari i bashkisë) Omer Fortuzi, Federali i Pejës, kryetari i Bashkisë së Prishtinës, një “delegacion i tanë i ardhur nga Kosova për kremtimet e 30-vjetorit të pamvarësisë shqiptare”, siç thuhet fjalë për fjalë. Ndeshja ka një ceremoni zyrtare tejet të parashikuar. Kryetari i Veprës Kombëtare të Mbaspunës Shqiptare, Vasil Alarupi, bën nderimet e rastit dhe vetëm mandej nis futbolli.

Skuadrat kanë emërtimet e tyre, edhe këto të parashikuara. Nuk kemi të bëjmë me Sport Klub Tiranën, por me Përfaqësuesen e Tiranës përballë Përfaqësueses së Kosovës. Është ora 14:30 e 29 nëntorit 1942 dhe për herë të parë Përfaqësuesja e Kosovës e sheh veten të marrë udhë në histori.

Ajo ka qenë një nga ndeshjet më tërheqëse që ishte parë në Tiranë në ato kohë. Gjithçka fillon me gol, madje qysh në të 5′-ën, kur Përfaqësuesja e Tiranës e sheh veten në 1-0 duke shuar menjëherë një shpresë kosovare. Është një kombinacion që lind pas pritjes së portierit Daci të Kosovës dhe Zyber Lisi sapo kishte lëshuar një nga goditjet e tij të papritshme. E pas pak lind kombinacioni Demneri-Koxhaj-Balla-Bylyku-Visha. Është një gol spektakolar i Ali Vishës, dëshmorit të ardhshëm, i cili fluturim, pa e lënë topin të bjerë në tokë, gjuan fort dhe tund rrjetën e Dacit. 1-0!

Kronika e lojës natyrisht që nuk merr fund këtu. Ajo është tejet e pasur dhe përshkohet në gjysmëfushat e të dyja skuadrave. Laçej pret gjuajtjen e rreptë të Mazllum Xërxës, për të cilin shtypi shkruan “se është gjithmonë ai i vjetri”, me kuptimin e forcës së mirënjohur të tij si ish-lojtar i Vllaznisë në vitet ‘30 dhe pjesëtar-themelues i Kombëtares së Shqipërisë së 1936-ës.

Pjesa e dytë fillon me gjuajtjet e Ballës e të Bylykut. Kronika thotë se “mbrojtësit kosovarë, Zaimi dhe Ballanca, janë shumë të mirë” dhe largojnë rreziqe. Dhe ja ku del në skenë Bajrami, gjysmësulmues i majtë, “me ide të shkëlqyeshme loje dhe jep kalime shumë të matuna”. Por minuta e 9-të i përket Dulatahit. Gjithçka përsoset prej Hamzës e Xërxës, kalim te Bajrami, Henci dhe Dulatahu i vetëm para Laçejt, çka duket një gol i sigurt, por… shtyllë! Këtu nis epërsia e Kosovës. Vijnë dy goditje këndi dhe në të 14-ën, prapë Dulatahi e ka golin ndër këmbët e tij. Është sërish krejt i vetëm përballë Laçejt, teksa gjuan jashtë. Dhe pa kaluar pak sekonda përsëri i vetëm, po ky Dulatah flak tej topin, gjithnjë i vetëm para portës!

Nisin ndërkaq e tronditen shtyllat. Në të 20′-ën Zyber Lisi godet fort shtyllën e Dacit. Në të 23′-ën është Ramadan Vraniqi pranë golit: gjuan pa mëshirë, topi prek duart e Laçejt, mandej qeth shtyllën dhe përfundon në goditje këndi! Në të 27′-ën i takon Bajramit të realizojë gjuajtjen e tij të shkëlqyer: dhe prapë shtyllë! Mbrojtja e Tiranës me në krye Xhavit Demnerin, Muc Koxhjen e ardhur nga Shkodra, Himën, Qirin, Kuranin e Laçejn, të shumtë në numër jashtë taktikës së kohës, tashmë kërkojnë të ruajnë vetëm 1-0-n. Por ja minuta fatlume e 44′-t dhe 2-0 për Përfaqësuesen e Tiranës! Është një kryevepër e kohës. Ali Visha e çon topin te Hasan Balla, ky Akil Deranit, i cili harkon për në qendër të mbrojtjes mike, e aty kërcen Zyber Lisi dhe me krye tund rrjetën e Dacit. 2-0 për Përfaqësuesen e Tiranës, e cila merr një fitore të bukur, të mundimshme përballë një 11-she befasuese nga Kosova.

CILËT ISHIN ATA, PROTAGONISTËT E THEMELIMIT.
Për fat të madh, falë shtypit të kohës kemi skedën e ndeshjes themeluese. Vetëm mbiemrat. Mandej nga Kosova falë kolegut të paharrueshëm Agim Binaku më pati mbërritur edhe fotoja historike, unikale madje, e 11-shes së Kosovës.

Por gjithnjë kërkoj të shkoj përherë e më fort te të vërtetat sa më absolute që të jetë e mundur…

Cilët janë këta djem? Cilët janë emrat e tyre?…

Para kësaj ndeshjeje më pati mbetur mendja tek emri i një futbollisti: S. Hasani. A ishte ky personazhi i mirënjohur i politikës dhe qeverisjes jugosllavo – kosovare, Sinan Hasani, presidenti i Jugosllavisë i vitit 1987? Mû ai i cili, siç ka shkruar i paharrueshmi prof. Petrit Imami – autori i trilogjisë së rrallë, madje unikale “Serbët dhe Shqiptarët ndër shekuj”, e sapobotuar në tri vëllime në Beograd në serbisht dhe shqip? Në vitin 1987 në mënyrën më të habitshme me cilësinë e presidentit të Jugosllavisë, Sinan Hasani i ka dorëzuar dekoratën deri një njeriu me emrin Vaso Cubriloviq, i cili me ligjëratën e tij famëkeqe “Shpërngulja shqiptare” të vitit 1937, na ka hyrë fort brutalisht në historinë shqiptare. A janë këto trillet e pamëshirshme të historisë: që një shqiptar t’i dorëzojë dekoratën më të lartë një ideologu të njohur për teorinë e tij raciste të boshatisjes së Kosovës prej shqiptarëve?

Prof. Petrit Imami nuk ndal këtu, teksa shkruan në librin e tij se për paradoksin më të madh, po ky Vaso Cubriloviq, “në Jugosllavinë socialiste krejtësisht i ndryshoi qëndrimet e veta të deriatëhershme dhe është një nga akademikët e rrallë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Serbe, i cili kundërshtoi në vitin 1986 “Memorandumin” e grupit të akademikëve të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve për pozitën e popullit serb në Jugosllavi”, siç shkruan fjalë për fjalë prof. Imami, cili me trilogjinë e tij të pashlyeshme, “Serbët dhe Shqiptarët ndër shekuj”, jo vetëm i lë Shqipërisë një histori të rrallë, por mbi të gjitha një shembull të shkëlqyeshëm të trajtimit jo me emocione e njëanshmëri të historisë. Edhe në këtë rast ndihem krenar që përmes një letërkëmbimi të rrallë u njoha dhe u miqësova me profesor Petrit Imamin (1945-2019) – skenarist i filmit të famshëm të Kosovës “Era e Lisi”, pedagog i filmit në Fakultetin e Arteve të Dramës në Beograd.

E pra, të ketë qenë i kundërshtuari i madh prej shqiptarëve të Kosovës, shkrimtari i mirënjohur, presidenti i Jugosllavisë, Sinan Hasani, i vitit 1987, futbollisti 20-vjeçar i skuadrës së Prizrenit në kampionatin Mbarëkombëtar të vitit 1942? Pata dyshuar e shkruar se nuk e vërtetoj assesi, edhe pse ndodhesha përballë autenticitetit grafik të emrit të tij: Sinan Hasani! Por jo më larg se ditët e nëntorit 2022, gazetari i shquar i Kosovës, kolegu i nderuar Azem Brovina, pas verifikimit që bëri, më sqaron se ky emër nuk ka të bëjë assesi me politikanin e protagonistin e politikës jugosllave, Sinan Hasani.

Ndërsa unë që prej kaq kohësh kërkoj të mbërrij te saktësia e emrave të themeluesve të Përfaqësueses së Kosovës 1942. Pikërisht këto kohë të fundit kam qartësuar se sulmuesi Henci është Mustafa Henci. E po këto ditë, kolegu Brovina zbulon se Bajrami – një ndër më të dalluarit e ndeshjes themeluese, është Hashim Bajrami. Vetëm dy futbollistëve nuk ua gjej ende emrat e plotë. Njohim kështu 9 nga 11 emrat e plotë të themeluesve të kombëtares apo Përfaqësueses së Kosovës të 80 vjetëve më parë. Po çka është më e rëndësishme, u zbulua fotoja e 11-shes historike të Kosovës që luajti ndeshjen themeluese të 29 nëntorit 1942 në Fushën e Shallvares së Tiranës.

Me emra të plotë ata janë Mustafa DACI, Ahmet ZAIMI, Mazllum XËRXA, Hajdar HAMZA, Nebil DYLATAHU, Ramadan VRANIQI, Dobrica BARBAROGIQ (Barbaroga). Mustafa HENCI, Hashim BAJRAMI. Ende nuk arrij të saktësoj emrat e dy futbollistëve të tjerë: BALLANCA e VESELI. Ndërkohë që Dobrica Barbarogiq, serb nga kombësia (shtypi e jep Barbaroga), të duket se është shprehje bashkëjetese paqësore me pakicat kombëtare edhe në Kosovën e asokohe!…

Ndërkaq, futbollistët e Përfaqësueses së Tiranës, njëri më i shquar se tjetri, e të cilët më pas do të bëjnë një histori të shkëlqyeshme, i njohim të gjithë. Ashtu si dhe gjyqtarin e mirënjohur Abdurrahman Toptani – figurë e shquar e sportit tonë kombëtar, i cili ashtu si dhe shumë të tjerë vazhdon të injorohet pa mëshirë!

ddddddfdsfsdfsdf (1)

Nga ana e vështrimit apo e zhvillimeve historike, mpleksja e këtyre 22 djelmoshave është plot trille. Ka midis tyre komunistë e partizanë, ballistë e zogistë, të arratisur politikë të mëvonshëm. E midis tyre një dëshmor, Ali Visha – një nga futbollistët më të shquar asokohe.

Skeda e ndeshjes historike mbetet të jetë kjo:
Tiranë. Fusha e Shallvares, 29 nëntor 1942
PËRFAQËSUESJA E TIRANËS – PËRFAQËSUESJA E KOSOVËS 2-0

TIRANA: Halit LAÇEJ, Ramazan HIMA, Dik QIRIQI, Bajram KURANI, Muc KOXHJA, Xhavit DEMNERI, Hasan BALLA, Akil DERANI, Zyber LISI, Tas BYLYKU, Ali VISHA.
KOSOVA: Mustafa DACI, …..BALLANCA, Ahmet ZAIMI, Mazllum XËRXA, ….. VESELI, Hajdar HAMZA, Nebil DYLATAHU, Ramadan VRANIQI, Dobrica BARBAROGIQ, Hashim BAJRAMI, Mustafa HENCI.
GOLAT: Ali VISHA 5′, Zyber LISI 89′.
GJYQTAR: Abdurrahman Toptani.

ATDHETARIA E 30-VJETORIT TË PAVARËSISË NËN PUSHTIM.
Tashmë Përfaqësuesja e Kosovës, edhe pse në humbje, ishte përuruar në themelimin e saj në një ditë të paharrueshme të 29 nëntorit 1942, në ditët e festimeve të 30-vjetorit të Pavarësisë. Thotë kronika e shtypit:

“Nji mot i butë dhe shumë i favorshëm për lojën e topëkambës desht me e shoqnue përzemërsisht ndeshjen aq të randësishme ndërmjet skuadrave Përfaqësuese të Kosovës dhe të kryeqytetit”.

Skuadra kosovare, – përmbledh gjykimin e tij shtypi i kohës së vitit 1942, – humbi 2-0. Por me lojën që zhvilloi, sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes provoi se nuk e meritonte nji humbje kaq të thellë. Nji përfundim prej dy golash me nji, në fitim të Tiranës, do t’i ishte përgjegjë ma mirë e ma besnikisht lojës që zhvilluen dy skuadrat”.

Duket se ka qenë një ndeshje e bukur nga të dyja palët dhe ndërsa çmohet përvoja e kryeqytetasve, theksohet se përbërja e Kosovës “me elementë të katër qyteteve, tre pejanë, tre gjakovarë, tre prishtinas dhe dy prizrenas, nuk kanë pasur shumë kohë që të stërviten së bashku”. Për çfarë nuk ia arritën të shkëlqejnë sidomos në pjesën e parë, teksa në të dytën ata erdhën duke përforcuar harmoninë e një loje, që mund t’i kishte çuar edhe te barazimi. “Tre topa kosovarë rrahën shtyllën e tiranasve”, thotë kronika. Dhe më poshtë: “Lojtarët e të dyja skuadrave meritojnë lavdatat ma të shqueme pse i dhanë jetë nji ndeshjeje të shpejtë dhe krejt vllaznore”.

VIJON NE PJESA III

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Dossier/ Tre “29 Nëntorë” në 80-vjetorin e themelimit të “Kombëtares” së Kosovës

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"