Dossier/ Tre “29 Nëntorë” në 80-vjetorin e themelimit të “Kombëtares” së Kosovës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2023 | 20:49

Dossier/ Tre “29 Nëntorë” në 80-vjetorin e themelimit të “Kombëtares” së Kosovës

NGA BESNIK DIZDARI
* Me personazhe të pafund: Mussolini e Conte Ciano, Jacomoni e Mustafa Kruja, Molotovi e Churchill, Tito e Kardel, Enver Hoxha e Fadil Hoxha, Ekrem Bej Vlora e Ernest Koliqi, Vaso Cubriloviq e Sinan Hasani, Hysen Prishtina e Iljaz Agushi, Omer Fortuzi e Riza Drini, Zekirja Rexha e Vehap Shita, Feti Dizdari e Hasan Kaleshi, Riza Lushta e Naim Kryeziu, Ramadan Vraniqi e Skender Gjinali, Abdurrahman Toptani e Mazllum Xërza, Bekim Fehmiu e Petrit Imami. E deri te Boriçi, Llambi, Dibra, Derani, Demneri, Koxhja, Visha, Lisi, Tahiri, Lenjani, Kozniku, Cana, Hasi, Gjimshiti, De Biazi e plot të tjerë të bashkuar në tri kohë…

TIRANË 1942. Fusha e Shallvares. Përfaqësuesja e Kosovës në ndeshjen themeluese me atë të Tiranës.

TIRANË 1942. Fusha e Shallvares. Përfaqësuesja e Kosovës në ndeshjen themeluese me atë të Tiranës.

NJË VIT PARA 29 NËNTORIT TË PARË.
Ky është një jubile – kuptohet i nëntorit 2022 – të cilit nuk mund të mos i rikushtoheshim. Sigurisht, nuk është hera e parë që shkruaj për themelimin e Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Jo vetëm në një kapitull të veçantë të librit tim të vitit 2004, “Historia e Kampionateve të Shqipërisë” (vitet 1939-‘42). E vërteta është se ky themelim aty ka qenë, pavarësisht nga trajtimi i errët e thjesht kronikal, disi si një episod i shpejtë i asokohe. Së fundi, më 29 nëntor 2022, u bënë plot 80 vjet të themelimit të Kosovës parësore të futbollit: Tiranë, 29 nëntor 1942! Një themelim që sa duket sportiv, po aq është edhe politik, shoqëror e kulturor po e po, që vetvetiu na çon te jeta shqiptare e kohës së luftës me të cilën historiografia shqiptare merret pak. Dhe gjithnjë duke u gozhduar te formimi i PKSH-së, i Luftës Nacionalçlirimtare, i formimit të Brigadës së Parë, te kuislingët, te Çlirimi. Dhe shumë pak si ka qenë ajo jetë, si ka jetuar ai popull, si kanë qenë pra ditët, muajt e jetës shqiptare të asokohe. Në kërkesat e këtij vështrimi jam përpjekur ta trajtoj edhe këtë Dossier pak a shumë të një historie universale të fragmenteve të jetës shqiptare, aq pak e njohur, sidomos prej brezit të ri.

Le të shpresojmë se edhe indroktrinimi i pashembullt dhe varfëria tematike, sidomos e historianëve të palës tjetër, që bie fjala, kujtojnë se marrin një njollë partiake të karrierës së tyre, nëse pranojnë 28 Nëntorin si datë të çlirimit, atë që Enver Hoxha e pat sanksionuar fjalë për fjalë në mitingun çlirimtar para hotel “Dajtit” të 28 nëntorit 1944, kur deklaroi:

“Në çdo 28 Nëndor është derdhur gjak i bijve heroikë që përlesheshin me bajonetat e okupatorit e të tradhëtorëve. Dita e flamurit u bë dita dy herë e shejtë, dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar”. (Siç – Enver Hoxha – Nga fjala e mbajtur në Tiranë ditën e 28 Nëndorit 1944).

Më duhet ta falënderoj Enverin, teksa në fjalën, të cilën drejtshkrimi i sotëm i thotë “Nëntor”, ai bën një bashkim gjuhësor tejet interesant midis tosknishtes dhe gegnishtes, teksa i thotë “Nëndor”. jo me “t”, por me “d”, pra.

Kaq për këtë temë fort të konsumuar, pa dashur që më tej të futem edhe në nja dy dokumente autentike që për fat i zotëroj edhe unë, për të vërtetuar edhe në këtë rast, mû këtë.

Dhe ja pra, që ka edhe një 29 nëntor tjetër, që për çudinë më të madhe i bie të jetë pikërisht një 29 nëntor i kohës së luftës. Është 29 Nëntori 1942, ditë kur në Tiranë krejt papritmas themelohet “Kombëtarja” – Përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Sapo kemi kaluar kështu, jubileun e 80-vjetorit të këtij themelimi krejt të jashtëzakonshëm. Ky është 29 Nëntori i parë prej tre “29 Nëntorëve” që aq fort kanë të bëjnë me historinë e Shqipërisë e të Kosovës.

29 Nëntori i parë është sa sportiv, sa shoqëror, aq dhe “strategjik” për sa i përket jo vetëm politikës, por edhe vetë kulturës kombëtare. I jashtëzakonshëm, sepse është një themelim që bëhet në Tiranë, më 29 nëntor 1942, plot 1 vit para 29 nëntorit 1943 të Jajces së Jugosllavisë së re të Josip Broz Titos që po lindte, ditës të Asamblesë së Dytë të AVNOJ-it (“Antifašistièko Vijeèe Narodnog Oslobodjenja Jugoslavije” – “Asambleja Antifashiste Nacional Çlirimtare e Jugosllavisë”). Asambleja apo Mbledhja që “me unanimitet, duartrokitje e pa diskutime”, siç thotë një historian i shquar italo-slloven, Jože Pirjevec, (lindur Giuseppe Pierazzi) – libra të të cilit kanë një vend të nderuar edhe në bibliotekën time vetjake – teksa e përcakton AVNOJ-in e Jajce-s si: “Formim të Jugosllavisë federale e republikane – natyrisht me atribute krejtësisht të tjera – por në mënyrë mjaft të ngjashme me atë të Karagjorgjeviqëve”. Ose siç shton më tej ai: “Në këtë AVNOJ të dytë Tito proklamoi përfaqësimin suprem të sovranitet të popujve dhe shtetit të Jugosllavisë unitare”.

AVNOJ, JAJCE, MOLOTOV, CHURCHILL.
Duke u paraprirë e gjithë kjo deri dhe me rrênën e bujshme të Titos, i cili në fjalën e tij përuruese deklaron pa pikë zori se nuk është e vërtetë që Lufta Nacionalçlirimtare “qenka një zhvillim komunist që synon bolshevizimin e shtetit dhe që kërkon të sjellë në pushtet komunistët”!

Dhe janë vërtet fantastike dy telegrame që i përmend në kujtimet e tij protagonisti i madh i Jugosllavisë Komuniste, Edvard Kardel. Ai i Molotovit, “i cili thoshte afërsisht se ne, me vendimet tona në Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it, i patëm ngulur thikën në shpinë Bashkimit Sovjetik”; dhe telegrami i dytë i Churchill-it, ku “ai natyrisht nuk i aprovoi vendimet e Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it”.

Ndërkaq, në Shqipërinë e pushtuar nga Italia fashiste, 12 muaj para Jajce-s – çka edhe pse pa u marrë assesi me të, sanksiononte mbajtjen e Kosovës nën Jugosllavi – në Tiranë të Shqipërisë pra, ndonëse ishte një kulm i Luftës së Dytë Botërore, plot hare e gëzim dilte në fushën e lojës së futbollit për herë të parë në histori, Përfaqësuesja e Kosovës! Të duket si të ishim në një film të fantashkencës gjeopolitiko – olimpiko – futbollistike, nëse mund të përcaktonim kështu.

Përfitova pra, prej këtij shkrimi që të merresha pak edhe me Jajce-n, sepse të vjen keq që edhe intelektualë të Shqipërisë ende të thonë se 29 Nëntori ynë ka të bëjë me 29 nëntorin e çlirimit të Jugosllavisë. Kur dihet se 29 nëntori i Jajce-s nuk është dita e çlirimit të Jugosllavisë, por u bë festë kombëtare e Jugosllavisë së Titos ngaqë më 29 nëntor 1943 pra, ajo proklamoi ndërtimin e Jugosllavisë Komuniste. E imituar prej komunistëve shqiptarë në 24 maj 1944 të Kongresit të Përmetit, datë që u përjetua përmbi 40 vjet e stamposur në stemën e Republikës sonë. E më pas, 29 Nëntori – festë kombëtare për të dyja: Jugosllavinë dhe Shqipërinë.

Ndërkaq, nuk duhet harruar pra, se Jajce e vitit 1943 e pat injoruar Kosovën. Askush prej të sajve nuk qe aty. Në librin e tij kushtuar jetës dhe veprimtarisë së të paharrueshmit profesor Zekirja Rexha – për njohjen me të cilin ndihem krenar – profesori i shquar Vehap Shita ka pohuar se në Jajce “për Kosovën nuk ishte folur asnjë fjalë”… dhe për atje “ishte nisur pikërisht Zekirja Rexha”, i cili “nuk arriti kurrë” në Jajce, ndonëse “duke udhëtuar nëpër shkrepa e male”. Kishte mbërritur deri në Malin e Zi.

Kosova qe bashkuar me Shqipërinë… nën pushtim. Dhe mû nën pushtim do të krijonte në Tiranën e Shqipërisë edhe Përfaqësuesen e saj të futbollit. Ndërkohë, Partia Komuniste e Jugosllavisë nuk rrinte duarkryq, teksa organizonte partizanerinë kosovare në luftë kundër pushtuesit fashisto – nazist. Për të mbërritur në fund të luftës me “9 brigada kosovare me 50.000 njerëz”, siç ka shkruar Fadil Hoxha! E pabesueshme!…

Por më 29 nëntor 1942 ishim ende herët për të mbërritur te 50.000 partizanët kosovarë të fillimit të vitit 1945. Më 1942 luhej futboll. Sidomos në Shqipëri. Madje në Shqipëri u luajt futboll deri në gushtin, shtatorin a tetorin e vitit 1944, ku ndeshjet me skuadrat e improvizuara të Wehrmacht-it – e në to kishte edhe lojtarë të kampionatit gjerman – mbushnin në mijëra njerëz rrethin e fushës së Shallvares në Tiranë. Edhe këto janë të vërteta historie…

Siç kam shkruar diku më herët, dëshiroj të thyej një heshtje me këtë tregim historie, pa ndikimet apo paragjykimet e partizanerisë fanatike apo të historianëve politikë, të cilët ende kërkojnë që me periudhën e Luftës së Dytë Botërore ku edhe populli shqiptar me ndjenjë të lartë atdhetare rrëmbeu pushkën për çlirimin, të spekulojnë midis të pavërtetave dhe të vërtetave, kjo për hir të një interesi tejet të ngushtë që të çon te një monopolizim i paparë aksionesh e ngjarjesh, dukurish dhe kundërshtish, spekulimesh apo falsifikimesh, e deri te një egoizëm i pangjashëm partiak. E, ky tregim historie, sa sportiv aq dhe i një lloj gjeopolitike “sui generis”, natyrisht nuk njeh ndikimin e atyre, të cilët një koleg i huaj, autor i disa librave të vlefshëm rreth të vërtetave të Luftës së Dytë, Gianpaolo Pansa, me të drejtë i quan “xhandarët e kujtesës”.

KAMPIONATI MBARËKOMBËTAR QË THEMELOI “KOMBËTAREN” E KOSOVËS.
Organizimi i veprimtarisë sportive në këtë kohë në Kosovë – frymëzuar dhe organizuar nga Ministri i Tokave të Lirueme, Ekrem Bej Vlora – është padyshim edhe në duart e italianëve. Rindërtimi i skuadrave të futbollit megjithatë, ndesh në një mëdyshje. Kampioni i mirënjohur i viteve ‘30 të Sport Klub Tiranës, Skender Gjinali, i rikthyer asokohe në Kosovën e tij, tregon se ka qenë pikërisht Ramadan Vraniqi një nga mbështetësit e krijimit të klubeve të futbollit. Gjinali shkruan se ishte pikërisht Vraniqi ai që mbështeti këtë organizim, duke thënë se nëpërmjet futbollit fshihej veprimtaria e rinisë kosovare kundër fashistëve. Kështu apo ndryshe, e vërteta tregon se skuadrat kosovare, ku sidomos Prizreni ishte forcë e parë, u krijuan, luajtën dhe mbërritën deri te themelimi i Përfaqësueses së Kosovës. Ato morën pjesë në Kampionatin Mbarëkombëtar të Shqipërisë 1942 dhe ka qenë pikërisht ky kampionat që 80 vjet më parë na çoi te themelimi i jashtëzakonshëm historik i Përfaqësueses së Kosovës, pikërisht më 1942-shin. Natyrisht pa guxuar të marrë askush me mend se do të vinte një ditë e shekullit XXI dhe “Kombëtarja” e Kosovës do të rithemelohej, tash deri pjesëmarrëse e Kampionateve Botërore dhe Europiane. Pa shkuar te sportet e tjera të Kampioneve Olimpike, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, të cilat Shqipëria “nanë”, ende nuk i ka…

Ndërkaq, në atë 1942, Skender Gjinali, Mazllum Xërxa, Ramadan Vraniqi, Bezat Shporta, Sezai Gota, Sezai Surroi, Reshat Isa janë protagonistë, ndonëse nuk arrij të kuptoj përse disa prej këtyre, nuk u gjenden mandej në ndeshjen e madhe të Shallvares nën fanellën e Kosovës…

Dihej, që pesë shqiptarë të Kosovës, futbollistë ndër më të mëdhenjtë e kohës, ishin përshkuar në kampionatet e Shqipërisë së viteve ‘30: Riza Lushta e Naim Kryeziu, Skender Gjinali, Mazlllum Xërxa, Fisnik Xhara. Dy të parët origjinarë të Sport Klub Tiranës, tre të dytët me Vllazninë e Shkodrës, e Gjinali përveçse edhe me Besën e Kavajës, është gjithashtu titullar i Sport Klubit, madje kampion i Shqipërisë me të më 1936-ën. Më duhet të rikujtoj këtu se tre prej tyre, Riza Lushta, Naim Kryeziu dhe Mazllum Xërxa janë pjesë e 11-shes themeluese të Kombëtares së Shqipërisë më 5 mars 1936, ditë kur ajo doli për herë të parë në fushën e blertë nën drejtimin e hungarezit Samo Singer.

MAZLLUM XËRXA, DAJA I BEKIM FEHMIUT - i vetmi në dy ndeshje themeluese, atë me Kombëtaren e Shqipërisë më 1936 dhe atë me Përfaqësuesen e Kosovës më 1942.

MAZLLUM XËRXA, DAJA I BEKIM FEHMIUT – i vetmi në dy ndeshje themeluese, atë me Kombëtaren e Shqipërisë më 1936 dhe atë me Përfaqësuesen e Kosovës më 1942.

Nuk ka dyshim se është kampionati kombëtar i vitit 1942 ai që na çon te themelimi i Përfaqësueses së Kosovës. Në këtë kampionat marrin pjesë edhe tri skuadrat nga Kosova: Prizreni, Prishtina e Peja. Dhe çuditërisht mungon Gjakova! Në të vërtetë, veprimi ka karakter administrativo-politik. Ndonëse më 1942-shin Gjakova ka popullsi më të madhe se Peja e Prizreni, ajo ishte përcaktuar nga ana juridike si nënprefekturë e klasit III të Shqipërisë së Bashkuar, siç quhej, dhe këto nënprefektura nuk mund të merrnin pjesë në “Kampionatin e topkëmbës”, siç shkruhet. Më duket me shumë kuptim ky pasazh i shtypit të kohës, të cilin po e paraqes fjalë për fjalë:

“Ata që merren me drejtimin e Sportit, duhet t’ishin informue mirë para se me caktue qytetet e Kosovës që do të merrshin pjesë në kampionat. Qyteti i Gjakovës, si në çdo fushë tjetër veprimi (ata që e njofin Kosovën, e dijnë mirë se ç’peshë ka çue Gjakova në Historinë Kombëtare), në kohënat e përparëshme ka qenë kampjone edhe në sport. Për me provue se ishte ba një padrejtësi sportive, skuadra e Gjakovës, e ekipueme, e veshun, e mbathun me lekun e popullit dhe të zyrtarëve të Gjakovës, pa asnjë fond të caktuem nga “Qendra për Sport”, fton në tri ndeshje miqësore, gjatë muajit gusht, qytetet që kanë marrë pjesë në kampionat. Ndeshja e parë bahet në Pejë, në fitim të Gjakovës. Në ndeshjen e dytë vjen Prizreni në Gjakovë dhe mundet. Në të tretën ndeshje Gjakova ban lojën në Prizren me datë 30-VIII-42…”

Ndeshja e madhe, një “derby” – premierë për futbollin e Kosovës, ka nisur në orën 17:30 minuta të 30 gushtit 1942 dhe spektatorët tashmë janë të barabartë, sa prizrenas aq dhe gjakovarë! Skeda e ndeshjes është kjo:

PRIZRENI – GJAKOVA 0-2
PRIZRENI: Shahini, Mazllumi (Grushti), Sinani, Shporta, Mehmeti, Islami, Sala, Kabashi, Rama, Xhemajli, Gota.
GJAKOVA: Luzha I, Zajmi I, Zajmi II, Lleshi II, Naça, Zanuni, Hadri, Xharra, Dylatahu, Lleshi I, Luzha II.
GOLAT: Dylatahu 84’, Hadri 87’

“Rrallë herë, – lexoj në reportazhin autentik të ndeshjes, – analet e Sportit Shqiptar kanë regjistrue lojë ma të rrebtë e ma të shkathët se këte. Të dyja skuadrat kundërshtare luftojnë me tërbim. Prizreni don me e mbajtë epërsinë. Gjakova ia konteston, don me ia grabitë nga duert, me çdo kusht”.

Përfundimisht 2-0 për Gjakovën në këtë ndeshje të paharrueshme, historike të një feste, madje, të paparë futbolli. Futbolli i Kosovës kishte marrë udhë për formime edhe më të vyeshme. Prej këtu do të lindte themelimi historik i Përfaqësueses së Kosovës.

Çudi vërtet: gjithë ky futboll në kohë lufte!

PRIZRENI TRIUMFON MBI SHKODRËN.
Po më parë mbërrin “revanshi” i Prizrenit… Dhe papritmas njoftohet se pritej të mbërrinte edhe një herë Shkodra në Prizren. Ndeshja ka vend në orën 17:00 të 13 shtatorit 1942 para rreth 2000 shikuesve, çka për kohën është krejt e jashtëzakonshme! Midis personaliteteve të pranishme në ndeshje, spikat gjenerali D’Arle, komandant i Divizionit të Puglia-s, që në Kosovë kishte marrë famën e një pasionanti të madh të ndeshjeve sportive. Gjyqtari italian Villa, i cili njëkohësisht është një ushtarak i xhenios, thërret në fushën e lojës skuadrat dhe ndeshja që ka këtë pamje skeduese:

PRIZRENI – SHKODRA 2-1
PRIZRENI: Riello; Ismaili, Zaimi; Shporta, Xharra, Xhaferi; Gota, Vraniqi, Gjinali, Vehbiu, Osmani.
SHKODRA: Nuti; Laçej, Dibra; Alibali, Ademi, Pelingu; Nehani, Halepiani, Abdija, Osmani, Berisha.
GOLAT: Gjinali 15′, Osmani (P) 28′.
GJYQTAR: Giogio Villa (Italia).

Prizreni është përforcuar me të famshmin Skender Gjinalin, dikur lojtar i Shkodrës dhe minuta e 15-të ka protagonist pikërisht atë, teksa po ai përcakton fatin e ndeshjes me golin e tij. E me Gjakovën është dhe lojtari tjetër më parë i Shkodrës, Fisnik Xhara. Së bashku me Ramadan Vraniqin ata janë ndër më të mirët. Dhe 2-1 përfundimtar për Prizrenin!

Fusha e Prizrenit shpërthen prej gëzimit të tifozëve vendës. Shkodra dorëzohet përsëri në Prizren ashtu si tre muaj parë, më 21 qershor 1942, kur në ndeshjen e madhe të kampionatit ishte përkulë 1-3. Muhamet Dibra, Latif Alibali, Isuf Pelinku, Beqo Osmani me shokë, të cilët mbas tre vjetëve do të shpallen kampionë të Shqipërisë së pasluftës, ndërsa Dibra kampion i Ballkanit, janë të detyruar të njohin epërsinë prizrenase përballë tyre. Ata do ta kishin revanshin shumë vonë, mbas tri vjetëve, më 1945, kur në turneun e tyre të paharrueshëm për herë të fundit në Kosovë, do të fitonin 3-0 kundër Prizrenit pasi kishin dhënë shfaqjen 6-0 në Prishtinë me skuadrën me të njëjtin emër! Ajo ishte Shkodra e Loro Boriçit…

Te kujtimet e Fadil Hoxhës, botuar vitet e fundit, ka një foto të bukur që ka lidhje me këtë prani të Vllaznisë në Prishtinë. Është Vllaznia 1945 në Prishtinë. Me një gabim tjetërsimi: Diçitura thotë se në foto janë rinia antifashiste e Shqipërisë dhe e Kosovës duke vënë kurorë lulesh në kampin nazist të përqendrimit në Prishtinë. Në të vërtetë është Vllaznia e futbollit. Dodë Tahiri, Beqir Osmani, Mustafa Nehani, Ibrahim Dizdari, Rifat Rusi, Muc Koxhja, Fahri Fani, Xhelal Juka, Prengë Gjeloshi, Ernest Halepiani, Muhamet Dibra, Lutfi Hoxha, Shefqet Puka, Adem Smajli… Shumica bashkëlojtarë me shokët e tyre të skuadrave të Kosovës në kampionatet e luftës, që themeluan Përfaqësuesen e Kosovës. Askush nuk mund të shpëtojë prej gabimeve të shtypit. Puna është për t’i ndrequr gabimet. Ua kam thënë botuesve se në një ribotim të librit të Fadil Hoxhës kjo pavërtetësi duhet ndrequr. Kam përshtypjen se nuk e kanë bërë…

Vllaznia 1945 do të kthehet në Shqipëri, pa i shkuar ndër mend asnjërit se Kosovën do ta shkelnin vetëm pas nja katër dekadash! Ishte ndalesa e madhe, thuajse shekullore, midis Kosovës e Shqipërisë, të cilën as fashizmi nuk e bëri. E, kohët e fundit një klub i Kosovës është emërtuar me emrin Vllaznia. Është Vllaznia e Pozheranit – debutuesja e kampionatit kombëtar të Kosovës 2017-‘18…

KRYEMINISTRI MUSTAFA KRUJA PËRURON RADIO “KOSOVËN”.
Dhe pikërisht në ditët e qershorit 1942, kur po përfundonte Kampionati Mbarëkombëtar, në Prishtinë shkon për vizitë kryeministri Mustafa Kruja. Saktësisht më 27 qershor 1942 dhe pikërisht në ditën e ndeshjes së fundit të kampionatit që i jep titullin Sport Klub Tiranës pas dy ndeshjeve (27 e 29 qershor) 2-1 e 1-1 ndaj Prizrenit.

Mustafa Merlika Kruja e ka vizituar, pra, Kosovën më 27 qershor 1942. I shoqëruar prej protagonistit të madh të ngjarjes sonë, Ekrem bej Vlorës, ministër i Tokave të Lirueme, siç ishte emërtimi zyrtar germë për germë, si dhe prej Ministrit të Punëve Botërore, Iljaz Agushi, kryeministri shqiptar mbërrin në aeroportin e Prishtinës me avion, në të vërtetë janë dy avionë tremotorësh, pas një udhëtimi që asokohe zgjati 1 orë e 30 minuta. Kruja ndodhej në avionin e tij, ndërsa dy ministrat në avionin tjetër të shoqëruar me gazetarë, fotografë dhe stenografë!

Ai ishte i pari kryeministër shqiptar që shkelte tokën shqiptare të Kosovës në jetë të jetëve. Dhe “përshëndetja që i blatoi Prishtina ishte e flaktë”, siç thotë kronikani i kohës.

Në aeroport e presin një grup i tërë autoritetesh të prira prej prefektit Riza Drini dhe kryetarit të Bashkisë së Prishtinës, Hysen Prishtina. Në 12 kilometra të tëra nga aeroporti deri në qendër të qytetit, qindra e qindra shqiptarë të Kosovës përshëndesin kryeministrin, që kalon përmes tyre në të dyja anët e tokave, apo “të fuqisë së madhe prodhimtare të Kosovës kreshnike, ai popull që s’ka lanë asnjë pëllëmbë tokë të papunuar”.

VIJON NË PJESËN II

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Dossier nga BESNIK DIZDARI/ Tre “29 Nëntorë” në 80-vjetorin e themelimit të “Kombëtares” së Kosovës (PJESA II)

Dossier nga BESNIK DIZDARI/ Tre “29 Nëntorë” në 80-vjetorin e themelimit të “Kombëtares” së Kosovës (PJESA III)