Tre “29 Nëntorë” në 80-vjetorin e themelimit të “Kombëtares” së Kosovës (PJESA III)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2023 | 21:18

Tre “29 Nëntorë” në 80-vjetorin e themelimit të “Kombëtares” së Kosovës (PJESA III)

NGA BESNIK DIZDARI
VIJON NGA PJESA II
Dhe mbërrin mbyllja përsëri zyrtare. “Mëkambësi i Vitor Emanuelit të Tretë, Shkëlqesa Jacomoni pret përzemërisht skuadrat”.

TIRANË 1942. Fusha e Shallvares. Përfaqësuesja e Kosovës në ndeshjen themeluese me atë të Tiranës.

TIRANË 1942. Fusha e Shallvares. Përfaqësuesja e Kosovës në ndeshjen themeluese me atë të Tiranës.

Edhe kjo hyn në historinë e kohës. Pritja është bërë ditën e nesërme të ndeshjes, 30 nëntor 1942. Skuadrat të prira nga Kryetari V.K.P.SH., Këshilltari Epror, Vasil Alarupi, paraqiten te Jacomoni, ku janë të pranishëm edhe kryeministri Mustafa Merlika Kruja, Ministri i Tokave të Lirueme, Ekrem bej Vlora, Këshilltari i Përhershëm i Partisë Fashiste Shqiptare, Lugini, z,. Bllaca e z. Fortuzi. Më pas dreka e dhënë për të dyja skuadrat nga Bashkia e Tiranës në prani të Ministrit të Tokave të Lirueme, Ekrem bej Vlora, organizatori kryesor i këtij themelimi.

Nuk ka dyshim se në skenë dhe në prapaskenë ishte pushtuesi fashist, tejet i aftë për ta shfrytëzuar këtë përvjetor për synimet e tij. Po nga ana tjetër, shqiptarët dinë ta shfrytëzojnë edhe ata gjithçka për afshin e atdhetarisë së zemrës së tyre. Mjafton të përimtosh programin e radio “Tiranës” së 28 nëntorit 1942:
“Ora 7.05: Këngë atdhetare; 8.15: Këngë popullore;12.30: Këngë atdhetare; 12.45: Këngë popullore; 13.45: Orkestra popullore; 17.00: Vargje atdhetare; 19.20: Këngë nga malet shqiptare; 23.00: Këngë atdhetare”.

Ndërkaq, nga vështrimi i historisë së gazetarisë së folur, radio “Tirana” vendos padyshim një rekord që i bën nder në Europë. Brenda një dite të vetme, atë 28 nëntor 1942, ajo ka pasur katër transmetime të drejtpërdrejta: “12.10: Lidhje me Pallatin Mbretnuer për të transmetue radiokronikën dhe zhvillimin e ceremonisë. 14.00: Ligjerata kremtuese e Kryeministrit Shk. Mustafa Merlika Kruja dhe kumtimi i Ministrit të Arsimit për pagëzimin e shkollave dhe rrugëve me emna patriotësh. 21.00: Lidhje me Theatrin Savoia, transmetim i zhvillimit të Mbrambjes artistike”.

Cilët mund të kenë qenë radiokronistët? Tejet interesante për t’u hulumtuar edhe këto themelime të jashtëzakonshme në sferën e gazetarisë së folur në Shqipëri mbas sensacionit po të rangut europian, të transmetimit të drejtpërdrejtë për herë të parë në histori të ndeshjes së shtatorit 1938, SK Tirana – Iraklis e Kavallës 7-0, prej Anton Mazrekut.

RISITË E BEKIM FEHMIUT DHE TË FADIL HOXHËS.
Historia kishte shkruar kështu, ditën e themelimit të Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Ishte themeluar në një ditë të shënuar të kremtimeve të 30-vjetorit të Pavarësisë, ndonëse për fat me dekadat që do të vinin, gjithçka do të harrohej, madje do të fshihej nga historia, për të rihyrë në histori pas dekadash të tëra e për t’u pasuruar tejet në plot risi në këtë “libër” të sotëm. Pikërisht në ditët apo vitet e rikthimit të madh, historik të Përfaqësueses së Kosovës, tashmë në lirinë e konsakruar.

E atëherë ka qenë 1942! Plot 80 vjet më parë. Shqipëria kishte zhvilluar të parin dhe të vetmin kampionat kombëtar me pjesëmarrjen e skuadrave të Kosovës. E madje, një pjesë e turneut ishte zhvilluar po në tokën e Kosovës, pikërisht në Prizren, skuadra e të cilit ishte renditur e treta, duke tronditur Shallvaren e Tiranës me ndeshjet e saj të bujshme, që për kohën qenë të papërmbajtshme: Prizreni – Peja 2-1, Prizreni – Prishtina 5-0, Prizreni – Shkodra 3-1, Tirana – Prizreni 2-2, Tirana – Prizreni 2-1. Kishte lënë pas jo dokëdo, por një Durrës e një Korçë, një Berat e një Gjirokastër!

Ai ka qenë një qershor historik i ndërkombëtarizimit befasues të talenteve të futbollit shqiptar. Më 14 qershor 1942 Naim Kryeziu bëhet kampion i Italisë me klubin Roma, duke qenë titullar i palëvizshëm i 11-shes së saj. Më 28 qershor 1942 Riza Lushta me 3 golat e tij të pandalshëm i jep finalen dhe Kupën e Italisë Juventusit përballë Milanit në 4-1-shin famëmadh që ishte e tëra vepër e tij. Por në Itali luajnë edhe Loro Boriçi e Sllave Llambi.

Loro Boriçi luan si “half”, me Lacion e Romës. Sllave Llambi me Fanfulla-n, ndërsa Lushta si Lushta! Në vitin e tij të madh 1942 kur arrin në 15 gola të tij juventinë, dhe një vit më vonë kryeshënuesi më i mirë i Serisë A për lojtarët e huaj: 17 gola duke qenë thuajse në një vijë me Piola-n (21) – më i miri i botës! Qysh atëherë ADN-ja e futbollit shqiptar…

Ndërsa në Tiranë themelohej kombëtarja e Kosovës së tyre.

Dhe pjesë e saj një tjetër emër, krejt i shquar në origjinalitetin e rolit të tij. Është Mazllum Xërxa. Një protagonist unikal: ai është në 11- shen themeluese të Kombëtares së Shqipërisë më 1936 së bashku me Lushtën dhe Kryeziun, por është edhe në 11-shen themeluese të Përfaqësueses së Kosovës më 1942-shin. Ky është i vetmi shqiptar themelues i dy Kombëtareve, Shqipëri dhe Kosovë!

Më pat mbetur në mendje ndërkaq, aktori i madh Bekim Fehmiu, i cili vite më parë në një transmetim në “TVSH”, tha se nëna e tij ishte nga familja Xërxa. Pata menduar: “Mos është një afërm i ngushtë i tij futbollisti Mazllum Xërxa”, për të cilin teksa e studioja në foton ku ai ka dalë me kostum civil me Vllazninë në Prizren, para ndeshjes së vitit 1942, më ngjasonte jo pak me Bekim Fehmiun, saqë për një çast më dukej se mund të ishte daja i aktorit të madh? E për Xërxën më kishte folur miku im dhe i familjes, i paharrueshmi prof. Ramadan Sokoli, sepse Xërxa kishte jetuar në shtëpinë e tij në Shkodër.

Duhej të vinte viti 2011 dhe Bekim Fehmiu të botonte librin e tij biografik, “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, në vëllimin e parë të të cilit e ka personazh jo të rrallë pikërisht dajën e tij, protagonistin tonë të këtushëm me emrin Mazllum Xërxa. Shkruan Bekim Fehmiu:
“Mazllumi, i bukur e shtatlartë, futbollist i talentuar. derisa ishim në Shkodër e patën ftuar të luante për skuadrën “Roma” të Italisë, por gjyshja nuk e pat lejuar”…

Kështu pra, gjithnjë e më të reja zbulon shkrimi e rishkrimi i historisë. Dhe në parantezë, e reja më e fundit për futbollin është ajo çka ka shkruar Fadil Hoxha në librin e tij të kujtimeve, kur flet për vitet e tij në konviktin “Malet tona” të Shkodrës. Shkruan Fadil Hoxha:
“…Në konvikt ka pasur futbollistë të mirë: Riza Lushta, Mazllum Xërxa, Skender Gjinali, Naim Kryeziu…”.

Deri më sot këtë askush nuk e ka ditur. Është një lloj përmbysjeje e hollësive historike, sidomos për më të mëdhenjtë tanë, Lushtën e Kryeziun, për të cilët deri më sot dinim se e kanë filluar futbollin vetëm në Tiranë. Dhe kurrë nuk ma kishte marrë mendja se prej udhëheqësit apo figurës më të madhe të Kosovës së periudhës, e pakta deri andej nga 1988- ta, po dhe të nënpresidentit të Jugosllavisë Fadil Hoxha, do të më dilte ky përcaktim dhe kjo e dhënë historike për katër futbollistët më të famshëm të Kosovës së para e gjatë Luftës së Dytë Botërore – personazhe të spikatura të shkrimeve e librave të mi. Është një zbulim, që ndërkaq i bën një nder befasues Shkodrës sportive, e cila ia paska blatuar hapat e parë të futbollit edhe Lushtës e Kryeziut të Sport Klub Tiranës, Juventusit, Romës!…

Ky është shkrimi dhe rishkrimi i vazhdueshëm i historisë, që përherë të shpalos të reja.

RAMADAN VRANIQI I KOSOVËS – STAF I JUGOSLLAVISË NË TIRANËN 1967.
Kur kemi nderuar me Çmimin “Anton Mazreku” njërin prej gazetarëve sportivë më të shquar të Kosovës, të paharrueshmin Veli Vraniqi, papritmas do të shkoja paksa edhe te vëllai i tij Ramadan Vraniqi, partizan i vjetër, njeri i politikës kosovare dhe me role qeverisëse të Pasluftës. E kisha “takuar” në një foto sportive të nxënësve të Normales së Prishtinës të viteve të luftës së bashku me mësuesin e tyre Feti Dizdari, për mua “axha Feti” i shtrenjtë. Përveç të tjerave, figurë e madhe e arsimit dhe sportit shqiptar, atlet rekordmen i Paraluftës dhe padyshim trajneri legjendë i këtij sporti për vajzat në Shqipëri – shkollë e kampioneve e rekordmeneve të pafund. E mandej një prej sa e sa mësuesve që dërgoi ministri Ernest Koliqi në Kosovë, por dhe një nga veprimtarët e këtij kampionati mbarëkombëtar, datuar 1942.

E vështroja Ramadan Vraniqin e ri me kostumin sportiv së bashku me mësuesin e tij të sipërpërmendur në një fotografi ku ishin gjashtë nxënësit Hasan Kaleshi, Xheladin Softa, Fuad Grapci, Ramadan Vraniqi, Hamit Thaçi dhe Nijazi Deva. Gjithë mjegullën më në fund do të ma qartësonte vite më parë familja e Veli Vraniqit, më saktë, bija e tij, studentja Lydra Vraniqi, e cila kur u takuam, më premtoi se do të më sillte librin e sapobotuar kushtuar xhaxhait të saj të ndarë nga jeta në vitin 2000. E libri mbërriti në duart e mia. Kjo e bënte edhe më tepër Ramadan Vraniqin personazhin tim të kampionateve të luftës, por siç do ta shohim më tej, jo vetëm kaq. Ky afirmim i tij po më qartësonte edhe më fort vetëthemelimin e Përfaqësueses së Kosovës, sot e 80 vjet të shkuara, për çka ai është protagonist. Mbi të gjitha, për të kuptuar më mirë mjedisin futbollistik, më saktë, mjedisin politiko-sportiv të Kosovës së asokohe.

Ramadan Vraniqi (1922-2000) është një prej themeluesve – protagonistë të Përfaqësueses historike të Kosovës të 29 nëntorit 1942. Do të mbetej pas kjo ndeshje, madje do të mbulohej nga pluhuri shekullor i harresës. Po prej saj do të rridhte një afsh i pashuar futbollistik. Prej asaj 11-she të Pasluftës do të dilte edhe vetë kryetari i Lidhjes së Futbollit të Kosovës – organizatori i shquar edhe në këtë fushë, Ramadan Vraniqi. Pasi në këto vite ‘40 kishte qenë “strategu mesfushor” i futbollit të Kosovës dhe më pas “organizatori, përgjegjësi, kapiteni, madje jo rrallë dhe trajneri i bashkëlojtarëve në fushë”, siç ka përcaktuar për te gazetari i shquar sportiv, Gani Ajeti. Do të vinin kohëra edhe më paradoksale kur pjesëtari i asaj 11-she të 1942-shit, Ramadan Vraniqi, pas 25 vjetëve, më 14 maj 1967, do të mund të ndodhej në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” si pjesë e drejtuesve të kombëtares së Jugosllavisë në ndeshjen kundër Shqipërisë për Kampionatin Europian! Ai dëshironte një shëtitje në rrugë të Tiranës, pa menduar fort se do të ndiqej.

Ka shkruar Gani Ajeti:
“…Po sa dolëm nga ‘Dajti’, Ramadani me hapa të shpejtë filloi të grabis rrugën… U ndalëm… Ramadani me shikim të veçantë shikonte hyrjen e Burgut të Tiranës.. ‘Vizita’ e hyrjes së Burgut të Tiranës përfundoi në momentin kur u shfaqën ‘shoqëruesit’ tanë. Shpesh më ka folur Ramadani për ikjen e tij dhe të shokëve nga Burgu i Tiranës në vitin 1941…”.

Dhe përsëri kolegu Gani Ajeti:
“…. Është 14 maj i vitit 1967. Ora 17.00. Stadiumi ‘Qemal Stafa’. Të dy përfaqësueset janë rreshtuar në mesin e fushës… Dëgjohen tingujt e himnit kombëtar… Emocionet nuk kanë fund as të ndalur. Sytë e Ramadanit vezullojnë nga mburrja dhe gëzimi. Është hera e parë që qëndrojmë gatitu para flamurit tonë…”.

Një vit më vonë, më 1968, Ramadan Vraniqi i ndeshjes së 1942-shit bind sekretarin e përgjithshëm të UEFA-s, Hans Bangerter, që Prishtina, Prizreni, Mitrovica, Peja, Gjakova mund t’i organizojnë ndeshjet e Grupit A të Kampionatit Europian të nën 18-vjeçarëve, duke flakur tej gjithë dyshimet e pakënaqësitë e Beogradit, sepse Kosova ishte përveç të tjerave edhe një tokë e pasur futbolli. Natyrisht pa përmendur, se më 29 nëntor 1942 ajo kishte themeluar Përfaqësuesen e saj.

Ramadan Vraniqi është figurë e mirënjohur e jetës politiko-shoqërore dhe kulturorosportive të Kosovës, ambasador i Jugosllavisë në Turqi, kryetar disavjeçar i Lidhjes Futbollistike të Kosovës, themelues i klubit “Liria” të Prizrenit, lojtar, kapiten, drejtues dhe trajner, kryetar i Komitetit Organizativ të Kampionatit Europian të të Rinjve të UEFA-s (1968, Grupi B) zhvilluar në Kosovë. Dhe i cili së bashku me shokët e tij kishte themeluar në Tiranë Kosovën e futbollit më 1942-shin. Si në një fatalitet të politikës sa sportive aq edhe josportive, mû këtij Ramadan Vraniqi do t’i takonte të ishte njëri prej kryesuesve të delegacionit të Jugollavisë në Lojërat Olimpike të Romës më 1960 ku ekipi jugosllav i futbollit me Jusuf, Galic, Kostic Soskic, Takac me shokë, fitoi titullin e Kampionit Olimpik. Shtatë vjet më vonë Ramadan Vraniqi do të jetë pjesë e kreut drejtues të Jugosllavisë së Rajko Miticit në ndeshjen e saj me Shqipërinë, 0-2 më 1967 në Tiranë.

I ndodhte kjo një njeriu, një shqiptari të Kosovës, një ish-futbollisti po dhe kryetari të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili 25 vjet më parë me shokët e tij kishte themeluar Përfaqësuesen e Kosovës po në këtë Tiranë, vetëm treqind metra më larg prej këtij stadiumi, aty, te fusha e Shallvares. Ramadan Vraniqi nuk mundi të përjetonte çastet e pashlyeshme të vitit 2002, kur në stadiumin piktoresk të Prishtinës, dy Përfaqësueset, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, dilnin në fushën e lojës para mizërisë së mijëra shikuesve të Prishtinës në Ndeshjen e Lirisë. Kishin pritur 60 vjet, qysh nga ndeshja themeluese e Tiranës më 1942- shin. Ramadan Vraniqi nuk ia arriti. Ishte ndarë nga jeta në vitin 2000. La emrin e tij të nderuar. Dhe jo vetëm ai…

40 FUTBOLLISTË TË KOSOVËS ME SHQIPËRINË DERI TE FINALET E “EURO 2016”.
Rrënjët e themelimit të Përfaqësueses së Kosovës më 1942-shin, sot duken që janë një. Sepse futbolli kurrë nuk është thjesht një lojë, bile as vetëm një sport. Është diçka më shumë. Është zemër, ndjenjë, atdhetari dhe kulturë kombëtare.

E megjithatë, “Kombëtarja” apo Përfaqësuesja e Kosovës, pak ka qenë vëmendje e Jugosllavisë teksa Kombëtaret e Republikave të tjera jo rrallë, qysh më 1945 më shpesh dilnin në fushën e lojës për një kampionat jugosllav ndërepublikan.

Por siç kemi shkruar me kohë, në prag të ndeshjes Jugosllavia – Shqipëria 4-0 të 12 nëntorit 1967, në Prishtinë është zhvilluar ndeshja më e paprecedentë që mund të mendohet, ajo Jugosllavia – Kosova, një 3-3 spektakolar. E këtu nuk do të zgjatemi.

Por kolegu i Kosovës, Azem Brovina – radiokronisti i madh, në librin e tij “1282 transmetime e komente në ‘RTP’ & ‘RTK’” na ka befasuar kur na njeh suksesin e Përfaqësueses së Kosovës në Turneun Futbollistik “Vllazërim – Bashkim” më 1975: Kosova – Mali i Zi 2-0, Kosova – Bosnjë Hercegovina 2-1, Kosova – Sllovenia 2-0 dhe ndeshja finale Kosova – Maqedonia 1-0. Kur më parë Mali i Zi kishte eliminuar 2-0 Serbinë, Sllovenia 3-1 Kroacinë dhe Maqedonia 3-0 Vojvodinën. Me përjashtim të Vojvodinës – sot të gjitha janë shtete të pavarura që me kombëtaret e tyre marrin pjesë rregullisht në Kampionatet e Europës dhe të botës. Për hir të së vërtetës historike duhet thënë se formacionet e Kosovës në këto ndeshje janë të mbushura me futbollistë të kombësive të tjera që jetonin në Kosovë. Dihet, pas Brioneve Kosova kishte fituar jo pak, por “pushtimi” jugosllav ende vazhdonte.

Historia do të përmbysej edhe për gjeopolitikën e futbollit po pas rënies së Murit të Berlinit. Në Europë për Kosovën më vonë se të gjithë të tjerët. Fati dramatik i kombit shqiptar!…

Liria e vetvetishme e futbollit të Kosovës do të vononte, pra. Disi papritmas do të shfaqej 19 qershori 1993, kur në Tiranë Seleksioni i Shqipërisë ndeshet me atë të Kosovës. Është 3-1. Ishte Kosova e Beselicës, Berishës, Sadriut, Seferit, Llapashticës, Jerliut, Munishit, Ajetit, Sahitit, Hoxhës dhe Koznikut, Idrizit, Rafunës, Osmanit, Bejtes, Nushit. Ishte 51 vjet pas ndeshjes themeluese Tirana – Kosova e 29 nëntorit 1942. Largësitë po afroheshin edhe për shqiptarët e të dyja anëve. Duke mbërritur me ndeshjen kulmore, atë të 6 shtatorit 2002 të Prishtinës: Kosova – Shqipëria 0-2. Dhe në të dyja këto ndeshje spikat prania e një emri të madh të futbollit të Kosovës: Adrian Kozniku – i treti në botë me Kroacinë në Kupën e Botës 1998.

Nuk do të ishte ky kulmi megjithatë. Janë dy kulme të tjera. Është pranimi i Kosovës në UEFA e FIFA. Është pjesëmarrja e saj në kualifikimet e Kupës së Botës. Dhe kulmimi tjetër, ai i shtrirë në gjithë këto vite 2000 të shekullit XXI. Në të vërtetë me një sensacion të pashembullt: plot 40 djem të Kosovës në vitet 1998 – 2016, kur Shqipëria mbërrinte për herë të parë në finalet e Kampionatit Europian, kanë veshur fanellën e Kombëtares së Shqipërisë! Një histori që fillon me portierin Arian Beqaj më 1998-ën. Dhe me të deri më 2016 plot 40 futbollistë shqiptarë të Kosovës nën Kombëtaren e Shqipërisë. Për nderin e tyre dhe tonin po rreshtojmë emrat e tyre duke ruajtur pak a shumë rendin e ardhjes së tyre në Kombëtaren e Shqipërisë:

Beqaj, Hasi, Dragusha, Cana, Dallku, Curri, Kastrati, Berisha, Rustemi, Ujkani, Januzi, Mavraj, Brahimi, E.Berisha, Kukeli, M.Basha, Abrashi, V.Basha, Gashi, Mehmeti, Lenjani, Aliti, Aliji, Rrahmani, T.Xhaka, Ajeti, Shala, Meha, V.Rama, Rashica, Fejzullahi, Gjimshiti, Veseli, Rashica, Llullaku, Latifi, Grezda, Ahmedi, Ajdarevic, Qaka.

Ky është një rast botëror. Ashtu siç është rast botëror edhe ndeshja e 29 nëntorit 1942 e 80 vjetëve më parë. Prej këtyre dolën ata që e çuan Shqipërinë në finale për herë të parë në finalet e një Kampionati të Europës. Ky qe një kulminacion tjetër i markës së shqiptarëve të Kosovës për Shqipërinë. Dhe për këta ata patën një mik të madh: për çudinë e historisë, një italian me emrin Gianni de Biasi, i cili besoj ndaj tyre më shumë se askush tjetër. Ky nuk është një paralelizëm me Kosovën e themeluar nën Italinë më 1942. Është thjesht një përkim, siç e patë, plot trille të historisë së futbollit tonë të dy shekujve: atij XX dhe këtij XXI. Dhe vetëm kaq.

E pra, cila është e ardhmja e kësaj historie krejt të jashtëzakonshme për ne?

Djem të Kosovës vazhdojnë të veshin fanellën e Shqipërisë, ndonëse jo si “EURO 2016” kur 62 për qind e “finalistëve” tanë ishin djem të Kosovës. Sot Kosova ka kombëtaren e saj. Ndonëse prapë guxoj të them: përpara është një e ardhme plot shpresë e Kosovës dhe e Shqipërisë. Dhe jo vetëm në kombëtaret e futbollit, në shumës. Kombi shqiptar është i vetmi komb që ka dy kombëtare të futbollit.

Nuk mund ta harrojmë kurrë 29 nëntorin e vitit 1942, më i veçanti në gjininë e vet midis tre 29 nëntorëve me të cilët ju përshkruam në këtë “libër” tonin.…

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Tre “29 Nëntorë” në 80-vjetorin e themelimit të “Kombëtares” së Kosovës (PJESA II)

Dossier/ Tre “29 Nëntorë” në 80-vjetorin e themelimit të “Kombëtares” së Kosovës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"