Trajneri Nica “sforcon” Kukësin para Tiranës, 4 titullarë në limite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2023 | 20:55

Trajneri Nica “sforcon” Kukësin para Tiranës, 4 titullarë në limite

Kampionati ka hyrë në fazën e vet më vendimtare të sezonit, ku të gjitha ekipet përpiqen të marrin maksimumin. E tillë është situata edhe te Kukësi, me blutë që duan të konsolidojnë pozitat në mesin e tabelës dhe të mos u rikthehen më vendeve të fundit që kishin në fillim të edicionit.

kukesi

Për këtë arsye, Stavri Nica, u ka kërkuar lojtarëve gjatë stërvitjes që për asnjë moment të mos e ulin ritmin dhe të mos kalojnë në vetëkënaqësi me rezultatet e koleksionuara në javët e fundit. Mjafton vetëm një hap fals dhe skuadra mund të rikthehet sërish në vendet e fundit.

SITUATA PARA TIRANËS – Në tërësi situata paraqitet optimiste në kampin verilindor, për më tepër që i ka shërbyer Nicës për t’i dhënë disa ngarkesa ekstra në stërvitje, duke përfituar nga ndalesa e gjatë që kanë pasur. Ndaj Tiranës ekipi do të hyjë në fushë për të dalë me një rezultat pozitiv, edhe për faktin që ekipet kanë treguar se mungojnë diferencat mes tyre këtë sezon. Në fazën e parë ekipi është mundur në Kukës në shifrat 1-2, por tani vijnë me të tjera pretendime dhe me një tjetër moral në përballjen ndaj nënkampionëve në fuqi të Superligës.

Gjithsesi, duke qenë se sfida luhet në transfertë dhe ndaj një skuadre që ka pretendime madhore, në kampin blu do të ishin të kënaqur edhe me një barazim. Kukësi vjen në këtë përballje pas një barazimi pa gola me Dinamon në shtëpi, duke shkuar në kuotën e 14 pikëve, katër më pak se Tirana.

KARTONËT – Nëse për bardheblutë Kukësi nuk do të ketë mungesa për arsye të kartonëve, ka disa lojtarë që rrezikojnë nëse ndëshkohen në këtë përballje. Për këtë arsye, janë dhënë direktiva që të tregojnë kujdes dhe të mos marrin kartonë të panevojshëm, sepse ndeshjet në vijim janë po aq të rëndësishme sa kjo me Tiranën.

Përkatësisht, bëhet fjalë për katër futbollistë që rrezikojnë dhe janë me nga tre të verdha. Plarent Fejzaj, Franci Lala, Vasil Zhongo dhe Sebastian la Torre, duhet të maten mirë në fushë. Janë futbollistë të rëndësishëm për ekipin e Stavri Nicës, pasi në pjesën më të madhe të ndeshjeve janë aktivizuar si titullarë në fushë.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"