Trajneri i skuadrës së Kategorisë së Parë jep dorëheqjen duke akuzuar: Ishte një maskaradë e… FSHF-së (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2021 | 23:46

Trajneri i skuadrës së Kategorisë së Parë jep dorëheqjen duke akuzuar: Ishte një maskaradë e… FSHF-së (E PLOTË)

Samuel Nikaj jep dorëheqjen e parevokueshme dhe akuzon FSHF-në. Trajneri i Burrelit u shfaq tepër nervoz dhe mjaft i revoltuar me arbitrat, për të cilët tha se kishin mision për ta nxjerrë Burrelin jashtë loje.

Nikaj

“Nuk lejojmë asnjë të tallet me djersën tonë e të lojtarëve të mi. Nuk mund të vazhdohet më kështu. Që sot jap dorëheqjen dhe askush s’më kthen më. Nuk mund të bëhem pjesë e një maskarade të thurur nga FSHF-ja. Le të më dënojnë sa të duan për këto fjalë që po them. Kemi zhvilluar kampionatin më të mirë. Madje, kam ndërtuar skuadrën më të mirë të karrierës sime. E përjetova një situatë të tillë edhe në ndeshjen me Korabin.

Të njëjtën gjë përjetova dhe sot (të shtunën) me Dinamon. Unë nuk mund të qëndroj më këtu. Po deklaroj dorëheqjen për respekt të asaj pune të madhe që kemi bërë në këtë klub. Në Burrel asnjëherë nuk ka ndodhur që arbitrat të sillen kështu. Çdo ndeshje ka qenë e qetë dhe është luajtur futboll. Nuk jam trajner dosido, por trajner që e njoh futbollin, kam përvojë në këtë nivel kategorie. I njoh mirë situatat, por si kjo s’më ka ndodhur asnjëherë.

Kemi bërë gjithçka për një skuadër që meritonte Superioren. Për sa i përket ndeshjes, kemi pasur dy raste flagrante, nuk arritëm të shënonim e dominuam lojën gjatë gjithë kohës. Nuk kam asgjë me kartonin e kuq, ishte i rregullt po ashtu dhe goli i Dinamos. Por arbitrimi u menaxhua keq gjatë lojës duke u bërë shpeshherë palë me Dinamon. Mënyra si u dhanë faullet e kartonët ishin shenjat e keq menaxhimit. Na anuluan një gol mjaft të rregullt në fund të takimit, që na shkatërroi edhe nga nervat”, përfundoi Nikaj, i zhgënjyer.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"