Trajneri i Lushnjës injoron mungesat: Nuk jemi si vjet, më parë mendoheshim 100 herë për një lojtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 19:50

Trajneri i Lushnjës injoron mungesat: Nuk jemi si vjet, më parë mendoheshim 100 herë për një lojtar

Lushnja pësoi humbjen e parë në Bilisht dhe me Orikun është e detyruar të kthehet te fitorja. Objektivi i saj nuk i pranon dy hapa të gabuar radhazi. Trajneri Ilir Gjyla do të ketë mungesa të rëndësishme, por nuk është i shqetësuar.

gjyla

“Ka qenë një javë stërvitore, ku skuadra ka punuar normalisht për ndeshjen e radhës. Kemi disa mungesa nga formacioni, Sefën të dëmtuar dhe Monen e Ibrahimllarin me kartonë. Megjithatë, grupi është më i plotë këtë sezon. Nuk jemi si vitin e kaluar, kur mendoheshim 100 herë kur na mungonte një futbollist. Tani Lushnja është e kompletuar dhe për këtë jemi të qetë. Përderisa stërvitim 25 vetë, çdo futbollist ka vendin e vet dhe mendoj që jemi të përgatitur për situatën.

Takimi luhet të dielën, kështu që ka edhe disa ditë për t’u përgatitur. Kemi përballë një skuadër serioze, me djem që kanë mjaft eksperiencë, një skuadër që di të luajë futboll. Dua të mos bëjmë gabimet e javëve të para dhe këtu kam parasysh që e fillojmë ndeshjen shumë lehtë, sidomos në mbrojtje, ku jemi jashtëzakonisht të lehtë. Asnjë skuadër nuk e lë kundërshtarin të luajë kaq lirshëm sa Lushnja. Jemi munduar ta riparojmë gjatë javës këtë defekt, për të qenë plotësisht të gatshëm për të dielën”, është shprehur trajneri Gjyla për “Panorama Sport”.

ORARI – Takimi Lushnja-Oriku do të luhet ditën e diel, në orën 13:00, në stadiumin “Roza Haxhiu”. Ky është takimi i tretë që verdhejeshilët luajnë të dielave, pas derbit me Apoloninë dhe transfertës me Devollin. Lushnjarët vijojnë me përgatitet e tyre në kuadrin e kësaj ndeshjeje, ku synohet vetëm fitorja dhe rikthimi në vendin e parë, me shpresën e një ndalese të mundshme të Devollit në Cërrik.

INFRASTRUKTURA – Bashkia e Lushnjës, aksionere e vetme e klubit, po kryen një rikonstruksion të ambienteve sportive që shumë vite më parë i kanë shërbyer ekipit të notit. Prej vitesh këto ambiente kanë qenë jashtë funksionit dhe po rikonstruktohen për t’u vënë në shërbim të ekipeve të akademisë, por problem i madh për Lushnjën mbetet gjendja e terreneve sportive, që lë shumë për të dëshiruar. Këto terrene ndodhen në kushte shumë të këqija dhe nuk plotësojnë asnjë kriter për procesin stërvitor.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"