Trajneri fut në “skaner” afrimet dhe synimet, Memushi: Boll me emra në merkato, duhet cilësi te Flamurtari (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2024 | 22:50

Trajneri fut në “skaner” afrimet dhe synimet, Memushi: Boll me emra në merkato, duhet cilësi te Flamurtari (E PLOTË)

Eqerem Memushi e shikon të vështirë garën, por jo të pamundur Superioren. Ish-trajneri thekson se sezonin e kaluar ishin më afër për të kapur elitën, ndonëse në fund nuk u ngjitën dot. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, komenton edhe merkaton e janarit. Mendon se skuadra nuk ka nevojë për emra të mëdhenj, por për lojtarë që punojnë.

eqerem memushi

Ndalet edhe ndeshja me Apoloninë, të cilën e cilëson të rëndësishme për ecurinë për objektivin. Kërkon të punohet më shumë me moshat pasi është fatkeqësi që sot nuk ka një vlonjat në ekipet kombëtare të moshave.

Si e shikon Memushi Flamurtarin e këtij sezoni?

Është viti i dytë që Flamurtari futet si pretendent për të kapur elitën e futbollit. Mendoj se vjet ishim shumë herë më afër sesa këtë vit. Këtë sezon fillimin e kishim shumë të dobët. Një skuadër që pretendon për të shkuar lart, po i heqim ato anët e tjera dhe flasim në anën e futbollit. Nuk u ka munguar gjë. Klubi me financat ka qenë shumë korrekt.

Si mund të sigurohet ngjitja?

Janë dy rrugë për të shkuar në elitë. Sikundër ishin edhe vjet. Nëse ti nuk e ke fatin për të shkuar me dy të parat, të jepet një shans tjetër që është “play off”. Atëherë këtu tregohet se çfarë skuadre je ti. Nëse arrin objektivin tregon që je skuadër, nëse nuk e arrin pastaj…

Po për blerjet e merkatos dimërore, keni një vlerësim?

Nuk e di, me këto blerjet që kemi bërë në janar… Për mua Flamurtari nuk duhet të shikojë emra në merkato. Duhet të shikojnë njerëz që kanë rendiment në fushë. Të shikojnë edhe moshën dhe t’i përshtaten ritmit, se duhet të përballojnë sezonin që është i gjatë.

Të shtunën rinis gara në Fier, çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Pikët jashtë janë më të rëndësishme se sa brenda për një skuadër që kërkon të tregojë të jetë pretendente. Për të realizuar atë objektiv që i ka vënë vetes. Koha është e gjatë. Pikët janë. Do të luhen 16 ndeshje dhe pikët janë për të kapur objektivin.

Varet nga ecuria. Sfida e parë është shumë e rëndësishme. Ndeshja me Apoloninë është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e skuadrës. Nëse ne do të marrim pikët e plota, do të jemi aty. Do të jemi afër Elbasanit dhe Ballshit. Nëse do të hedhim një hap të gabuar, nuk është mirë.

Si e shikoni të ardhmen e talenteve vlonjate, kemi të tillë?

Ka një problem sa i përket çështjes së moshave. Shikojmë që në ekipet kombëtare U-17, U-19, U-21, ka zero vlonjat, asnjë emër nga Vlora. Është shumë shqetësuese për në si qytet. Thonë në gjysmëfinale Bylis me këtë… Bylis U-21 vend të parë, nuk e di. Unë këtë nuk arrij ta kuptoj dot këtu në qytetin tonë, këtu te ne që i kemi pasur të gjitha mundësitë dhe kemi pasur vlonjatë, por nuk kemi ditur që t’i mbajmë.

Kreshnik Çipi është shprehur se duhet bashkëpunim mes ekipeve të Vlorës, si mendoni ju?

Kam pasur fatin që ta drejtoj Orikumin edhe vetë si trajner. Është prishur ai ekuilibri që kur është ajo mosha kur nuk mund të japin dot te ekipi i Flamurtarit, të bashkëpunojnë me klubin tjetër. Fati im ishte që kur drejtoja Orikun, 90% të skuadrës i kisha stërvitur vetë me U-19 e Flamurtarit. Aty u prish çdo gjë edhe te Oriku që deri vjet ishte në Kategori të Parë.

Prishi ekuilibrat, hoqi lojtarët vlonjatë, mori lojtarë të huaj, kostoja i shkoi më lart me ata. Po të shikosh si Labërinë ashtu edhe Orikumin, mund të gjesh vetëm një ose dy vlonjatë. Këto skuadra janë formuar me lojtarë të ardhur.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"