Tomori vazhdon me huazimet, fiton në miqësore mes sherrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2021 | 22:49

Tomori vazhdon me huazimet, fiton në miqësore mes sherrit

Tomori nuk ndalet, huazon edhe një tjetër lojtar. Këtë herë ka marrë Brajan Zhoel Rodriges, mesfushorin me origjinë nga Meksika. Ai i është bashkuar skuadrës prej pak ditësh dhe dje është aktivizuar në miqësoren e zhvilluar, duke e çuar numrin e afrimeve në 8 (më herët kanë ardhur edhe Aldrit Oshafi, Endrit Marku, Enes Isufi, Ervis Çaço, Mikel Kaloshi, Marjo Barjamaj apo Sali Kumani).

tomori apolonia

MIQËSORJA – Tjetër miqësore për Tomorin, e teta për këtë periudhë përgatitjesh dimërore. Duke përfituar nga pushimi që i ofron kalendari, dje kanë matur forcat me kosovarët e FC A&N. Skuadra e Bledar Sinellës ka fituar me shifrat 2 me 1, falë golave të Oshafit dhe Kasmollarit. Në mungesë të asistentit të dytë, virojtës u bë zv.trajneri i beratasve, Iken Droboniku. Loja nisi me sulme dhe kundërsulme të shpejta në të dy krahët. Gava së bashku me Oshafin, Cankën, Barjamajn dhe kapitenin Çaço, detyrojnë portierin Birja që të kryejë disa pritje. Bukur reagon edhe Kaloshi ndaj gjuajtjeve të Mustafës, Gashit apo Dragushës. Por, në të 29-ën loja do të ndalej për 3 minuta.

Shkaku ishte një ndërhyrje horror e një prej futbollistëve miq ndaj Mikel Cankës në rrethin e mesit të fushës. Kjo ngjalli reagimin e menjëhershëm të sulmuesit dhe futbollistëve beratas, që u shoqërua edhe me acarimin e miqve. Mustafa dhe Zeqaj manifestuan sulme fizike ndaj Cankës së shtrirë dhe futbollistëve të tjerë vendës. Kryesori Jahja ka ndëshkuar me dy të verdhë lojtarët miq, por shumë i irrituar u pa Bledar Sinella. Ai “kërcënoi” me ndaljen e miqësores, duke iu drejtuar kolegut të tij, Megzon Visaku: “Do luani futboll apo keni ardhur të na dëmtoni futbollistët?! Po bëtë edhe një herë një ndërhyrje të vetme, do ta ndërpres ndeshjen”.

Pas këtij momenti pati edhe ndërrim mes arbitrave, ndërsa kryesori u bë anësor dhe anësori kryesor. Gjithsesi, kjo zgjati deri në mbyllje të pjesës së parë, pasi në të dytën u rikthye në vendet përkatëse. Pas pushimit, beratasit e nisin në sulm. Nuk vonoi dhe në të 54-ën zhbllokuan shifrat. Canka asiston për Oshafin, që stopon topin me gjoks dhe gjuan, duke e dërguar në rrjetë. As 5 minuta dhe ka sërish gol. Kasmollari në një aksion personal godet bukur te vija ballore dhe 2–0. I menjëhershëm reagimi i miqve me një kundërsulm të shpejtë të Gashit, që godet brenda zonës dhe shënon për 1–2. U duk për një çast se loja do të hapej për miqtë që kërkonin barazimin, por Tomori ushtron presing dhe shton rastet. Canka mund të shënonte në të 70-ën me penallti, por godet vetëm shtyllën. Takimi mbyllet me dy raste të arta për shënim nga Gava dhe Oshafi.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"