Tomori rikthen një futbollist, shkon në 11 numri i largimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2024 | 21:58

Tomori rikthen një futbollist, shkon në 11 numri i largimeve

Mesfushori kavajas, Arbër Deliu, është afrimi më i fundit i Tomorit në ditën e tretë të stërvitjes, e cila ka nisur që më 2 janar nën drejtimin e trajnerit Febron Ziu. 23-vjeçari Deliu rikthehet në Berat pas vetëm gjashtë muajsh, ndërsa në pjesën e parë të këtij sezoni ka qenë pjesë e skuadrës së vendlindjes, Besa e Kavajës.

407442280_901294388188637_1096107555336776517_n

Ai është një njohje e vjetër e Tomorit, pasi në sezonin e kaluar ka shkëlqyer me fanellën e këtij ekipi, që pretendoi ngjitjen në elitë. Rikthimi i tij në Berat, në një ambient që e njeh mjaft mirë, është vlerësuar dhe mirëpritur pozitivisht.

Ndërkohë, shkon në plot 11 numri i lojtarëve të larguar nga skuadra dhe pikërisht emra si Aleksandre de Oliveira Macedo Xhunior, Agami Hando, Rrezart Kokollari, Alliu Olalekan Ibrahim, Vahab Laval, Samuel Solomon, Luis Fernando, Kristian Rroku, Stefan Abara, Kostika Beçka dhe Gelando Sharavolli.

TRAJNERI – Që më 2 janar ekipi beratas ka zbritur në fushë. Kjo lëvizje është konsideruar si një hap serioz i stafit teknik në përpjekje për të bërë kthesën e madhe, në mënyrë që të shpëtohet sezoni. Trajneri Febron Ziu, për “Panorama Sport” u shpreh: “Duam të shfrytëzojmë sa më mirë efektin e kohës, si në drejtim të përgatitjeve, ashtu edhe për të parë nga afër dhe vlerësuar futbollistët e rinj, të cilët janë kandidatë për t’u bërë pjesë e Tomorit. Në dy ditët e para të stërvitjes, i kemi dhënë më shumë prioritet ndeshjeve brenda grupit, me qëllim që të testojmë futbollistët e rinj që janë afruar”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"