Tomori ndryshon trajektore. Aktivizimi i të rinjve, shans për 17-vjeçarin e dinastisë Arbëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2024 | 23:01

Tomori ndryshon trajektore. Aktivizimi i të rinjve, shans për 17-vjeçarin e dinastisë Arbëri

Tomori thuajse i ka bërë gati valixhet për të zbritur në Kategorinë e Dytë dhe duke u pajtuar me fatin drejtuesit kanë vendosur që javët në vazhdim të shkojnë në funksion të sezonit të ri.

kledjon arberi

Kështu mbështetja tek elementi i ri shikohet si parapritë për të ndërtuar në kohë organikën e Tomorit që do të militojë sezonin e ardhshëm në të Dytën.

Kjo politikë e drejtuesve ka gjetur përkrahje edhe te dashamirësit e futbollit beratas. Kështu që në vazhdim pritet që në ekip të ketë hapësira për elementë të perspektivës që vijnë nga Tomori U-17 dhe U-19. Midis tyre është evidentuar edhe sulmuesi 17 vjeçar, Klejdon Arbëri, djali i ish-sulmuesit dhe trajnerit të Tomorit, Klodian Arbëri. Ai është cilësuar si një trashëgimtar i denjë i dinastisë së njohur të futbollit beratas. 17-vjeçari u aktivizua në pjesën e dytë të takimin të fundit ndaj Besës dhe për “Panorama Sport” u shpreh:

“U ndjeva mjaft mirë kur trajneri Droboniku më hodhi në fushë. Më erdhi keq për humbjen dhe mungesën e golave, pasi rastet nuk na munguan. Tani do punoj edhe më shumë në stërvitje, për të fituar besimin e stafit për të marrë sa më shumë minuta. Jam i sigurt që do të na vlejë aktivizimi në javët e mbetura, më së shumti si eksperiencë për të qenë titullarë në sezonin e ardhshëm. E kam detyrimin të ecë në gjurmët e babait, xhaxhallarëve e kushërinjve të mi”.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"