Titulli bëhet çmenduri/ Partizani ka gjithçka në dorë, Laçi favorit me fotofinish. Përkëmbimet e mundshme për triumfin e 4 skuadrave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2021 | 23:38

Titulli bëhet çmenduri/ Partizani ka gjithçka në dorë, Laçi favorit me fotofinish. Përkëmbimet e mundshme për triumfin e 4 skuadrave

Përfundimet e javës së 34-të të Superiores, në vend që të hidhnin dritë, më shumë i kanë shtuar pikëpyetjet e verdikteve, si në pjesën e rënies nga kategoria, por edhe për kampion. Çështja e titullit mbetet e hapur, madje është kthyer në çmenduri, ku në fazën e katërt kemi pasur thuajse çdo javë rokada në krye të klasifikimit.

kategoria-superiore

Lufta katërshe për t’u shpallur kampion vijon, ku Partizani, Teuta, Laçi dhe Vllaznia i kanë shanset për titullin. Nga renditja aktuale, Partizani është skuadra që e ka më shumë vetë në dorë fatin për kampion, pasi me fitoren ndaj Teutës bashkëkryeson me durrsakët, por u ka djegur mundësinë e bilancit direkt, pasi me fotofinish është superior ndaj “djemve të detit”. Partizani dhe Teuta kanë nga 62 pikë, me të kuqtë në vend të parë për arsyet e mësipërme, ndërsa pas tyre vjen dyshja Laçi-Vllaznia me 2 pikë më pak.

Java e 35-të, e cila do të luhet e gjitha të premten, është “zjarr” pasi ofron dy përballje direkte me katër të parave. Partizani pret Vllazninë, ndërsa Laçi pret Teutën. Nëse të kuqtë mposhtin shkodranët, i bie që Partizani të jetë më një dorë te titulli, pasi në fund ndeshen me Bylisin, që thuajse është dorëzuar. Intrigues pritet të jetë edhe rezultati i çiftit tjetër, Laçi-Teuta, që mund të sjellë edhe ndonjë rokadë. Ekzistojnë akoma dy skenarët e çmendur që të kemi mbylljen e kampionatit nga tri ekipe me 66 pikë: Partizani, Laçi dhe Teuta, apo të katërta ekipet ta mbyllin me 64 pikë të barabarta.

Në të dyja rastet, triumfator do të ishte Laçi, pasi ka bilancet më të mira me rivalët direktë, aq më shumë me Partizanin, me të cilin i ka mbyllur llogaritë, ndërsa me Teutën dhe Vllazninë ka edhe nga një duel. Partizani është superior ndaj Teutës, por me Vllazninë ka edhe një duel për të vendosur baraspeshën.

Si del Partizani kampion

– Varianti që e ka vetë Partizani në dorë është marrja e gjashtë pikëve në dy ndeshjet e mbetura, me Vllazninë në shtëpi dhe Bylisin jashtë. Edhe nëse Teuta i fiton dy ndeshjet e radhës dhe e mbyll sezonin me 68 pikë, sërish të kuqtë dalin kampion, pasi me fitoren e djeshme kanë fituar duelin direkt me durrsakët.

– Me katër pikë, një fitore dhe një barazim. Partizani barazon me Vllazninë, edhe Laçi me Teutën ndahen në barazim, si dhe fiton ndeshjen e fundit në Ballsh. Ose, anasjelltas, fitojnë me Vllazninë dhe barazojnë me Bylisin, duke e lidhur me barazimin mes Laçit dhe Teutës.

– Me tri pikë. Partizani mposht Vllazninë dhe Laçi Teutën. Ndërsa në javën e fundit Partizani mundet në Ballsh, Vllaznia del barazim me Laçin, kurse Teuta fiton me Apoloninë.

– Me dy pikë. Të katër pretendentët marrin nga dy barazime në dy javët e fundit.

Si del Teuta kampione

– Teuta nuk e ka në dorë edhe sikur të fitojë të ndeshjet e mbetura, pasi duhet që Partizani të lërë pikë në një ndeshje.

– Me katër pikë, një fitore dhe një barazim. Edhe në këtë variant duhet që Partizani të marrë 3 pikë, një fitore dhe një humbje. Në këtë rast edhe Vllaznia duhet të marrë 4 pikë, pasi me dy fitore shkodranët e mbyllin me 66 pikë me Teutën, që i bie të llogaritet golavarazhi.

– Me tri pikë.Teuta duhet të fitojë një pikë më shumë se Partizani, i cili duhet të marrë dy barazime ose një barazim me Vllazninë dhe të mundet në Ballsh. Duke marrë të mirëqenë dy pikët e “demave” dhe një fitore me Laçin dhe humbje me Apoloninë dhe Vllazninë që nuk duhet të marrë më shumë se 4 pikë. Mund të mposhtet në Laç dhe të fitojë me Apoloninë, por duhet që Vllaznia-Laçi të mbyllet barazim.

– Me dy barazime. Me këtë variant Partizani duhet të fitojë 1 pikë dhe Laçi me Vllazninë të marrin po dy barazime.

Si del Laçi kampion

– Me dy fitore, ndaj Teutës dhe Vllaznisë, ecuria e kurbinasve është në varësi të Partizanit, i cili nuk duhet t’i fitojë dy ndeshjet e tij. Nëse të kuqtë marrin 4 pikë dhe kurbinasit gjashtë, kemi një mbyllje të kampionatit me të dyja ekipet me 66 pikë. Me këtë variant, Laçi shpallet kampion, pasi ka bilancin pozitiv në katër përballjet me “demat”. Ndërsa me dy fitore të vetat dhe një fitore e barazim të Partizanit, Laçi shpallet direkt kampion.

– Me katër pikë. Edhe ky variant lidhet me Partizanin, i cili s’duhet të marrë më shumë se dy pikë. Por, llogaritë mund të bëhen edhe me Teutën, të cilën mund ta mposhtë, por durrsakët s’duhet të fitojnë ndaj Apolonisë, nëse e marrim të mirëqenë barazimin në Shkodër. Në rast se Vllaznia e Laçi e mbyllin në krye me 64 pikë, i bie që kurbinasit të shpallen kampion falë përballjeve direkte.

Si del Vllaznia kampione

– Me dy fitore, ndaj Partizanit dhe Laçit, fati i shkodranëve të trajnerit Brdariç është në dorë të rezultateve të Teutës, e cila minimumi nuk duhet të marrë më shumë se katër pikë dhe në rast se të dyja ekipet e mbyllin me 66 pikë, duhet që kuqeblutë ta kenë golavarazhin më të mirë, pasi ka baraspeshë në duelet direkte me “djemtë e detit”.

– Me katër pikë. Ky variant lidhet direkt me ecurinë e tre rivalëve. Nëse fitojnë me Partizanin dhe barazojnë me Laçin, duhet që Teuta të marrë katër pikë, por të ketë në fund golavarazh më të dobët se shkodranët. Ose, Vllaznia të barazojë me Partizanin, i cili duhet të barazojë edhe në ndeshjen e fundit me Bylisin, si dhe në fund shkodranët të mposhtin Laçin, i cili më parë duhet të barazojë me Teutën.

– Me tri pikë dhe dy pikë nuk mund të gjesh përkëmbime fituese për shkodranët, për vetë faktin se kanë përballje me dy rivalë direktë, Partizanin dhe Laçin.

33

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"