Tirana i shtohet listës së pretendentëve për Pero Pejiç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2016 | 11:44

Tirana i shtohet listës së pretendentëve për Pero Pejiç

Nis “pazari” për Pero Pejiçin. Fill pasi zyrtarizoi “divorcin” me Estegalin, emri i tij ka nisur të lakohet në kampionatin shqiptar. Vetë kroati e ka thënë hapur se do të rikthehet në Shqipëri, ndaj edhe ofertat nuk i kanë munguar.

Pejic

Veç Kukësit, që mund të jetë një opsion për të ardhmen e tij, në skenë del edhe Tirana. Këta të fundit, sikundër dihet, janë vënë në kërkim të një “bomberi”, ndaj afrimi i kroatit mund të jetë një variant që mund të realizohet në këtë merkato vere. Nuk mund të flitet kurrsesi për negociata, pasi vetëm dje është lakuar për të parën herë kjo pistë si alternativë.

Pejic me fanellen e Kukesit

Emri i tij u është sponsorizuar përgjegjësve të merkatos së kryeqytetasve, ndaj u mbetet këtyre që të japin fjalën e fundit nëse do të jenë të hapur që të nisin bisedimet me kroatin, apo do të fokusohen te pista “afrikane”. Kujtojmë që jo më larg se një muaj, Tirana zyrtarisht shleu kroatin për detyrimet e prapambetura. Kroati i pat paditur në FIFA bardheblutë, gjyq të cilin e fitoi. Ndaj, nëse ky “operacion” do të ketë zhvillime konkrete, negociatat do të nisin nga zeroja.

Mosha mund të jetë i vetmi handikap, megjithatë Pero Pejiç e ka vërtetuar që Superiorja i sjell fat, pasi me golat në Shqipëri raportin e ka pasur gjithnjë të përkryer. Veç Kukësit dhe Tiranës, edhe Vllaznia ka shfaqur interes për shtatlartin 33-vjeçar.

Pejic merr fanellen nr.22 te Kukesi

“Për të ardhmen time është e vështirë ta them tani nëse do të shkoj te Kukësi apo jo, pasi momentalisht kam dy-tri oferta të rëndësishme nga Superiorja. Një gjë është e sigurt, fakti që më pëlqen Shqipëria dhe më ka munguar shumë. Aty jam ndier gjithmonë si shqiptar”, kështu u shpreh Pejiç për gazetën, deklaratë kjo që zbardh planin e tij për të ardhmen e afërt. Ai do të kthehet në Shqipëri pas aventurës iraniane, por emri i ekipit mbetet për t’u zbuluar në vazhdim.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"