Thyhet rekordi verdheblu, Elbasani mundet në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2012 | 13:01

Thyhet rekordi verdheblu, Elbasani mundet në shtëpi

Elbasani – Pogradeci 1-2
GOLAT: Tafani 77′ / Bufasi 19′, Shyti 62′
ELBASANI: Ruçi, Ibrahimi (Balla 39′), Dushku, Mërtiri, Elezi (Gjini 65′), Musta, Okoronko, Bylykbashi, Dalipi, Lamçe, Halilaj (Tafani 46′). Trajner: I. File
POGRADECI: Miraka, Hysenllari, Pura, Bufasi, Pere, Shkulaku, Jahaj, Shyti, Zguro, Mullaj (Çekiçi 57′), Pengu (Llakmani 73′). Trajner: A. Abazi
GJYQTARË: B.Breshanaj, A.Shkreta, A.Naçe (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Lamçe 66′
KARTON I KUQ: Dushku 72′ (2V)
DELEGAT: Z.Shaba (Tiranë)
VËZHGUES: S.Papa (Fier)

Elbasani është shokuar, pasi është mundur minimalisht 1-2 në shtëpi nga Pogradeci. Por, ajo çka është më e rëndësishmja, ka të bëjë me faktin se i ka thënë përfundimisht “lamtumirë” ëndrrës Superiore. Pogradecarët e merituan plotësisht fitoren dhe në fund e “mëshiruan” Elbasanin nga ndonjë goleadë. Janë golat e Bufasit në pjesën e parë dhe Shytit në të dytën, të cilët e mbajnë ende në garë Pogradecin për një vend në Superiore, që tani ka edhe petkun e skuadrës që mundi të pathyeshmen në shtëpi: Elbasanin.
Pjesa e parë – Të dyja skuadrat e nisin qetë takimin, pasi në minutat e para nuk shfaqen rrezikshëm në portat respektive, duke u munduar më shumë të studiojnë lojën e njëra-tjetrës. Dalipi përpiqet të bëjë diçka të mirë për vendësit me goditje nga larg, por nuk shfaqet rrezikshëm në portën e Mirakës. Pogradecarët do të kalojnë në avantazh në minutën e 19-të me anë të mbrojtësit Bufasi, i cili përfiton nga një rrëmujë dhe një pakujdesi në zonë nga ana e mbrojtësve elbasanas. Pas shënimit të golit, miqtë përpiqen të mbrojnë avantazhin, duke e qarkulluar topin në mesin e fushës, ndërsa elbasanasit nuk arrijnë të përfitojnë si duhet në një rast në minutën e 36-të. Dalipi depërton bukur në zonë dhe pason një top për Lamçen, por ky i fundit gabon duke mos goditur si duhet dhe Miraka pret pa probleme. Ky do të ishte edhe rasti i fundit për 45 minutat e para.
Pjesa e dytë – Me fillimin e pjesës së dytë vendësit hidhen në sulm, por janë sërish miqtë ata që shënojnë me anë të kundërsulmit. Në minutën e 62-të Shyti merr një top të gjatë nga mesi i fushës dhe pas një kontrolli të bukur në zonë, godet diagonale dhe shënon. 0-2 dhe takimi praktikisht duket i mbyllur. Madje, në të 72-ën, Dushku merr të verdhën e dytë dhe e lë skuadrën e Elbasanit me 10 lojtarë në fushë. Mirëpo Tafani në të 77-ën do të ngushtojë shifrat në 1 me 2, pas një goditjeje nga rreth 22 metra, e cila përfundon në rrjetë, duke rihapur takimin, por vetëm kaq, pasi verdheblutë nuk shënojnë më.

File: I uroj suksese Pogradecit
Ilirjan File, trajneri i Elbasanit, nuk ka dashur ta komentojë shumë humbjen me Pogradecin, pasi skuadra e tij tashmë mund të konsiderohet e dalë nga gara për ngjitjen në Superiore. Tepër i mërzitur, trajneri verdheblu ka arritur të shqiptojë vetëm një fjali: “I uroj sukses Pogradecit!”, duke mos u marrë fare me të tijtë. Ndërkaq sot pritet që ekipi të jetë pushim dhe stërvitja të rinisë të hënën, për ndeshjen e javës së ardhshme. Tashmë është bërë traditë edhe analiza e fillimjavës, por që në fund të saj nuk merret asnjë masë për lojtarët, apo për ekipin në përgjithësi.

Abazaj: Të rinjtë e justifikuan besimin
Tekniku pogradecar, Ardian Abazaj, pas takimit u shpreh se kjo ishte ndeshja më e bukur e këtij sezoni për Pogradecin dhe se lojtarët e tij kanë një të ardhme të ndritur përpara. “Kemi zhvilluar ndeshjen më të mirë të këtij sezoni dhe jam i lumtur për këtë. E kishim vlerësuar maksimalisht sfidën, sepse kishim përballë një kundërshtar si Elbasani, i cili meriton respekt. Më kënaq edhe e ardhmja e skuadrës, pasi në këtë ndeshje aktivizova 6-7 futbollistë nën moshën 20 vjeç dhe ata e justifikuan të gjithë besimin e dhënë”, – tha Abazaj.
ARDIT SENJA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"