Thirrja e një talenti kuqezi: Lërini të tjerat, zgjidhni Shqipërinë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2017 | 20:29

Thirrja e një talenti kuqezi: Lërini të tjerat, zgjidhni Shqipërinë!

Mikelanxhelo Metolli, mbajeni shënim këtë emër. Për shumë futbolldashës, 17-vjeçari i talentuar është një emër pak i njohur, por duhet të dini që falë golave të tij Kombëtarja shqiptare U-19 bëri të sajën trofeun e turneut “Roma Caput Mundi” që u zhvillua në Itali.

Sulmuesi, i cili është pjesë e Arecos në Lega Pro (kategoria e tretë) italiane, realizoi si në ndeshjen e parë kundër Maltës, ashtu edhe në finalen ndaj Rumanisë, duke u kthyer në një nga pikat e referimit për të ardhmen e kësaj përfaqësueseje që luan kualifikueset e Europianit në vjeshtë.

Mikelanxhelo Metolli 1

“Të luaja për Kombëtaren ishte ndjesia më e bukur në botë”, tregon futbollisti i talentuar për “Panorama Sport”. “Por njëkohësisht ishte edhe një krenari e veçantë, pasi përfaqësoja vendin më të bukur në botë. Sinqerisht që u ndjeva shumë mirë me të gjithë djemtë dhe me stafin. Pastaj të shënoja me Kombëtaren ishte një nga momentet më të bukura të jetës sime”, shton sulmuesi.

Mikelanxhelo Metolli skeda

Metolli ishte një emër i panjohur edhe për stafin e përfaqësueses, deri në dhjetor, kur u pikas në një nga grumbullimet që u zhvilluan në Itali. “Kjo ishte hera e parë që vija në Kombëtare. Në dhjetor bëmë një grumbullim në Peruxhia dhe mendoj se u paraqita mirë, ndaj më erdhi kjo ftesë”, shpjegon ai.

Mikelanxhelo Metolli 2

Për djaloshin e rritur në Itali, ftesa nga përfaqësuesja shqiptare, e cila drejtohet nga një prej lojtarëve që ai ka ndjekur me admirim në vite nga televizori, ishte diçka shumë e veçantë. “E kam ndjekur gjithmonë Kombëtaren, nuk kam humbur asnjë ndeshje të saj, në kualifikuese e sigurisht në Europian. Kush më pëlqen më shumë nga futbollistët aktualë? Sadiku”, tregon Metolli, i cili, ashtu si shumë adoleshentë të tjerë shqiptarë ëndërron që një ditë të lërë gjurmë në historinë e futbollit shqiptar, ashtu siç bëri sulmuesi elbasanas gjatë “Francë 2016”.

Mikelanxhelo Metolli 3

Metolli i përket një familjeje emigrantësh dhe një brezi futbollistësh që janë lindur e po rriten jashtë kufijve të Shqipërisë. I pyetur nëse i ka shkuar ndonjëherë mendja për të bërë një zgjedhje tjetër dhe për të pritur ndonjë mundësi për të veshur fanellën e Italisë ku është rritur, djaloshi tund kokën dhe përgjigjet me shpejtësi.

Mikelanxhelo Metolli 4

“Nuk kam menduar asnjëherë të vesh fanellën e Italisë, pasi pavarësisht se jam lindur e rritur këtu, ndihem krejtësisht shqiptar dhe nuk do ta tradhtoja kurrë vendin tim. E kuqja dhe e zeza janë ngjyrat e mia, ose më mirë të themi lëkura ime e dytë”, thotë ai me bindje, duke shpresuar që edhe ata që kanë menduar të përfaqësojnë Italinë apo vende të tjera, të ndryshojnë mendje:

“Është zgjedhja e tyre. Unë shpresoj që të ndryshojnë mendje dhe të vijnë të luajnë me ne. Të mos harrojnë se janë shqiptarë dhe kanë fatin që të përfaqësojnë Shqipërinë në të gjithë botën”.

ERMAL KUKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"