Thirrja e Dimos për drejtuesit: Ta rikthejmë Apoloninë në elitë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2017 | 16:46

Thirrja e Dimos për drejtuesit: Ta rikthejmë Apoloninë në elitë!

Aktualisht, fierakët janë në një pushim total. Që pas përfundimit të kampionatit tek Apolonia nuk ka pasur asnjë zhvillim. Madje, jo vetëm që nuk është bërë asnjë mbledhje për sezonin e ri, por as rinovimi i kontratës për trajnerin Elidon Demiraj dhe stafin e tij teknik.

Apolonia

Apolonia ka një bosht pse jo të konsiderueshëm nga vjet, element i vlefshëm për sezonin e ri, por përforcimet do t’i vlenin shumë këtij ekipi për t’u kuotuar pretendente për Superiore.

DIMO

Një nga emrat më të njohur të futbollit fierak, kapiteni Amarildo Dimo, njihet gjithmonë si një vlerësues real i ecurisë së skuadrës, kritik për mangësitë, po aq sa dhe modeli motivues për të rinjtë. Është po ai, Dimo, që kërkon të përçojë frymën optimiste për sezonin e ri, duke shpërndarë ftesën për gjithë aktorët që ndikojnë e ndihmojnë Apoloninë.

Dimo Apolonia

“Është ndjesi sipërore kjo fanellë, besomëni. Është djersë, dhimbje dhe rrahje zemre në shkallën më të lartë! Për të gjithë, mbase: nga më i riu, te më i vjetri. Atëherë le ta bëjmë Apoloninë, ta ngremë dhe ta rikthejmë në elitë këtë ekip. Të gjithë bashkë ta çojmë atje ku i takon. Duhet të nisë puna së më shpejt, pasi jemi vonë”, deklaroi kapiteni në prononcimin e tij për gazetën.

Si asnjëherë tjetër, fierakët dështuan gjatë kampionatit të kaluar. Ekipi e nisi si pretendent për elitën, por në fund u rendit në 5-shen e skuadrave që luftuan për mbijetesë. Tashmë, mbetet për t’u parë se çfarë synimesh do të kenë fierakët për sezonin e ri. Fakti që do të jenë në të njëjtin grup me Tiranën mund të krijojë jo pak shqetësime te fierakët.

Gjithsesi, pritet që javën e ardhshme të mësohet më shumë për këtë çështje dhe për objektivat që do t’i vendosin skuadrës drejtuesit. Burime pranë klubit kanë bërë të ditur se do të ruhet një pjesë e mirë e lojtarëve të sezonit të kaluar.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"